Studim: Gratë shtatzëna mund të mos shfaqin simptoma të koronavirusit

  • E.K /
  • 02 September 2020 - 13:22
Studim: Gratë shtatzëna mund të mos shfaqin simptoma të koronavirusit

Sipas një studimi, gratë shtatzëna që janë prekur nga koronavirusi kanë më pak gjasa që të shfaqin simptoma të sëmundjes, por edhe mund të jenë më të rrezikuara për t’u pranuar në repartin e kujdesit intensive në krahasim me gratë që nuk janë shtatzëna.

Në këtë analizë, ku u përfshinë 77 hulumtime të bëra në pjesë të ndryshme të botës dhe që u publikua në revistën “British Medical Journal”, u përfshinë mbi 11 mijë gra që ishin të shtrira në spitale dhe të diagnostikuara ose të dyshuara për koronavirus.

Të dhënat treguan se gratë shtatzëna mund të jenë më të rrezikuara që të kenë nevojë për kujdes intensive. Kjo mund të shkaktohet pjesërisht nga fakti që sistemi imunitar i nënave shpesh sakrifikohet për mbrojtje të foshnjës dhe se mushkëritë dhe sistemi i qarkullimit të gjakut janë nën trysni gjatë shtatzënisë.

Për më tepër, gratë shtatzëna dhe gratë që kanë lindur fëmijë së voni kanë më pak gjasa ta përjetojnë simptomën e temperaturës së lartë dhe etheve, shkruan The Guardian.

Sidoqoftë, për fat të mirë, shkalla e vdekshmërisë së grave shtatzëna të prekura nga koronavirusi është shumë më e ulët se në rastin e sëmundjeve të tjera, si Sars dhe Mers.

Dr. Edward Mullins nga Kolegji Imperial tha se nevojiten më shumë studime për t’u ditur ndikimi i koronavirusit në fazën e hershme të shtatzënisë dhe për kalimin e mundshëm të virusit nga nëna te foshnja.

(Kosova Sot Online)