Studim thellësor në perspektivën e këndvështrimit ndryshe

  • 14 prill 2019 - 08:52
Studim thellësor në perspektivën e këndvështrimit ndryshe

Shkruan: Alush Avduli

Tanimë me mungesën e dyshimit guxoj të pohoj se “Tronditjet shpirtërore si mesazhe poetike’’ studim i Anton Nikë Berishës për poezinë e Agim Matos, si i pazakontë rrëshqet drejt veçimit. Është virtyti i leksikut erudit, estetik e filozofik që përparon për fanitjen e përhumbur tek ardhmëria. Veças krijuesit e vërtetë nuk e njohin krahasimin.

Të gjithë bashkë ngjajnë me sahate të paqëllimtë që gjithkush vështron orën e tij dhe në peshore si dinjitoze dalin pa peshë. Po ku ta dinë mendjet e paajrosura se në poezi numrat nuk numërojnë, metrat nuk matin dhe aq më keq lavdërimet në brohorimë nuk lavdërojnë.

Po të dritësosh pak vëmendjen këto i kundron edhe në këtë studim të Anton Nikë Berishës, të miqësuar tejet me alkiminë e shpirtit poetik të Matos, me humnerat dhe hapësirat e tij farfuritëse ku shpërfaqet poezia - pulëbardhë flatëruese, eterike, si dritë që nuk njeh shuarjen. E çlirët, ndjeshmëri e brishtë kaotike si copëz përjetësie. Në rënien e tiranisë kërkon plagët e saj.

Si përrethësi e poetizuar në çdo metër katrore është gjerësi e pamatë, tingëlluese, vegimtare në universalizmin e lirisë. Në nivele të epërme absolute e copëzuar, errësirë e zhvirgjëruar nga vezullimi flakërues, pllenuese e vazhdimeve. Anije e dehur me aventurën e lundrimit në pabregzim. Furi e një ligjërimi strukturor, në tronditje, dalldi e ritëm. Risike deri në vdekjen e së shkuarës. Fjalët gjallërojnë, lëvizin, përthyhen, provokojnë, manifestojnë në ngritje vibruese nga dëshira për të përfshirë gjithçka.

Në betejë: cilësia kundër sasisë. Edhe pse e vetmuar si “Shkretëtirë Harrimi’’ arrin të çlirojë një energji magjepse tejet drithëruese. Demiurg kaq i rrallë si Agim Mato përherë në befasime spirale e fshehin të padukshmen tek dukshmëria. Këto ndjesi keni për t’i gjetur edhe më shumë në meditimin e përkorë të profesor Anton Nikë Berishës, në filologjinë e tij kaq të begatë, që është bërë njëjtësi me Poetin, për të thënë se një vepër madhore tani ka mbërritur, ndaj nuk mund të zhbëhet më. Në këtë libërth është thellësia e një koshience transcendentale në perspektivën e këndvështrimit ndryshe, që vëzhgon, këlthet e në esencën e vet thadron vlerat e natyrshme, format e realitetit narrativ, të vagullta e marramendëse...

Larg puritanizmit tradicional, manierave dhe pozimeve inferiore nga huazimet, botën e tij diturake ngjyrosur me filozofimin sa të ndjerë e ftillues, e lavdëron vetëm mrekullia e kënaqësisë estetike.

(Kosova Sot)