A janë produktet pa përmbajtje vajore zgjidhja perfekte për lëkurën tuaj?

  • G.G /
  • 07 July 2022 - 10:46
A janë produktet pa përmbajtje vajore zgjidhja perfekte për lëkurën tuaj?

Femrat ëndërrojnë të kenë një çehre të freskët pa pasur nevojë të investojnë shumë kohë dhe përpjekje. Një detyrë kjo që është e vështirë por jo e pamundur për t’u realizuar. Për personat me lëkurë të yndyrshme, arritja e lëkurës së pastër është pak më tepër sfiduese. Nëse ky është rasti juaj, shanset janë që të keni shpenzuar shumë kohë duke kërkuar produktin që i përshtatet më së miri nevojave tuaja.

Industria kozmetike po punon vazhdimisht për të zbuluar risitë më të fundit në kujdesin e lëkurës. Vitet e fundit, ajo ka vënë theksin tek produktet pa përmbajtje vajore, të cilat mund të ndihmojnë në përmirësimin e gjendjes së lëkurës së yndyrshme dhe problemeve me aknet. Megjithatë, këto lloj produktesh nuk rezultojnë gjithmonë të duhurit. Përkundrazi, disa produkte mund të rrisin prodhimin e sebumit të lëkurës.

Të gjitha llojet e lëkurës, përfshirë ato të përziera dhe ato të yndyrshme, kanë nevojë për hidratim për t’u mbrojtur nga faktorët mjedisorë. Shmangia e kremit hidratues kur keni një lëkurë të yndyrshme është një gabim serioz dhe i zakonshëm.

Pra, çfarë duhet të bëni?

Ju duhet të gjeni një ekuilibër. Produktet pa përmbajtje vajore janë krijuar për të përmirësuar përkohësisht pamjen e lëkurës dhe për ta bërë fytyrën tuaj të duket më e ndritshme dhe më e pastër gjatë ditës. Megjithatë, ju duhet të përfshini vajra dhe hidratues në lëkurën tuaj për një lëkurë të shëndetshme.

Ndërsa disa njerëz mendojnë se përdorimi i produkteve astringente do të përmirësojë prodhimin e vajit, përdorimi i tepërt i këtyre llojeve të produkteve mund të shkaktojë dermatit të rëndë ose ekzemë.

(Kosova Sot Online)