Si të shijoni lumturinë?

  • E.K /
  • 24 August 2022 - 09:03
Si të shijoni lumturinë?

Sekreti i lumturisë nuk është të bëni atë që doni, por të doni atë që bëni. Lumturia shpesh është një gjë e vështirë për t’u arritur. Mendojmë se e kemi, por më pas na përvidhet. Psikologjia pozitive sugjeron se lumturia është një gjë e arritshme. Është rezultati i natyrshëm që marrim duke ndërtuar mirëqenien dhe duke kërkuar kënaqësinë në jetën tonë.

Hapeni zemrën për të tjerët | Asnjëherë nuk duhet të jeni shumë të zënë për punë. Mos prisni që t’ju buzëqeshin të tjerët të parët. Çlirohuni! Kur i flisni dikujt, flisni me zemër. Mos kini frikë se dukeni të brishtë dhe se do të shfaqni dobësitë tuaja. Afrojuni njerëzve me mirësjellje, me besim dhe pranim. Njerëzit që ju rrethojnë janë pasuria më e madhe që keni.

Vlerësoni atë që keni | Për të qenë me të vërtetë të lumtur, duhet të mësoni të vlerësoni gjërat e bukura që keni në jetën tuaj, pavarësisht nëse ju duken pa rëndësi. Ka shumë gjëra të jashtëzakonshme në ekzistencën tuaj, por shpesh nuk jeni fare të vetëdijshëm. Jeta juaj është një mrekulli. Mësoni të jeni mirënjohës për gjithçka që jeta ju ka dhuruar: miqtë, familjen, shëndetin, perëndimet e bukura të diellit, fijet e barit dhe të gjithë Universin. Falenderoni jetën për të gjitha këto gjëra që ju dhuron ditë pas dite.

Ndihmoni të tjerët | Ndoshta e keni përjetuar këtë gjë, por në jetë në mënyrë të paevitueshme merrni atë çka jepni. Kur injoroni, kur nuk e vrisni mendjen për problemet e të tjerëve, kur lini pas dore miqtë… pa dyshim do të vijë një ditë që do të mbeteni vetëm. Dhurojuani kohën tuaj të tjerëve, vendosni të keni një ndikim pozitiv në jetën e tyre, mbështesni ata që kanë nevojë: e gjithë dashuria dhe mirësia që do të jepni, do të tërheqin në jetën tuaj po aq dashuri dhe mirësi. Dashuria është rrethi i mrekullueshëm virtuoz, i cili mund të ndryshojë jetën tuaj.

Shmangni negativitetin | Përgjatë gjithë ekzistencës, vështirësitë dhe pengesat do të shfaqen në mënyrë të paevitueshme në rrugën e gjithësecilit. Ndryshimin e bën sjellja juaj, mënyra se si do të veproni përballë ngjarjeve të jetës. Mos lejoni që t’ju përfshijnë mendimet negative, por mësoni të zhvilloni mendime pozitive dhe të gjeni zgjidhje konstruktive. Gjërat e bukura ekzistojnë gjithmonë për ata që duan t’i shohin.

Shijoni momentin | Ky moment, ky çast, këtu dhe tani: e gjitha kjo është jeta juaj. Shijojeni! Çfarëdolloj gjëje të jeni duke bërë, pavarësisht rrethanave specifike, jini të pranishëm, jetoni çdo çast dhe vlerësojeni atë. Lexoni, shkruani, flisni me një mik apo koleg, bëni një dush, hani, ushqehuni, shëtisni, përqafoni njerëzit që doni: këto momente zënë pjesën më të madhe të ditëve tuaja dhe e gjitha kjo mund të jetë e mrekullueshme nëse do të dini ta jetoni, ta vlerësoni dhe ta shihni me sy mirënjohës. Aty ku ekziston vetëdija, ekziston edhe lumturia.

(Kosova Sot Online)