Këshilla bukurie për stinën e vjeshtës

  • 18 August 2019 - 18:23
Këshilla bukurie për stinën e vjeshtës

1. PËRDORNI PRODUKTE MË TË TRASHA

Produktet më të lehta janë të përshtatshme për stinën e verës, mirëpo, pasi që të jemi futur në stinën e vjeshtës është e rëndësishme të filloni me përdorimin e formulave më të trasha, në mënyrë që ta mbroni lëkurën tuaj nga elementet e padëshiruara. Kjo vlen për zbutësit, kremrat dhe balsamin e buzëve.

2. RUAJENI YNDYRËN NATYRALE TË LËKURËS

Lëkura zakonisht ka tendencë të jetë më e yndyrshme gjatë stinës së verës, ndërsa në vjeshtë është esenciale ta ruani yndyrën natyrale. Këtë gjë më së miri mund ta bëni nëpërmjet përdorimit të produkteve të lehta për pastrimin e fytyrës, që e largojnë grimin, mirëpo ruajnë yndyrën natyrale të lëkurës.

3. PËRSHTATJA E NGJYRAVE TË GRIMIT

Me ndryshimin e stinës vjen edhe ndryshimi i ngjyrës së grimit tuaj. Ngjyrat e mbyllëta të bronzuesit në kombinim me buzëkuq me ngjyrë mat dhe me grimin e syve 'smokey' përbëjnë kombinimin më të përshtatshëm për stinën e vjeshtës.

4. PËRDORNI PRODUKTE MË TË LËNGËTA

Nëse lëkura juaj është më e thatë mund të përdorni bazë në formë kremi ose bazë të lëngët. E njëjta vlen edhe për bojëkuqin tuaj. Mos harroni që produktet që i përdorni të përmbajnë edhe produkt për mbrojtje nga rrezet e diellit, pasi që, vetëm pse vera ka përfunduar nuk do të thotë që nuk do t'ju dëmtohet lëkura.

5. HIDRATIMI I FLOKËVE

Nëse gjatë verës keni përdorur shumë sprej të flokëve dhe shampon të thatë, ka ardhur koha t'i largoni të gjitha produktet që mund të jenë akumuluar në flokë dhe në lëkurë të kokës. Përdorni shampon për pastrim të thellë një herë në muaj, për t'i larguar produktet e mbetura nga rrënjët e flokëve. Në të njëjtën kohë, përdorni balsam natyral të flokëve për t'u siguruar që flokët tuaj mbesin të shëndoshë dhe të hidratuar. 

(Kosova Sot Online)