Votat e mërgatës rezultuan të jenë vendimtare për lëvizjen e mandateve të deputetëve

Votat e mërgatës rezultuan të jenë vendimtare për lëvizjen e mandateve të deputetëve
Votat e mërgatës rezultuan të jenë vendimtare për lëvizjen e mandateve të deputetëve

Florim Zeqa

  • 20 June 2026 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Florim Zeqa

Votat me postë të diasporës e kanë ndryshuar matematikën e formimit të qeverisë në favor të LVV-së, por jo edhe të zgjedhjes së Presidentit/es! Për çka, kjo mbetet vetëm një fitore simbolike pa ndikim vendimtar në krijimin e shumicës, përkatësisht të 2/3-ve në Parlament! Humbja e mandateve për PDK-në dhe LDK-në konsiderohet me peshë të madhe për këto dy subjekte politike, të cilat kanë pritur ngritje më të lartë në tabelën elektorale!

 

-Përderisa PDK ka pritur ngritje më të madhe, LDK-ja ka pritur shumë më tepër se kaq; ka pritur dyfishim të votave pas rikthimit të Vjosa Osmanit, e cila, në fakt, mbetet humbësja më e madhe e këtyre zgjedhjeve!

As presidente dhe as kryeministre! Posti i deputetes është pak më tepër se humbje për një ish-presidente, e cila tashmë ka mbetur me kredibilitet të thyer në opinionin publik!

Humbja e deputetëve nga PDK dhe LDK do të thotë humbje e fuqisë negociuese me Lëvizjen Vetëvendosje dhe sinjal për trendet e rënies elektorale të këtyre dy subjekteve politike!

Në anën tjetër, partia e katërt, AAK, edhe pse nuk ka shënuar rritje enorme, ka arritur ta mbajë elektoratin e saj tradicional, por, përsëri, mbetet pa peshë në skenën parlamentare të Kosovës!

Votat e mërgatës, përkatësisht votat me postë, rezultuan të jenë vendimtare për lëvizjen e mandateve të deputetëve.

Tashmë është krijuar një realitet i ri zgjedhor, ku diaspora po fiton peshë gjithnjë e më të madhe në përcaktimin e balancave politike në Kosovë!

Megjithatë, 90 mijë vota të diasporës janë tepër pak në proporcion me numrin e madh të mërgatës sonë, e cila mund të bëjë ndryshim substancial në skenën politike kosovare, por jo duke mbështetur subjektet aktuale, por duke ofruar alternativa të reja qeverisëse për vendin tonë!

Ndryshe, në zgjedhjet e 7 qershorit fitoi bojkoti qytetar ndaj të gjitha partive politike!

Me mosdaljen e rreth 64 % të elektoratit në zgjedhje, u ndëshkuan të gjitha partitë pa dallim. Për çka, as LVV nuk ka arsye të mburret me votën e 36-shit, e lëre më të ngushëllohen partitë humbëse të zgjedhjeve!

Opozita e bashkuar jo vetëm që mund ta rrisë fuqinë negociuese me Albin Kurtin, por mund ta kushtëzojë këtë të fundit që të lëshojë pe, gjegjësisht të reflektojë për kompromis politik!

Në të kundërtën, nëse Albin Kurti e refuzon kategorikisht opozitën e bashkuar, atëherë hapet rruga për diçka tjetër!

Që i bie se, në rast të kundërshtimit autoritar nga Albin Kurti, opozita e ka të drejtën e kërkimit të ndihmës së bashkësisë ndërkombëtare për dalje nga ngërçi politik, ashtu siç kishte ndodhur me zgjedhjen e presidentes Jahjaga në vitin 2011 përmes zarfit famoz!

Kështu pra, pas bojkotit qytetar, vetëm një qeverisje gjithëpërfshirëse i shkon për shtati aktualitetit politik në Kosovë, kur asnjëra parti nuk e ka legjitimitetin e plotë për të qeverisur vendin me 36 % të votës elektorale kundrejt bojkotit prej 64 % të popullatës shqiptare në Kosovë!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".