Kiçi dhe arti në Kosovë

  • A.P /
  • 23 April 2021 - 21:27
Kiçi dhe arti në Kosovë

Vepra e artit është e bukur ndonëse përceptohet nëpërmjet shpirtit dhe a ka rëndësi se pse vepra është e bukur? Natyrisht që jo. Nëse i rrekemi të gjejmë kuptimin dhe arsyen e bukurisë atëherë te bukuria gjejmë formën sepse e keqja është e pa formë, andaj forma na duket neve e bukur. Kjo si shkak dhe pasojë i një mungese. Pse shpirti e veçon të bukurën? Sepse vet është i sinqertë, i pastër dhe i bukur. Mirëpo, prapë përcaktimi na ngritë dilema se kjo formë abstrakte në pikturë, ose reale, apo gjeometrike, ekspresive, poentiliste... është e bukur vetëm për mua apo për të gjithë? Në çdo bukuri që ka formë, ka edhe hapësirë për ta gjykuar. A duhet ta gjykojmë bukurinë? Ajo nuk gjykohet por përjetohet. Pse antika është e bukur për të gjithë ne? Kjo nuk ka fare rëndësi. E rëndësishme është vetëm të ndjehet bukuria.

Dikush kishte me thënë që arti e imiton natyrën, imiton vetveten, përkthen me terma ngjyrore shpirtin e kështu me radhë. Jo. Bukuria e artit gjërave memece u jep shpirt, pra të verbërin e shëron, memecin e bën të flasë, natyrën e plotëson. Vetë Platoni artin e bën si materie, diçka materiale, tokësore sepse plotësimi sipas tij është arti. Por, jo, arti qëndron përtej kësaj, është më i thellë se çdo pikëpamje materiale p.sh Peizazhi i krijuar me një të kuqe të fortë, pastaj i shoqëruar me portokalli atje në sfond dhe duket sikur ngjyrat po luftojnë njëra me tjetrën, pra krijohet një lojë shpirtërore e jo pamje e bukur materiale tokësore.

Grekët nuk gabojnë kur e lartësojnë artin deri në dehje, ekstazë dhe delirë. Gjatë frymëzimit, pra parapërgaditjes së nxitjes shpirtërore dhe çlirimit të shpirtit nga qenia për t’u bërë pjalmë , ngjyrë dhe formë, vet njeriu ndjehet si banor i një planeti tjetër, pra tenton të shkëputet nga graviteti i brishtë tokësor. Lirimi nga këto kthetra është arti i tij personal.

Arti rivalë kryesor e ka Kiçin, antiartin, të pashijen, kopjimin bastardues, stil tashmë ekzistues dhe lakmues nga masa e madhe e njerëzve. Ky term shpesh shfrytëzohet edhe për t’iu referuar çdo lloj arti që vlerësohet se i takon shijes së keqe dhe prodhohet në mënyrë komerciale. Ndonëse etimologjia e këtij termi është ende e pasigurt, ekziston një pajtueshmëri e gjerë se ai vjen nga tregjet artistike të Munichut, në vitet 1860 dhe 1870, ku ka shërbyer për t’i përshkruar pikturat dhe skicat e lira të cilat kanë qenë shumë të popullarizuara në atë periudhë.

Disa ndër veprat më të rëndësishme për kiçin janë : "Pesë Fytyrat e Modernitetit : Modernizmi, Avant-garde, Dekadenca, Kiçi, Postmodernizmi", nga Matei Calinescu, "Kiçi dhe Arti", nga Tomas Kulka, si dhe "Kiçi-Bota dhe Shija e Keqe", nga Gillo Dorfles, në të cilin gjendet esetë antologjikë: "Fenomenologjia e Kiçit" nga Ludëig Giesz dhe "Kiçi" nga Hermann Broch.

Ky problem është serioz dhe shumë i pranishem te shija e popullit tonë. Arsye është se pikutrat kiç, kopje, të printuara në letër (reprodukimit) me kornizë të argjendë dhe shtresë të xhamit, bëhet si formë e plotësuar e bukurisë, pra depërton deri në shqisat më të thella shpirtërore të popullit tonë. Si p.sh motive nga peizazhet natyore të një stili realist klasik, pra fotografi, pastaj portrete realiste të piktorëve të mëdhenjë gjithmonë të shtypura e të printuara. Kur afrohesh ta ndjesh aroman e bojës, ta shikosh lëvizjen e penelit, ose t’i ndjesh dritë-hijet, ti ballafaqohesh me një fotografi të shtypur e cila ngulfatë komplet këto të përmendura. Ky Kiç u prodhua u afirmua gjithmonë te ne. Ishte edhe më herët, gjithmonë ka zënë vend dhe është varri që përdhos çdo vlerë, çdo mund të piktorëve të strukur nëpër atelietë e tyre që më djersën dhe mendjen derdhin ngjyrën dhe shpirtin. Ky kiç rreshtohet nëpër muret e pasanikëve, intelektualve dhe masës së ndryshme, pra është një traditë e keqe ndaj shijes origjinale të artit.

Për ta luftuar këtë Kiç, artistët a duhet ta imponojnë shijen origjinale, shpirtërore të tyre apo t’i përshaten shijës së popullit, pra të krijojnë atë çfarë e kërkon populli? Ose artisti promovon shijen dhe pas shijes së tij bashkangjitet i tërë populli. Populloi mësohet përmes artit origjinal të sinqertë të gjykoj çdo vlerë të mirëfillitë dhe origjinale. “Kiçi është një magjepsje e pavetëdijes kolektive, një urdhër i vuajtjes metafizike, një kërkesë sociale e përhershme, një forcë”, shkruan Milan Kundera.

Ilir Muharremi, kritik i artit

(Kosova Sot Online)