Një shqiptar në rolin E ADEM JASHARIT - Kulturë - Kosova Sot
Një shqiptar në rolin E ADEM JASHARIT

Një shqiptar në rolin E ADEM JASHARIT

KINEMATOGRAFIA KOSOVARE DUHET TË BASHKËPUNOJË ME KINEMATOGRAFINË BOTËRORE LIDHUR ME FILMIN PËR KRYEHEROIN

Kryeziu: Aktorët shqiptarë janë tejet të talentuar dhe mund t'i përballojnë çfarëdo sfide profesionale

"Besoj që nuk është keq që bëhen debate, dhe padyshim që ka aktorë shqiptarë që mund ta luajnë Ademin Jasharin, Skënderbeun, etj. Por nuk jam i sigurt nëse ka regjisorë, skenaristë, që mund ta bëjnë një film si duhet për këto figura madhështore", ka potencuar regjisori Ben Apolloni për gazetën "Kosova Sot"

Kinematografia kosovare sa më shpejt duhet ta bëjë një film me kryeprotagonist heroin Adem Jashari. Kjo tashmë është një kërkesë e pakalueshme dhe rolin heroit mund ta luajë një aktor shqiptar. Kështu kanë thënë në një prononcim për "Kosova Sot", kineastë, kritikë dhe krijues kosovarë. Sipas tyre, pavarësisht debateve intensive që po zhvillohen se a mund ta luajë një aktor serb rolin e heroit apo jo, është bërë mirë që po diskutohet bërja e një filmi të tillë. Sipas tyre, shteti dhe kineastët duhet të 'shtrëngohen' dhe të nisin punën të bëjnë një film, duke sugjeruar edhe bashkëpunime me partnerë ndërkombëtarë. 

Sulmet serbe 

Regjisori Luan Kryeziu, në një prononcim për 'Kosova Sot", ka thënë se i gëzohet faktit që njerëzit debatojnë dhe diskutojnë rreth këtyre çështjeve, por shqetësuese, sipas tij, mbetet propaganda serbe, viktimë e të cilave kanë rënë me qëllim apo pa vetëdije edhe disa portale tona. "Fill pas deklarimit tim se unë kam kundërshtuar aktorin serb për të interpretuar rolin, kanë filluar sulmet e medieve serbe kundër meje, duke e shtrembëruar lajmin dhe duke i dhënë kuptim të kundërt. Unë mendoj që aktori serb në fjalë edhe po t'i plotësonte kriteret profesionale nuk do të kishte arsye logjike, etike e morale që një serb të interpretojë rolin e një personazhi kundër të cilit ai ka luftuar. Por, gjithsesi ai nuk i plotëson kriteret profesionale për këtë rol, si psh: mosha, ritmi dhe dinamika e karakterit, eleganca interpretuese etj.", ka thënë ai, duke shtuar se si regjisor mendon që ka aktorë shqiptarë, të cilët pa marrë parasysh rrethanave në të cilat gjenden, janë shumë të talentuar dhe mund t'i plotësojnë kriteret për të interpretuar role të mëdha. "Nuk dua të flas tani për politikat e produksionit dhe distribucionit të filmit, por është e vërtetë që aktorët shqiptarë janë tejet të talentuar dhe mund t' i përballojnë çfarëdo sfide profesionale", ka thënë Kryeziu, duke shtuar se po përmend politikat e produksionit dhe distribucionit për të mos përjashtuar mundësinë e interpretimit të rolit nga një yll i kinematografisë botërore.

Brenda kornizave ballkanike 

Edhe regjisori Ben Apolloni, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se debati që ka shpërthyer lidhur me mundësinë kush mund ta luajë rolin e heroit, dhe a është aktori serb, Rade Sherbexhia i duhuri, ka thënë se debatet janë të dobishme, duke ngre pikëpyetjen nëse do të kishte regjisorë apo skenaristë që do të mund të bënin një film për Jasharin. "Besoj që nuk është keq që bëhen debate, dhe padyshim që ka aktorë shqiptarë që mund ta luajnë Ademin Jasharin, Skënderbeun, etj. Por nuk jam i sigurt nëse ka regjisorë, skenaristë, që mund ta bëjnë një film si duhet për këto figura madhështore", ka potencuar Apolloni. Por, për kritikun Ilir Muharremi s' do të kishte gjë të keqe që rolin heroit ta luante aktori serb. "Edhe Rade Sherbexhia po ta luajë s' do të ishte keq, pasi skenaristi dhe regjisori është shqiptar dhe filmi bazohet në jetën e vërtetë të Ademit. E mira e kësaj është se Rade e promovon filmin në Hollivud dhe bota e shohin sakrificën e vërtetë të Ademit. Kurse nëse do ta luante aktori shqiptar filmi do të mbetej brenda kornizave ballkanike", ka pohuar ai.

"Unë kam dhënë idenë që të ftohen aktorë të gjitha trevave shqiptare, sepse ka aktorë që mund të luajnë rolin e Ademit dhe rolet e tjera, ka dhe regjisorë, por jam skeptik në skenarist të mirë. Në vend të aktorëve të huaj do të propozoja të ftohen regjisorë dhe konsulentë filmash ndërkombëtarë", ka pohuar për gazetën "Kosova Sot", krijuesi Mahir Morina, duke shtuar se filmi ka rëndësi të bëhet mirë, jo patjetër të bëhet shpejt, 30- vjetori i Epopesë le të jetë premiera e tij

Ndërsa krijuesi Mahir Morina, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se ideja e realizimit të filmit tashmë është një nevojë shtetërore, dhe jo vetëm artistike, por duhet pasur shumë kujdes në bërjen e tij. Pasi, siç ka thënë ai, është figura e vetme shqiptare për të cilën bëhet film duke u bazuar në incizimet e tij dhe jo vetëm në foto dhe rrëfime. Realizimi i filmit dhe gjetja e personazheve e aq më shumë personazhit kryesor, shton Morina, nuk duhet të bëhet me diskursin e deklaratave, por të njohjes artistike, e cila ndikon direkt në prezantimin sa ma të përafërt, përndryshe rrezikohet që filmi të zhgënjej. 

(Kosova Sot)

 

8 orë e 14 minuta më parë
12/12/18