Nëse po mendoni të bëheni prind, duhet t’i bëni vetes patjetër këto pesë pyetje para se të jetë tepër vonë

  • G.G /
  • 30 shtator 2020 - 10:47
Nëse po mendoni të bëheni prind, duhet t’i bëni vetes patjetër këto pesë pyetje para se të jetë tepër vonë

Zgjedhja për të pasur një fëmijë është një vendim që ndryshon jetën. Është një angazhim që do të transformojë plotësisht përparësitë, rutinat dhe mënyrën tuaj të jetesës, raporton “Goalcast”.

Sigurisht që nuk është një vendim që merret lehtë. Por cilat janë shenjat? Si mund ta dini që është momenti i duhur?

A është vërtetë kjo ajo që doni?

Hapi i parë që duhet të bëni është të siguroheni që vërtet e doni një fëmijë. Kjo sepse ashtu si martesa, edhe në këtë rast mund të keni shumë presion nga shoqëria, familja, ose miqtë, sidomos kur arrini një moshë të caktuar.

Por, pavarësisht nga ato që presin personat përreth jush (ose shoqëria në përgjithësi), merrni kohë për të kuptuar se çfarë dëshironi.

A jeni në një marrëdhënie të përkushtuar?

Të bësh një fëmijë nuk është një mënyrë për të rregulluar një marrëdhënie që nuk shkon mirë. “Nëse keni probleme për të zgjidhur, ardhja në jetë e një fëmije do t’i përkeqësonte edhe më shumë ato, pasi do të kaloni orë të tëra pa gjumë, do të jeni i mërzitur dhe shumë të stresuar”,- tha eksperti i marrëdhënieve Dawn Michael, Ph.D. për “Bustle”. “

Në thelb, çdo problem që mund të keni aktualisht, mund të përkeqësohet dhe të thellohet akoma më shumë me stresin dhe lodhjen shtesë që rritja e një fëmije sjell.

Sa më i fortë të jetë themeli i marrëdhënies, aq më shumë do të jeni në gjendje ta menaxhoni prindërimin.

A mund t’i ekuilibroni emocionet me ato që bëni në praktikë?

Për shumë njerëz, të jesh gati për një fëmijë është një proces intuitiv, i njohur zakonisht si “mishërim”. Po për sa i përket anës praktike? Fushat kryesore për t’u marrë në konsideratë janë: marrëdhënia në çift, financat e secilit, gatishmëria për të bërë sakrifica të rëndësishme dhe ndryshime në stilin e jetesës, apo në mënyrën se si e kaloni kohën – kjo përfshin marrjen në konsideratë të mënyrës se si të pasurit fëmijë mund të ndikojë në karrierën tuaj.

Durimi është i vlefshëm: nëse e dini që jeni gati, ia vlen të vlerësoni anën praktike dhe racionale të të pasurit fëmijë dhe të eksploroni se çfarë duhet të ndryshojë para se të jeni gati. Për shembull, ju mund të kuptoni se duhet të fitoni më shumë para ose të jeni më të qëndrueshëm financiarisht. Ose mund t’ju duhet një apartament më i madh.

Pyete veten: “a është tani koha e duhur?” Balancimi i aspekteve emocionale me praktikën është i rëndësishëm. Nuk është se gjithçka duhet të jetë perfektë, por ia vlen të jesh sa më i përgatitur për ardhjen në jetë të fëmijës tënd.

A e keni eksploruar traumën tuaj të fëmijërisë?

Të gjithë ne marrim tipare nga prindërit tanë dhe në mënyrë të pandërgjegjshme mund të ndjekim stile të ngjashme prindërimi. Kërkimet tregojnë se stilet e prindërimit shpesh kalojnë nëpër breza, qofshin pozitive apo negative.

Në varësi të edukimit tuaj, ia vlen të eksploroni ndonjë tipar që duhet të ndryshohet dhe të përmirësohet. Të jesh prind është një përgjegjësi e madhe, por gjithashtu siguron një mundësi për të thyer “ciklet e traumës” ose prindërimin jo shumë të mirë; për të sjellë një qasje më të ndërgjegjshme për rritjen e fëmijëve.

Pyesni veten: çfarë duhet të ndryshohet për të qenë prindi më i mirë?.

Njohja e vetvetes, para se të merrni përgjegjësinë e plotë për një tjetër jetë, do të vlejë jashtëzakonisht shumë në planin afatgjatë.

Cilat janë bindjet tuaja për të qenë prind?

E fundit, por jo më pak e rëndësishmja, merrni kohë për të eksploruar bindjet që keni në lidhje me prindërimin. Qartësimi i bindjeve do t’ju ndihmojë të kuptoni më qartë nëse jeni gati për fëmijë. Funksionon në të dyja mënyrat. Ndjenja e ankthit është normale dhe nuk ka asgjë që nuk mund ta përmirësoni!

(Kosova Sot Online)