Mes jetës dhe vdekjes

  • A.P /
  • 16 January 2022 - 13:26
Mes jetës dhe vdekjes

Po bëhesha shumë keq”, - ia ktheva. “Po, e po tani jam unë e sëmurë dhe më duhet t’i anuloj të gjitha klasat, sepse e bëj në brekë.”, - ma ktheu ajo, derisa ma hodhi qesen me drogë në fytyrë. Nuk kisha forcë as dorën ta ngritja, e lëre më të merresha me Marinë. “Po përpiqem shumë të bëj diçka.”, - tha ajo. “Thjesht dua të rri në shtëpi ta shijoj divanin tim dhe efektin e tij.”, - pëshpëriste në vete Mari. Ajo po dridhej, mori një lugë e mbushi me pak drogë dhe me shkrepsë e nxente lugën përfundi, derisa droga u bë lëng. Qante dhe vetëm qante. Më dhimbsej pse e kisha futur në këtë rrugë edhe Marinë. “Nuk mundem, nuk mundem, nuk mund ta bëjë. A mund të më ndihmosh?”, - bërtiti ajo. “Në rregull është zemër, në rregull.”, - ia ktheva dhe iu afrova, e shtrëngova, derisa flakërimat e dritës shpërthenin në trupin e saj.

Unë i shtrëngoja nofullat. “Është në rregull. Këtu lidhe krahun.”, - i thashë, derisa ia lidha krahun dhe e mbusha shiringën me drogë, por mezi ia gjeta një damar të freskët, për ta mbushur me lëngun e drogës. U shtri në divan dhe unë lehtësisht e putha në faqe. U afrova afër saj, e mbështeta kokën te krahu i saj dhe i mbylla sytë. Më doli gjumi. Gjendja e Marisë keqësohej. Mezi merrte frymë, bënte ca lëvizje me kokë majtas e djathtas. Nuk dija se çfarë të bëja. Sillesha rreth dhomës, ajo nuk përmirësohej. E thirrja në emër, po ashtu ia dhashë ca shpulla. Ajo i humbi komplet ndjenjat. Nuk i hapte sytë. E thirra ambulancën, u vonua një çikë, por erdhi."

Fragment nga romani "Ti" i Ilir Muharremit.


(Kosova Sot Online)