Tri mite për humbje të peshës, që nuk duhet t'u besoni

  • 11 October 2019 - 08:57
Tri mite për humbje të peshës, që nuk duhet t'u besoni

Humbja e peshës tanimë është kthyer në një çështje me rëndësi të veçantë, për të gjithë njerëzit në përgjithësi dhe femrat në veçanti. Mirëpo, duke u munduar që të ndiqni të gjitha këshillat për humbje të peshës, ju shumë shpesh mund të bini pre e miteve, që përveç humbjes së kohës, nuk ju ndihmojnë asgjë tjetër, e ne më poshtë i kemi përzgjedhur disa nga mitet më të zakonshme për humbjen e peshës.



SA MË E VOGËL TË ËSHTË PJATA, AQ MË PAK DO TË HANI

Shumë shpesh mund të keni dëgjuar ekspertët tek thonë që pjata më e vogël mund t'ju ndihmojë në konsumimin më të vogël të ushqimit, mirëpo ndonëse kjo këshillë tanimë është shndërruar në një lloj klisheje, një studim i bërë së fundmi ka treguar që në fakt pjatat e vogla mund të jenë të dëmshme për të gjithë që mëtojnë të humbin peshë. Tamara Bucher, pjesëtare e ekipit të ekspertëve që kanë punuar në hulumtim, ka thënë që zakonisht njerëzit kur kanë pjatë të madhe mëtojnë ta mbushin shumicën e pjesës me pemë e perime, gjë kjo që ndikon pozitivisht në humbjen e kilogramëve të tepërt.

DUHET TË MATENI PËR ÇDO DITË

Shumë ekspertë dietash mund të rekomandojnë që të gjitha femrat që mëtojnë të humbin peshë të maten në peshore për çdo ditë, mirëpo një hulumtim i bërë së fundmi në Britani të Madhe ka treguar që femrat të cilat janë peshuar çdo ditë, nuk kanë shënuar ndonjë përparim në krahasim me femrat që nuk janë peshuar. Si rrjedhojë, bartësit e këtij hulumtimi thonë që më e rëndësishme që të merreni me aktivitete të shëndetshme dhe ta kontrolloni ushqimin sesa të mateni çdo ditë.

USHQIMET E PASURA ME KARBOHIDRATE NDIKOJNË NË MBIPESHË

Jo të gjitha bukët janë të dëmshme! Një ekip hulumtues nga Spanja ka monitoruar më shumë se 9.000 njerëz për më tepër se pesë vite dhe si rrjedhojë ata nuk kanë arritur të gjejnë ndonjë lidhje në mes të konsumimit të bukës së pasur me karbohidrate dhe humbjes së peshës apo shkallën e mbipeshës. Për më tepër, disa femra të cilat kanë konsumuar ushqime të pasura me karbohidrate janë treguar më të suksesshme në luftën për humbjen e peshës në krahasim me femrat që u janë shmangur ushqimeve të tilla.

(Kosova Sot Online)