Parfumi bën të dukeni më e re, më tërheqëse dhe më e hollë

  • A.P /
  • 08 April 2021 - 18:35
Parfumi bën të dukeni më e re, më tërheqëse dhe më e hollë

Në bazë të pretendimeve të shkencëtarëve, Kleopatra ka pasur të drejtë kur ka thënë që parfumi e ka fuqinë që t'i bëjë femrat më tërheqëse. Ajo nuk ishte mbështetur vetëm në dukjen e saj, pasi që ka besuar që aroma e mirë ka qenë çelësi kryesor për të depërtuar në zemrat e meshkujve. Njerëzit reagojnë ndaj aromës së një personi të caktuar, për shkak se hunda është e lidhur edhe me pjesën e trurit, që bën veprime të pavullnetshme.

"Fuqia e mendjes është shumë e madhe. Nëse e pëlqejmë aromën e dikujt, ata menjëherë bëhen më tërheqës në sytë tanë", ka thënë Roja Dove, eksperte e parfumeve. Sipas saj, vanilja, një përbërës i rëndësishëm i parfumeve, është një aromë e ndërlidhur fuqishëm me kënaqësinë. Sa herë që nuhatet një aromë e tillë, mendja shkon tek ndjenjat e lumturisë dhe na kthehen kujtimet e fëmijërisë. Në anën tjetër, livanda, një tjetër përbërës i rëndësishëm i parfumeve ka rezultuar të ndikojë në qetësimin e mendjes, ndërsa aromat citrike shfaqin imazhin e shëndetit dhe të pastërtisë. Për më tepër, ekspertët pretendojnë që aroma e parfumeve është aq e fuqishme saqë mund të bëjë që një femër të duket më e re, më tërheqëse dhe më e hollë sesa që është. Më poshtë mund t'i gjeni parfumet e preferuar të Roja Dove-s, për të cilët mendon që krijojnë efektet e lartpërmendura.

PARFUMET ME AROMË LULESH

Parfumet e luleve mund t'i heqin disa vite nga mosha e një femre, nëse vendoset në mënyrën e duhur. Pasi që, nëse teprohet me parfume të tilla, mund të krijohet efekti i kundërt dhe si rrjedhojë të krijohet përshtypja që femra në fjalë është më e vjetër sesa që në fakt është.

TËRHIQENI VËMENDJEN!

Aroma e vaniljes, siç e thamë edhe më lart, krijon ndjenjën e lumturisë në sistemin nervor. Andaj, nuk është për t'u habitur fakti që shumë parfume përdorin vaniljen si bazë. Nëse vendosni pak parfum të tillë në pjesën pas veshëve dhe në pjesën e qafës, menjëherë do ta tërhiqni vëmendjen e kërkuar.

PARFUMET ME AROMË CITRIKE

Parfumet me aroma citrike krijojnë përshtypjen e pastërtisë dhe shëndetit, andaj rekomandohen në masë të madhe për ditë e ngarkuara të punës, kur ju kërkoni ta lini këtë përshtypje tek klientët. Për më tepër, parfumet e tillë e kanë edhe fuqinë e largimit të disa viteve nga supet tuaj.

PËRMIRËSOJENI HUMORIN TUAJ!

Parfumet, që për bazë kanë livandën, janë të njohur si qetësues dhe parfume që ndikojnë në përmirësimin e humorit tuaj gjatë ditës, si dhe gjatë natës. Andaj, shumë femra vendosin pak parfum me aromë livande në jastëkun e tyre, për të pasur më pas një gjumë të qetë.

(Kosova Sot Online)