Gjashtë gabimet që bëni kur pastroni frigoriferin

  • E.K /
  • 31 May 2023 - 08:50
Gjashtë gabimet që bëni kur pastroni frigoriferin

Frigoriferi është pajisja kryesore shtëpiake në kuzhinën tonë, ndaj mbajtja pastër e tij nuk ka të bëjë vetëm me çështje estetike, por është e rëndësishme edhe për shëndetin, pasi ndikon tek ushqimet. Ai duhet pastruar si duhet pasi vetëm në këtë mënyrë sigurojmë që i gjithë ushqimi të mbetet i ngrënshëm, por edhe duke kursyer para për riparime ose për të blerë një të ri.

Ekspertët e pajisjeve elektrike vënë në dukje disa gabime themelore që bëjmë kur pastrojmë frigoriferin tonë dhe shpjegojnë se si t’i rregullojmë ato.

Ne nuk pastrojmë gomën e derës

Shiriti elastik që ngjitet në skajin e jashtëm të derës së frigoriferit dhe ngrirësit për t’u mbyllur siç duhet, ka nevojë për pastrim të rregullt, ashtu si pjesa tjetër e frigoriferit. Për ta pastruar na duhen: një furçë dhëmbësh e vjetër, uthull dhe ujë. Fillimisht e bëjmë masën duke përzier 1 lugë uthull në gjysmë gote ujë. Më pas zhytni furçën e dhëmbëve në përzierje dhe fshijeni gomën tërësisht. Në këtë mënyrë do të mund të heqim papastërtitë pa i shkaktuar dëme gomës.

Ne përdorim një leckë shumë të lagur

Kur pastrojmë brendësinë e ngrirësit, është mirë të mos e lagim shumë leckën ose sfungjerin tonë të pastrimit dhe të sigurohemi që të mos pikojë, në këtë rast nuk transmeton lagështi. Uji mund të formojë akull, i cili bllokon qarkullimin e ajrit dhe shkakton probleme ftohjeje.

Ne pastrojmë me kimikate të forta

Megjithëse kimikatet e forta janë efektive në dezinfektimin e sipërfaqeve, ato mund të lënë një erë të fortë, e cila absorbohet lehtësisht nga ushqimi ose akulli. Prandaj zgjidhja më e mirë për pastrimin e pjesës së brendshme të frigoriferit, thonë ekspertët, është përzierja e uthullës dhe ujit, siç e përmendëm më lart. Nëse do të heqim tërësisht sirtarët apo raftet, mund të përdorim edhe ujë me sapun në lavaman. Le të sigurohemi që t’i shpëlajmë dhe thajmë mirë përpara se t’i vendosim në vend.

Ne nuk pastrojmë menjëherë lëngjet që derdhen

Nëse presim shumë gjatë për të pastruar njollat ​​ose spërkatjet, mund të përfundojmë me shumë lagështi në frigoriferin tonë, gjë që mund të dëmtojë pajisjen tonë. Përveç kësaj, sigurisht që më pas pastrimi do të jetë një proces më i vështirë dhe që kërkon kohë.

Ne nuk i thajmë sipërfaqet pas pastrimit

Një mjedis i lagësht dhe i errët ofron kushtet ideale për rritjen e mykut. Kjo është arsyeja pse pas pastrimit sigurohemi që çdo pjesë e frigoriferit të jetë plotësisht e thatë.

Nuk e heqim spinën përpara pastrimit të thellë

Mos harroni se frigoriferi është një pajisje elektrike, ndaj kur e pastrojmë thellë dhe për këtë arsye përdorim shumë ujë, duhet ta heqim nga priza për të shmangur çdo rrezik.

(Kosova Sot Online)