Si të hiqni çamçakëzin nga xhinset me dy truke të thjeshta

  • E.K /
  • 11 October 2022 - 11:55
Si të hiqni çamçakëzin nga xhinset me dy truke të thjeshta

Sa herë që përmendet fjala çamçakëz, nuk mund të mos mendoni për shijen e mirë të tij, poçat e mëdha ose të vogla që nxirrni nga goja, këshillën e pakuptimtë që u jepnin prindërit ‘’Mos e çoni poshtë pasi do ju ngjisë zorrët’’, si dhe skenarin që nuk do ta donte askush: çamçakëz i ngjitur në veshjen tuaj të preferuar.

Pakujdesia, ndonjë ngatërresë e momentit apo dhe shakatë pa kripë që bëjnë disa njerëz në autobuzë ose fugonë, mund të kthehen në makthin e momentit. Qetësohuni, nuk ka asgjë për t’u shqetësuar pasi truket e mëposhtme do t’ju ndihmojnë të hiqni çamçakëzin brenda pak minutash duke mos e dëmtuar copën e rrobës.

Tashmë e njihni teknikën e ngrirjes, mund t’a rikujtoni duke klikuar në funksionet e panjohura të frigoriferit. Por, sot do të njiheni me dy të tjera shumë interesante dhe efektive.

1.Duke përdorur teknikën e ngrohjes: Ngrohni fillimisht njollën e çamçakëzit me tharëse flokësh derisa ajo të shkrijë plotësisht dhe të duket si pelte. Më pas kalojini sipër me hekur rrobash dhe hiqeni me ndihmën e një thike ose të çfarëdo lloj objekti me majë të mprehtë.

2.Me lëng limoni dhe uthull molle: Kjo është një teknikë e zbuluar rishtas në një video në youtube, por ka rezultuar shumë e suksesshme. Merrni lëng limoni të freskët ose uthulle molle dhe njomni plotësisht vendin ku keni çamçakëz. Lëreni të veprojë për të paktën 1 orë dhe më pas me ndihmën e një thike hiqeni atë duke patur kujdes gishtat dhe materialin e veshjes. Lajeni me ujë të ftohtë.

(Kosova Sot Online)