Artisti i madh Muharrem Qena, i harruar nga institucionet kosovare

  • 13 April 2019 - 17:53
Artisti i madh Muharrem Qena, i harruar nga institucionet kosovare

NJERËZIT E MËDHENJ I SHTYPIM DERISA JANË GJALLË, PASTAJ KUR VDESIN THURIM KËNGË PËR TA

Qena do të vlerësohet kur të ndryshojë skena politike dhe kur t'u rikthehet dinjiteti njerëzve të kulturës

"Nuk është vetëm ky rast, ka edhe raste, si me Faruk Begollin, Bekim Fehmiun e shumë të tjerë. Artistët e zotë ikin nga ky vend dhe arrijnë vetë në shtete të jashtme. Është mëkat të përbuzet një artist si Muharrem Qena, i cili vërtet është meritor. Ai ishte i afirmuar në Kosovë, në Shqipëri si dhe në shumë vise të tjera ku ka shqiptarë. Edukimi parësor dhe i rëndësishëm për shqiptarët tanimë është media dhe interneti. Sigurisht do të duhet të ecim në këtë linjë, por kemi harruar dhe sakrifikuar leximin e librave", thotë për gazetën "Kosova Sot", shkrimtari e kritiku Ilir Muharremi.

Toka e Kosovës u ka falur shqiptarëve artistë të nivelit botërorë, të cilët përgjatë rrugëtimit të tyre punuan shumë që zëri i kulturës shqiptare të dëgjohej përtej kufijve. Rast tipik mbetet artisti i kompletuar Muharrem Qena, një nga themeluesit e skenës teatrore dhe muzikës argëtuese shqiptare. Muharrem Qena u lind në qytetin e bukur të Mitrovicës, derisa talentin prej regjisori, aktori, shkrimtari dhe këngëtari e dëshmoi me veprat e tij të veçanta dhe origjinale. Opusi i tij numëron më se 200 shfaqje teatrale, derisa këngët "Mallëngjimi", "Kaçurrelja" "Oj, Hanë", e shumë të tjera, mbetën perla të muzikës shqiptare. Duke mos harruar, shpërblimet e shumta lokale e ndërkombëtare që e radhisin artistin më të mirënjohur kosovar. Me "Ervehenë" e autorit Ahmet Qirezi(1932), mori 5 shpërblime kryesore në Festivalin e Steries - Novi Sad (1967), ngriti skenën teatrore të Kosovës në piedestal. Regjisor i shumë dramave, e filmave dokumentarë e televizivë. Muharremi ishte nismëtar i punës së teatrove në Prizren, në Gjakovë dhe në Gjilan. E, me gjithë këtë punë kolosale as për të gjallë, e as tani post mortum, institucionet kosovare nuk morën mundin ta nderonin me ndonjë titull, për ta respektuar emrin e tij.

VOKSHI: QENA, ASNJËHERË NUK U VLERËSUA ME NJË ÇMIM MERITOR

Në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", njohësja e çështjeve kulturore Violeta Vokshi, ka shprehur brengën se një figurë e një artisti të mirëfilltë në të gjitha profilet e artit shqiptar u harrua apo më mirë të themi u injorua nga institucionet kosovare."Si shumë artist të tjerë të cilët dhanë kontribut të çmuar në fushën e artit dhe kulturës shqiptare, ashtu edhe i madhi Muharrem Qena, asnjëherë nuk u vlerësua me një çmim meritor, për punën dhe kontributin e tij të pakrahasuar në këtë fushë. Është për të ndjerë keqardhje deri në pafundësi, se si për njërin ndër themeluesve të skenës teatrale dhe të këngës argëtuese shqiptare, kulti i tij të harrohet nga institucionet kosovare!Është ky doajeni i muzikës argëtuese shqiptare, këngët e të cilit u interpretuan në frymën bashkëkohore dhe lanë mbresa tek shumë breza", është shprehur ajo. Sipas saj, një figurë e një artisti të mirëfilltë në të gjitha profilet e artit shqiptar u harrua apo më mirë të themi u injorua nga institucionet kosovare.

MUHARREMI: ËSHTË MËKAT TË PËRBUZET NJË ARTIST SI MUHARREM QENA

Në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", shkrimtari Ilir Muharremi ka potencuar se arsyet apo shkaqet e këtij realiteti të shoqërisë janë injoranca, përqafimi i gabuar i pozitivitetit të perëndimit, e kaluara , ku çdokush kishte një mendim dhe ide mbi çdo gjë, mentaliteti i thashethemnajave dhe gojëligave, që na karakterizon dhe pëlqen aq shumë. "Kjo shoqëri po jeton në injorancë të madhe. Jeton me thashetheme dhe gojëdhëna. Shoqëria shqiptare e vonuar në përballjen me modernizimin e zhvilluar po keqpercepton dhe keqpërqafon, tanimë në shumë aspekte, antivlerat, të cilat i trajton dhe i sheh fatkeqësisht si vlera jetike. Arsyet apo shkaqet e këtij realiteti të shoqërisë janë injoranca, përqafimi i gabuar i pozitivitetit të perëndimit, e kaluara , ku çdokush kishte një mendim dhe ide mbi çdo gjë, mentaliteti i thashethemnajave dhe gojëligave, që na karakterizon dhe pëlqen aq shumë. Mungesa e iniciativave dhe këmbënguljes për të shkuar dhe kapërcyer tej kufijve, duke sfiduar atë që kemi apo atë që njohim dhe mos mjaftohemi me dijen, por të hulumtojmë për të zhvilluar veten nëpërmjet saj", ka theksuar Muharremi për gazetën "Kosova Sot". Sipas tij, ne njerëzit e mëdhenj i shtypim derisa janë gjallë, pastaj kur vdesin thurim këngë për ta. "Nuk është vetëm ky rast, ka edhe raste si me Faruk Begollin, Bekim Fehmiun, e shumë të tjerë. Artistët e zotë ikin nga ky vend dhe arrijnë vetë në shtete të jashtme. Është mëkat të përbuzet një artist si Muharrem Qena, i cili vërtet është meritor. Ai ishte i afirmuar në Kosovë, Shqipëri si dhe në shumë vise të tjera ku ka shqiptarë. Edukimi parësor dhe i rëndësishëm për shqiptarët tanimë është media dhe interneti. Sigurisht do të duhet të ecim në këtë linjë, por kemi harruar dhe sakrifikuar leximin e librave. Burimet e informacionit i përdorim thjesht për të mbushur kohën dhe jo për të zhvilluar informacionin e vlefshëm, kur ai është i saktë dhe i sigurt, duke e përpunuar atë, për ta përdorur në të mirë të vetes dhe të shoqërisë", është shprehur Muharremi për gazetën.

BUKUROCA: MUHARREM QENA DO TË VLERËSOHET, KUR NDRYSHON SKENA POLITIKE

Në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", shkrimtari Lis Bukuroca ka deklaruar se kur në një shoqëri ndodhin rrëshqitje tektonike, sa inteligjencia zëvendësohet nga idiokracia, atëherë aty jo se nuk ka kulturë, por nuk ka as norma morale!"Elita politike e shoqërisë shqiptare lufton për karrierë, për mbijetesë politike, për pushtet dhe për pasurim. Një klasë e tillë politike nuk është normale të mendojë për kulturën, edhe pse ka Ministri të Kulturës. Kultura është fushë e gjerë, që ata nuk e përkapin dhe nëse nuk sjell përfitime materiale, ose vota, për ta nuk ekziston. Mund të merret me mend se pjesa dërmuese e tyre nuk lexon një libër në muaj. Thjesht, kur në një shoqëri ndodhin rrëshqitje tektonike, sa inteligjencia zëvendësohet nga idiokracia, atëherë aty jo se nuk ka kulturë, por nuk ka as norma morale!Muharrem Qena do të vlerësohet, kur ndryshon skena politike dhe kur i rikthehet dinjiteti njerëzve të kulturës, që sot janë shndërruar, disa prej tyre, në paterica të idiokracisë, ose janë dëbuar nga ajo. Nuk duhet të dëshpërohemi: pas të ligës zakonisht pason e mira, por edhe anasjelltas", është shprehur ai.

Armend Preteni

(Kosova Sot)