
Homazh për maestron Kujtim Alija - Mjeshtër i madh

Të shkruash për profesorin e brezave të tërë I cili kultivoi me aq dashuri e pasion këngën tek fëmijët të cilët sot janë emra në skenën muzikore shqiptare është tejet e vështirë. Të gjesh fjalët e duhura që të ngushëllosh bashkëpunëtorët e shumtë të njeriut që shkriu një jetë të tërë në ngritjen e festivalit marëkombëtar të Shkodrës poashtu është e pamundur. Kujtim Alija ishte simbol i dirigjimit, muzikës dhe jetës artistike shqiptare. Kam patur fatin që të jem pjesë e festivalit në Shkodër që u drejtua me dekada nga mjeshtri i madh Alija dhe fitues i disa edicioneve si autor i këngëve.
Kam patur fatin që bashkërisht i dhamë ngjyrë profesionale shumë aktiviteteve kulturore siq ishte festivali “Ardhmëria” në Deçan ku maestro Alija dha kontributin e tij. U takuam për herë të fundit në fetsivalin e 59-të të Shkodrës ku u festua edhe 60 vjetori i lindjes së tij. Aty patëm rast të ulemi më tryezën e rrumbullakët ku pati diskutime të shumta nga emra eminent të artit për këngën e fëmijëve dhe problemet në muzikën e sotme. Maestro Kujtimi, i qeshur gjithmonë, optimist për ngjarjet dhe evenimentet shqiptare dhe largpamës me ide e vizione. Ndonëse i rënduar nga shëndeti përcillte dhe nuk i ikte asnjë detaj rreth organizimit dhe mbarëvajtjes së edicionit të fundit të festivalit.
Maestro, nuk e besoj akoma që vetëm pak ditë nga mesazhi që më dërguat privatisht e ku më uronit për sukseset e Ansamblit, çmimin e parë në Bullgari dhe shprehnit gëzimin e madh që ky institucion ka krijuar imazhin artistik tashmë me qendër në Shkup, keni ikur fizikisht nga kjo botë. Dita e sotme është e trishtë për mijëra fëmijë të cilët tek ju shihnin shpresën. Dita e sotme është e trishtë për të instrumentistët që i drejtonit me aq mjeshtri në formacione të ndryshme muzikore. Dita e sotme është e trishtë për qytetarët e Shkodrës tek të cilët kishit fituar një respekt të jashtëzakonshëm. Dita e sotme është e trishtë për familjen e posaqërisht vajzën që ishte aq e lidhur me ju.
Maestro, ne nuk dot të themi kurr lamtumirë! Ti do të jesh me ne përmes veprës së jashtëzakonshme që le pas vehtes dhe aktiviteteve të shumta që mbajnë vulën tuaj!
Në emër të Ansamblit Nacional të këngëve e valleve popullore shqiptare në RMV do të bëj këtë homazh përkujtimi në ditën më të vështirë për komunitetin artistik duke mos gjetur fjalët e duhura ngushëlluese për humbjen që po ndjejmë.
Ti ishe dhe ngelesh modeli shembullor në artin muzikor shqiptar që vazhdove me aq dashuri rrugën e krijuesve të muzikës shqiptare si Cesk Zadea, Tish Daia, Martin Gjoka, Palok Kurti, Simon Gjoni dhe një plejade të aristëve të jashtëzakonshëm shkodran që vunë bazat dhe themelet e muzikës shqipe.
Arti shqiptar do të ndjehet përjetësisht borgjli ndaj asaj që i dhuruat muzikës, kulturës, popullit e kombit!
Me nderime e përkulje
Shkodran Tolaj, miku juaj
Drejtor i Ansamblit Nacional të këngëve e valeve popullore shqiptare në RMV
27.08.2021 Shkup
(Kosova Sot Online)