Arsyeja pse femrat shtatzënë duhet të bëjnë kujdes nga macet në shtëpi!

  • G.G /
  • 08 February 2021 - 11:15
Arsyeja pse femrat shtatzënë duhet të bëjnë kujdes nga macet në shtëpi!

Toksoplazma është një infeksion, që mund të rrezikojë shëndetin e foshnjës pa lindur ende. Ky infeksion shkaktohet nga një parazit i quajtur Toxoplasma gondii.

Ky parazit i rrezikshëm shumohet në zorrën e trashë të maceve dhe shpërndahet përmes jashtëqitjes së  tyre, kryesisht nga kutitë e jashtëqitjeve apo dheu i kopshteve. Ju mund ta merrni këtë parazit nëse prekni me dorë mbeturinat apo dherat, ku ka mbetje të jashtëqitjes së maces.

Gjithashtu, ky parazit merret edhe nëse ju konsumoni mish (si mish lope) nga kafshët e infektuara me këtë parazit, dhe sidomos kur mishi është i pagatuar mirë.

Femrat shtatzënë janë të rrezikuara nga ky infeksion, por ato mund ta parandalojnë marrjen e toksoplazmës gjatë shtatzënisë, duke i kërkuar një pjesëtari tjetër të familjes të ndërrojë qesen e mbeturinave apo të pastrojë kutinë e jashtëqitjes së kafshës, në vend të tyre.

Nëse kjo punë ju mbetet patjetër ju dhe askush s’mund t’ju ndihmojë, ju sugjerojmë të vishni doreza plastike dhe të lani sa më mirë duart pasi të keni mbaruar punë.

Gjithashtu mos harroni një këshillë tjetër të rëndësishme: Ju duhet të mbani patjetër doreza edhe kur punoni në kopsht, për të shmangur çdo rrezik për veten apo për fëmijën tuaj!

(Kosova Sot Online)