Çabej, figura qendrore e studimeve shqiptare

  • 13 April 2019 - 09:25
Çabej, figura qendrore e studimeve shqiptare

Shkruan: Ajete Zogaj

ÇABEJ DHE NJOHURITË E TIJ TË GJITHANSHME E kanë quajtur: Njeri me etikë të lartë njerëzore e shkencore, atdhetar e dijetar i shquar, mjeshtër i metodës, shkencëtar i madh, emri i të cilit nga vitet e 60-ta ishte bërë sinonim i autoktonisë shqiptare.

Çabej, ky kolos i studimeve albanologjike, gjuhësore, etnografike, mitologjike, nga fusha e folklorit dhe historisë, letërsisë e përtej fushave të shkencave shoqërore, është një gurrë frymëzimi e studimi i brezave ndër gjenerata. Puna e tij studimore shumëdimensionale është dhe do të mbetet motivim për breza të tërë studiuesish e hulumtuesish të gjuhësisë, letërsisë, historisë dhe fushash të ndryshme të shkencës dhe dijes albanologjike dhe jo vetëm.

Çabej dhe puna e tij shkencore, është vështruar, studiuar e hulumtuar nga studiues të shumtë, në këndvështrime të ndryshme, duke ndriçuar secili prej tyre pjesë të punës e studimeve të tija të çmuara shkencore. Në vazhdën e këtyre studimeve, është studiuesja e përkushtuar, prof. dr. Nexhmije KASTRATI, që në librin e saj studimor "Studimet e Eqrem Çabejit për letërsinë" për herë të parë na sjellë një studim të çmuar shkencor, të përimtuar e të shestuar deri në detaje, Eqrem Çabejin ndryshe: Në një rrafsh studimor pak të hulumtuar e studiuar deri më tani tek ne - atë të letërsisë. Pra, kontributin e Çabejit në studimet e tij për letërsinë shqipe. Librin e veçon puna shumëvjeçare e studiueses, prof. dr. Nexhmije KASTRATI, në hulumtimin e një literature të shumtë, të gjithë korpusit shkencor të Çabejit, në pothuajse të gjitha interesimet e studimeve të tij. Edhe pse, autorja, synim kryesor të këtij libri shkencor ka studimet e Çabejit për letërsinë, studiuesit e ardhshëm dhe të gjithë ata që dëshirojnë të merren me studimin e punës shkencore të Çabejit, në këtë libër studimor do të gjejnë më mirë se në asnjë studim tjetër, në mënyrë të argumentuar shkencore: dijetarin erudit, studimet e së cilit me kalimin e kohës vetëm sa do ta rrisin vlerën dhe do të jenë gjithnjë e më të çmuara. Prof. dr. Nexhmije KASTRATI, në parathënien e librit potencon se "Objekti i këtij studimi monografik janë studimet, artikujt dhe shkrimet e tjera të prof.

Eqrem Çabejit për letërsinë shqiptare dhe vështrimet kritike të tij për autorë të veçantë [....]. Studimet e Çabejit shquhen jo vetëm për thellësinë e vështrimit, shpesh duke hyrë thellë në mugëtira të historisë, por edhe për gjerësinë[....]. Në hullinë e këtij synimi, çështja e parë që shtrohet këtu, është vënia në dukje e faktit që Eqrem Çabej është figura qendrore shqiptare e studimeve në fusha të shkencave të albanologjisë. Ai për më shumë se një gjysmë shekulli, u mor intensivisht me studimin e gjuhës shqipe, sidomos në fushë të historisë së gjuhës e të etimologjisë [...]",(N. Kastrati, faqe:11-13). SHUMANËSIA E STUDIMIT TË ÇABEJIT NË FUSHËN E LETËRSISË Libri studimor i prof. dr. Nexhmije KASTRATIT, është i sistemuar në kapitujt: Eqrem Çabej, figurë emblemë e kulturës shqiptare; Metoda kulturo-historike në studimet e Çabejit; Eqrem Çabej, studiues i kulturës shqiptare; Pikëpamjet e Çabejit për letërsinë; Pikëpamjet dhe vërejtjet e Çabejit mbi poezinë popullore; Studimet e Çabejit për letërsinë;

Çabej për romantizmin në Evropën lindore e juglindore; Romantizmi në letërsinë shqiptare; Romantizmi në Shqipëri; Çabej për poetë të tjerë shqiptarë; Çabej për epikën e Gjergj Fishtës; Çabej dhe probleme të periodizimit të letërsisë shqiptare - Mbi 'qarqet kulturore e literate' dhe Autorë të tjerë dhe botime të veçanta mbi studimet e Çabejit. Kundruar nga përmbajtja e kapitujve të këtij libri, gjithsesi që të nxisin kureshtjen ta lexosh me shumë kujdes, madje ta lexosh me laps në dorë, për të mbajtur shënime përcjellëse (por, është e vështirë për të lënë diçka pa shënuar) ngase autorja i ka kushtuar shumë kujdes secilës fjalë e secilit mendim të shtjelluar në këtë libër. LIBËR QË KËRKON LEXUESIN E PËRZGJEDHUR Mbase, duke lexuar dhe analizuar përmbajtjen e këtij libri, mund të konstatojmë se, jo të gjithë lexuesit mund t'i qasen shkencërisht interpretimit dhe vlerësimit të tij. Ky libër sikur është shkruar për lexuesin e përzgjedhur, për studiuesin e përkushtuar ndaj studimeve gjuhësore e letrare, apo thënë me ndryshme, lexuesi i këtij libri, duhet të ketë njohuri fushash të ndryshme shkencore për të kuptuar dhe thelluar edhe më tej njohuritë për njërin prej figurave më të rëndësishme të letërsisë e gjuhësisë shqiptare,

qrem Çabejin. Duke analizuar kapitujt e këtij studimi, gjejmë trajtimin e argumentuar, për dukuri e probleme nga fusha e gjuhësisë, pastaj letërsisë popullore, etnografisë e studimeve historike, siç e thotë autorja "Çabej prodhimin letrar, si atë popullor ashtu edhe atë artistik, e shihte në një lidhje të ngushtë me zhvillimet historiko - kulturore, por edhe gjeografike e politike të popullit shqiptar [...], prandaj që në fillim të këtij studimi Çabej, do të thoshim, vinte në dukje pikërisht këto lidhje të pashkëputshme e të vazhdueshme brenda një konstatimi të thukët se "Prodhimi letrar i një populli nuk mund të kuptohet pa njohjen e historisë së tij, po historia shpeshherë është rezultati i së dhënave gjeografike, influenca e formimit tokësor dhe natyrës së vendit mbi jetën dhe mbi veprimet e banorëve", (faqe, 85) Për studiuesen KASTRATI, Çabej në studimet e tij, një vend të rëndësishëm i kushton njësisë së kombit, duke sjellë edhe shembuj, si: " E bardha është ngjyrë kombëtare e veshjes shqiptare. Veçanërisht kësula e bardhë është ajo, e cila, me gjithë ndryshimet e formës, të rrjedhura nga fisi (Kosovë, Dibër, Shqipëri e Mesme, Myzeqe, Labëri etj.) e dallon Shqiptarin nëpër gjithë Ballkanin. Ngjyra rrjedh nga lesht' e bardhë të dhenve, me të cilët popullsia baritore i end vetë teshat e saja" (faqe, 91). Theks i veçantë i këtij libri studimor, është trajtimi i letërsisë në korpusin letrar e shkencor të Çabejit. Në libër janë trajtuar studimet Çabejit për shkrimtarë të dalluar të Rilindjes Kombëtare dhe autorë bashkëkohorë si: Jeronim De Rada, Naim Frashëri, Gavril Dara i Riu, Zef Serembe,

Gjergj Fishta, Lazgush Poradeci, etj. Autorja KASTRATI, në këtë studim, përdor një metodë thellësisht shkencore, me shumë fakte e të dhëna, duke hulumtuar literaturë të begatë, por edhe duke ditur ta sistematizoj në mënyrë të argumentuar gjithë dijet e këtij kolosi të shkencës shqiptare, si dhe një gjuhë të pasur më shumë fjalë e shprehje të reja të cilat janë begati e kolorit gjuhësor.

(Kosova Sot)