E humbi beben, e reja akuzohet për vrasje pasi përdori droga gjatë shtatzanisë

  • E.K /
  • 29 dhjetor 2020 - 08:08
 E humbi beben, e reja akuzohet për vrasje pasi përdori droga gjatë shtatzanisë

Një nënë e re në SHBA është akuzuar për vrasje pasi kishte përdorur metamfetaminë para se të lindte një bebe të vdekur.

Chelsea Becker, nga Hanford në Kaliforni, është dërguar në paraburgim për lindjen e dështuar në fund të vitit që kaloi, por çështja ka kaluar në gjykatën e apelit.

Policia tha se gjurmë metamfetamine u gjetën në trupin e bebes, e cila u lind nga Becker pas tetë muaj e gjysmë shtatzanie.

26-vjeçarja kishte pranuar përdorimin e drogës së fortë gjatë shtatzanisë, por ka refuzuar akuzat e vrasjes.

E përditshmja vendase San Francisco Chronicle shkruante kësaj jave se akuzat e prokurorit Xavier Becerra janë refuzuar nga gjykata e apelit.

Becerra, i emëruar nga presidenti i zgjedhur Joe Biden në krye të departamentit të shëndetësisë dhe shërbimeve njerëzore, argumentonte se vendimi mund të ndalojë që në të ardhmen të tjera gra të kërkojnë ndihme ndaj varësive të tyre.

Philip Esbenshade, asistent prokurori i Kings County tha se në raste të tilla ligji autorizon akuzën e vrasjes.

“Nënat mund të akuzohen për sjellje të papërgjegjshme që shkaktojnë vdekjen e jashtëligjshme te fetusit. Kjo nuk ka të bëjë me abortin apo të drejtat e grave, është çështja e një personi që kryen akte specifike që shkaktojnë vdekjen e një fetusi të shëndetshëm”.

Ligji për vrasjen e fetusit është krijuar në Kaliforni që kur një burrë rrahu ish-gruan e tij duke shkaktuar vdekjen e fëmijës në barkun e saj në 1970.

(Kosova Sot Online)