Ç’duhet të dini për rregullin e 10-vjeçarit: Ndryshoni jetën tuaj çdo dekadë

  • E.K /
  • 28 January 2023 - 09:26
Ç’duhet të dini për rregullin e 10-vjeçarit: Ndryshoni jetën tuaj çdo dekadë

Ju duhet të ndryshoni atë që bëni, ose si jetoni, çdo dhjetë vjet, sepse pengesa më e madhe drejt suksesit nuk është dështimi; është suksesi

Të paktën, kështu thotë shkrimtari dhe eksperti i lumturisë, Arthur Brooks.

Brooks ishte një muzikant për një dekadë në të njëzetat e tij; pastaj bëri një doktoraturë në ekonomi dhe dha mësim për 15 vite; më pas mori një punë si drejtues i Institutit jofitimprurës American Enterprise, për një dekadë.

Në vijim, pasi shkroi disa libra të njohur, u bë profesor i Harvard dhe guru i lumturisë.

Ai mund të kishte qëndruar në një pozicion si muzikant, njohës i ekonomisë apo profesor, por zgjodhi që gjatë gjithë këtyre viteve të bënte dhe të “bëhej” shumë gjëra.

Mjeku-studiues, David Sackett, i njohur si një nga themeluesit e lëvizjes “Mjekësia e bazuar në dëshmi” (EBM) në vitet 1970 dhe 1980, besonte se sapo të bëheshe ekspert në diçka, duhet të hiqje dorë. Arsyet e tij përfshinin faktin se ekspertët shpesh i kanë prodhuar idetë e tyre të reja shumë kohë përpara se të pranoheshin si ekspertë dhe pas ngritjes së tyre në detyrë/ekspertizë, e kalojnë pjesën tjetër të jetës duke mbrojtur idetë e tyre të mëparshme.

Ata nuk priren të ndihmojnë në përparimin e fushave; ndërsa të rinjtë që nuk janë ende ekspertë vijnë me ide të reja.

Përveç këtij arsyetimi, Sackett argumentoi se pasi të keni zotëruar një fushë, duhet të kaloni në një tjetër, e cila mund të rezultojë edhe më e rëndësishme dhe, ndonëse do të duket sikur një X profesion nuk do të ketë lidhje me një tjetër – në një pikë, ju do të kuptoni se ka një farë lidhjeje (connection) mes gjithçkaje.

Së fundmi, çdo gjë ka kohën e saj. Ka një kohë për të qenë ekspert në këtë; dhe një kohë për të qenë ekspert në atë tjetrën. Ju nuk keni nevojë të jeni ekspert në të njëjtën gjë përgjithmonë.

Nuk do ta dini kurrë, në fakt, nëse gjëja tjetër e mrekullueshme mund të ndodhë nëse nuk ndaloni së bëri gjënë e fundit të mrekullueshme, citon Anabel.

Sigurisht, nëse keni sukses me diçka që keni bërë për një ose dy dekada, mund të vazhdoni ta bëni atë dhe do të keni njëfarë sigurie që do të keni të njëjtin nivel suksesi për dekada të tjera. Dhe ndoshta kjo është gjithçka që dëshironi. Por ka arsye të mira për të menduar ndryshe nëse jeni të gatshëm të merrni pak rrezik dhe të jeni të hapur për shpërblime edhe më të mëdha. 

(Kosova Sot Online)