'Qeni terrorizoj qytetin' - Kur frika shitet më mirë se faktet

'Qeni terrorizoj qytetin' - Kur frika shitet më mirë se faktet
'Qeni terrorizoj qytetin' - Kur frika shitet më mirë se faktet

Gezim Mekuli

  • 15 April 2026 - 16:07

Nga Gëzim Mekuli

Kur për një kafshë shkruhet se «ka terrorizuar një qytet», problemi nuk është kafsha; Problemi është gazetaria.

Në mbulimet mediatike të sulmeve të rralla të qenëve endacak në Prishtinë, Tiranë a Shkup, media shqiptare ka zgjedhur një gjuhë që luan me ndjenjat e frikës në vend të saktësisë.

Në mediat shqiptare dëgjojmë dhe lexojmë shprehje të tilla sikurse kjo: «ka terrorizuar», përdoren për një qen a këlyshe të vogël endacake, të uritur e të keqtrajtuar, që kjo e shkretë ndjek instinktet e saj mbrojtëse nga njeriu agresiv.

Fjalia e gazetarisë shqiptare (qeni ka terrorizuar një lagje apo një qytet) nuk është vetëm e pasaktë; por edhe e shtrembëron realitetin.

Pse e them këtë e përse mendoj kështu, të nderuar lexues,

E them këtë dhe mendoj kështu sepse «terror» është një shprehje që përshkruan dhunë të qëllimshme për të përhapur frikë, gjak e dhunë në popullë. Të përdorësh fjalën terror për një klysh qeni nuk është gazetari e saktë. Është dramatizim e stërzmadhim; dhe dramatizimi e stërzmadhimi kanë pasoja.

Kur mediat zgjedhin gjuhë të ngarkuar me frikë dhe panikë për problemet me qentë endacak, ato kontribuojnë aktivisht në krijimin e një fotografie të qenëve (dhe shtazëve në përgjithësi) si një kërcënim të përditshëm për njerëzit dhe për popullin në përgjithësi, në vend që të informojnë për realitetin.

Kjo frikë bie në kontrast të fortë me faktet. Qeni është një kafshë e dashur dhe shumë sociale. Sulmet ndaj njerëzve janë jashtëzakonisht të rralla, dhe ngjarje të tilla duhen kuptuar në dritën e sjelljes natyrore dhe kushteve të jetesës së kafshës së shkretë; jo përmes titujve frikësues e dramatizues.

Të dashur lexues,

Ky marifet i gazetarëve shqiptarë nuk krijon vetëm frikë të panevojshme, por ndikon edhe në debatin publik për menaxhimin e qenëve endacak. Kur rrëfimet emocionale dominojnë, bëhet më e vështirë të zhvillohet një debat i bazuar në njohuri shkencore. Rezultati është një retorikë gjithnjë e më e ashpër, ku nuancat dhe kuptimi mbi kafshët zhduken.

Detyra e gazetarisë është të informojë, të shpjegojë dhe të vendosë ngjarjet në kontekst. Jo të përforcojë frikën për të nxitur klikime. Kur intereset ekonomike ndikojnë dhe drejtojnë përdorimin e gjuhës publike, dobësohet besimi ndaj mediave si institucion publik.

Jetojmë në një vend ku qentë janë, tashmë, nën dhunë të madhe. Prandaj mbi mediat bie një përgjegjësi e veçantë për të përdorur një gjuhë të saktë dhe të matur. Po ua rikujtoj, fjalët formojnë qëndrime dhe qëndrimet formojnë politikën. Dhe në këtë rast, nuk është qeni që vendos kushtet; janë mediat.

Kjo nuk ka të bëjë me minimizimin e asaj që ndodhë në ndonjëherë në rrugët e Prishtinës, Shkupit apo të Tiranës; Ka të bëjë me kërkesën dhe nevojën për një gazetari më të mirë: Më pak propagandë frike. Më shumë fakte. Dhe një gjuhë që përputhet me realitetin.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".