Erza Muqolli me vargjet e Naim Frashërit në Parlamentin e Ontarios

  • 22 nëntor 2019 - 08:56
Erza Muqolli me vargjet e Naim Frashërit në Parlamentin e Ontarios

“Ti Shqipëri më jep nder”, janë vargjet e Naim Frashërit që sot jehuan në Parlamentin e Ontarios në Kanada, vargje këto të interpetuara nga ylli shqiptar Erza Muqolli me këngën “Fillim”, që e ka të përfshirë në albumin e saj të parë solo.

Këngëtarja shqiptare Erza Muqolli, e njohur për audiencën ndërkombëtare si një yll francez po merr pjesë në Kanada, ku Shoqata e Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze me mbështetjen e deputetit konservator Lorne Coe, organizon ceremoninë e përvitshme për të nderuar Muajin e Trashëgimisë Shqiptare në Ontario, të shpallur me ligj 3 vjet më parë, ngjarje kjo e realizuar me një përkushtim të madh nga Ruki Kondaj.

Para një audience të madhe, shqiptaro- kanadeze, ku kanë marë pjesë edhe nga Ambasada e Kosovës në Kanada, Erza Muqolli ka kënduar disa nga këngët e albumit të saj. Në kuadër të Muajit të Trashëgimisë Shqiptare, komuniteti shqiptar në Ontario ka organizuar nëpër vite shumë ngjarje kulturore, ku po në Parlamentin e Ontarios kishte kënduar edhe sopranoja e njohur shqiptare Inva Mula, kurse këtë vit, organizatorët kanë ftuar këngëtaren e re Erza Muqolli, e cila po shënon një sukses të madh në botën e muzikës.

(Kosova Sot Online)