Nuk ka sukses me filma e metrazhit të gjatë

  • 26 December 2016 - 08:32
Nuk ka sukses me filma e metrazhit të gjatë

Medoemos duhet të ndryshojnë politikat e QKK-së.

"Kosova në radhë të parë po dështon në bërjen e filmave që si temë, si ngjarje dhe si realizim do të plotësonin kriteret profesionale, duke qenë origjinale dhe reprezentuese të realitetit në të cilin ka kaluar Kosova. Defekt tjetër i shëmtuar është se këto vite pothuajse kanë qarkulluar të njëjtët njerëz që u janë ndarë mbështetje derisa u vlerësua bazamenti që është skenari", ka thënë Azemi.

Mosarritja e filmave kosovarë të metrazhit të gjatë për të hyrë në mesin e filmave të nominuar për të qenë pjesë e garës së çmimeve prestigjioze të kinematografisë amerikane, "OSCAR", është komentuar në mënyra të ndryshme nga kineastët tanë. Sipas tyre, janë një sërë faktorësh që 'stopojnë' nominimin e filmave kosovarë për çmimet "OSKAR", si koha e shkurtë që kur është lejuar propozimi, prodhimtari a paktë dhe jokonkurrenca, politikat aspak të mira të QKKsë për mbështetje të filmbërësve, të metat e filmave, sidomos në aspekti artistike, etj. Por, para së gjithash, sipas tyre, mospërfshirja e filmave tanë në garë me filmat e tjerë për garën "OSCAR" në kategorinë e filmave të huaj nuk mund të merret si dështim, duke marrë parasysh rrethanat që kanë karakterizuar zhvillimet kinematografike të Kosovës dhe konkurrencën e ashpër që përballen filmat në këtë garë të madhe. Megjithatë, sipas tyre, filmbërësit kosovarë kanë shumë punë për të bërë deri tek përballja me kolegët e tyre të huaj në arenën e "OSCAR-it". Sipas kritikëve, së pari duhet të gjenden temat tërheqëse, pastaj të bëhen realizime artistike për të qenë konkurrentë me kinematografinë botërore.

Përzgjedhja e aktorëve me preferenca politike apo familjare Për producentin dhe aktorin Avni Azemi, përveç dëshmimit të filmave kosovarë për t'u nominuar për çmimet "OSCAR", Kosova në radhë të parë dështon në bërjen e filmave të denjë për këtë garë ndërkombëtare. "Kosova në radhë të parë dështon në bërjen e filmave që si temë, si ngjarje dhe si realizim do të plotësonin kriteret profesionale, duke qenë origjinale dhe reprezentuese të realitetit në të cilin ka kaluar Kosova. Defekt tjetër i shëmtuar është se këto vite pothuajse kanë qarkulluar të njëjtët njerëz që u janë ndarë mbështetje derisa u vlerësua bazamenti që është skenari", ka thënë Azemi, duke shtuar se edhe arsye tjetra pse s'e kemi ende një film që do kishte sukses në festival. Sipas tij, tashmë dihet se përzgjedhja e aktorëve gjithmonë bëhet me referenca politike ose familjare dhe nuk ka konkurrencë të mirëfilltë dhe përzgjedhje të duhur të aktorëve që më së miri do të portretizonin personazhet. "Mendoj që komisioni duhet të jetë autoritar dhe i pavarur në bërjen e këtyre ndryshimeve, në mënyrë që të kemi film të mirë dhe konkurrues në tregun ndërkombë- tar", ka thënë Abazi.

Investimet sipas klaneve Ndërkaq, regjisori Besim Ugzmajli nuk e sheh si dështim mosnominimin e filmave kosovarë për çmimet "OSCAR". Sipas tij, kinematografia kosovare sa ka filluar hapat e parë drejt sukseseve ndërkombëtare. "Mendoj që nuk është dështim mosnominimi për Oscar, kur kemi parasysh garën tepër të madhe. Kosova është në fillimin e rrugës së saj drejt sukseseve reale në kinematografi, mosnominimi nuk dmth që është ndonjë dështim kur flasim për OSCAR", ka thënë Ugzmajli. Ai ka thënë se për të pasur rezultate më të mëdha, atëherë medoemos duhet të ndryshojnë politikat e QKK-së, siç ka thënë ai, nga politikat mediale shterpe, në punë konkrete me të talentuarit e Kosovës. Regjisori Ugzmajli ka thënë se QKK-ja jo çdoherë përkrah regjisorë potencialë dhe se ata nuk e kanë kuptuar ende logjiken që investimi klanor thjesht nuk do prodhojë kurrë vlera reale. "Disa regjisorë dhe regjisore që fitojnë janë shumë të mirë, por në shumë raste potenciali real kinematografik margjinalizohet qëllimisht nga QKK-ja, dhe rrjedhimisht mungojnë rezultatet reale", ka thënë ai. 

(Kosova Sot)