Kjo frikë e shtyn opozitën ta kundërshtojë përqendrimin e pushtetit absolut përmes kontrollit të tri shtyllave kryesore të shtetit

Kjo frikë e shtyn opozitën ta kundërshtojë përqendrimin e pushtetit absolut përmes kontrollit të tri shtyllave kryesore të shtetit
Kjo frikë e shtyn opozitën ta kundërshtojë përqendrimin e pushtetit absolut përmes kontrollit të tri shtyllave kryesore të shtetit

Idriz Zeqiraj

  • 20 June 2026 - 07:45

Shkruan: ANALISTI-Idriz Zeqiraj

Analisti Bodo Weber ka njohuri të thella për politikat në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë. Andaj, vlerësimet e tij janë të sakta, reale dhe pa ekzagjerime. Edhe pse qeverisjen aktuale të Albin Kurtit e cilëson si "relativisht autoritare", tendenca e tij për ta vendosur shtetin nën kontroll të plotë politik nuk është relative, por faktike. Kjo paraqet një shpërfaqje tipike të një qasjeje ideologjike moniste, e cila bie ndesh me frymën e kohës dhe me pluralizmin bashkëkohor politik.

 

-Që këtej buron edhe kriza e demokracisë me të cilën, mjerisht, vazhdon të përballet Kosova, madje për arsye krejtësisht subjektive.

Historia e gjysmës së parë të shekullit të kaluar në Gjermani dhe Itali dëshmon se politikat populiste, të shoqëruara me fjalime elokuente dhe premtime madhështore për krijimin e perandorive përmes pushtimit të shteteve dhe nënshtrimit të popujve, prodhuan autoritarizëm të fryrë artificialisht. Duke u matur me "hijen e mëngjesit", këto politika përgjakën botën dhe sollën tragjedi edhe për vetë popujt që i kishin përqafuar.

Shembulli krahasues mund të duket disi i ekzagjeruar. Megjithatë, autoritarizmi populist ka potencialin të prodhojë diktaturë brenda shtetit, në dëm të popullit të vet. Këtë e dëshmon edhe diktatura staliniste e Enver Hoxhës, e cila i mbajti shqiptarët nën represion për gati gjysmë shekulli.

Po ashtu, Qeveria e Përkohshme e Kosovës, e krijuar nën ndikimin e zyrtarëve social-komunistë nga Tirana, barti dhe aplikoi në Kosovë metoda të trashëguara nga sistemi komunist i Enver Hoxhës, duke i eliminuar kundërshtarët politikë si në aspektin politik, ashtu edhe në atë fizik.

Dhe, po të mos ishte prania e faktorëve ndërkombëtarë në Kosovë, shqiptarët, për shkak të kulturës ende të brishtë demokratike, do të rrezikonin ta pranonin dhe madje ta duartrokisnin diktaturën e "komandantëve" dhe të "gjeneralëve" të vetëshpallur.

Pikërisht kjo frikë, mjaft e bazuar, e shtyn opozitën ta kundërshtojë përqendrimin e pushtetit absolut përmes kontrollit të tri shtyllave kryesore të shtetit: Presidencës, Kuvendit dhe Qeverisë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".