Nga libri  “Ilir Konushefci, simbol i bashkimit dhe i trimit dardan” (M.H.)

  • G.G /
  • 15 April 2022 - 23:40
Nga libri  “Ilir Konushefci, simbol i bashkimit dhe i trimit dardan” (M.H.)

Nga libri  “Ilir Konushefci, simbol i bashkimit dhe i trimit dardan” (M.H.)

(KAPITULI VIII) 

Sylejman SELIMI

(bashkëluftëtar, ish-ambasador i Kosovës në Shqipëri /2011-2013/ dhe  gjenerallejtënant i UÇK-së):

ILIRI DHE HAZIRI, DY GJENERALË TË LOGJISTIKËS SË UÇK-së 

Ilir Konushefci e Hazir Malaj janë dy nga martirët e armatës së 2017  të dëshmorëve të UÇK-së. Më shumë se kaq, ata ishin dy gjeneralë, që ngritën me shumë mundime logjistikën e luftëtarëve të lirisë në kushtet e betejave të përgjakshme kundër okupatorëve serbo-jugosllavë.

Qysh në luftimet e hershme të çlirimtarëve, Ilir Konushefci ishte pagëzuar me gradën e lartë gjeneralmajor dhe merrej me zgjidhjen e problemeve të logjistikës së Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Ndërkaq, Hazir Malaj, një mjek i talentuar nga Bajram Curri i Tropojës, ishte bërë pjesë e strukturave të çlirimtarëve qysh ditët e para, kur doli në skenë UÇK-ja. Të bashkuar në këtë mision, ata drejtuan e menaxhuan në kushte shumë të vështira tërësinë e operacioneve, që kishin të bënin me krijimin e depozitave logjistike për luftëtarët e lirisë dhe repartet e tyre në front në Kosovë. Në qoftë se Iliri ishte menaxheri i këtyre depozitave në vendet perëndimore, prej nga sillte në vijimësi armatime, municione, ushqime, uniforma ushtarake dhe pajisje aparaturash për komandim drejtimi, Haziri bënte grumbullimin dhe adresimin e tyre në rrugë të sigurta nga Shqipëria në Kosovë, madje në vijën e frontit të UÇK-së. Për të gjithë ushtarakët e lartë të Shtabit të UÇK-së dhe komandantët e zonave operative, kontributi i tyre ishte një garanci për vijimësinë e luftimeve përballë okupatorëve militarë serbë. Edhe detyra e mbrëmjes së 8 Majit 1998 ishte pjesë e këtij misioni. Ata pritej të sillnin furznizime të mëdha nga një korridor i ri, që sa e kishim çelur në kufirin midis Tropojës dhe Kosovës.

Rrugëtimet dhe lëvizjet e Ilirit ishin të fshehta, sikur edhe  të shumë të tjerëve, që operonin në terren në favor të luftës së UÇK-së. Kontaktin e parë, Iliri e kishte  pasur me Hazirin me të cilin udhëtuan natën nga Tirana në Tropojë. Po me sa duket, dikush i kishte hetuar lëvizjet e tyre dhe kishte organizuar pritën në zonën e shkëmbit të Miliskkajës, në afërsi të Liqenit të Fierzës. Aty do të bëhej edhe ballafaqimi fatal. Ata, dy luftëtarë të nderuar e të lavdishëm, përballë një dyzine kriminelësh të paguar nga UDB-ja e Millosheviqit, si dhe nga qarqe antishqiptare, luftuan dhe qëndruan burrërisht deri në çastet e fundit. Pas tri  orësh dyluftimi, do të mebeteshin aty në krye të rrugës, si për t’u thënë kalimtarëve që ta çonin më tej amanetin e tyre për lirinë e Kosovës.

Edhe më heret, Iliri ishte pagëzuar me gradën e gjeneralit. Ai ishte një nga liderët e parë të organizimit të lëvizjes çlirimtare në Kosovë. Po, gradën e lartë e përligjte edhe më shumë, sidomos gjatë kohës kur iu besua dhe kreu detyrën e komandantit të logjistikës së UÇK-së. Djem e luftëtarë si ai, Kosova i ka pasur të rrallë.

Ndërkaq, Haziri, ai mjek zemërgjerë e human i qytetit të Bajram Currit iu bashkua armatës së luftëtarëve të lirisë qysh në fillimin e reagimeve luftarake të bijve të Kosovës ndaj makinës ushtarake të Slobodan Milosheviqit.  Ai me mënyrën e vet, gjeti rrugët e komunikimit me drejtuesit e frontit dhe mori përsipër të siguronte në Tropojë tërësinë e furnizimeve që dërgoheshin në Kosovë në rrugë ilegale. Ky pozicionim i tij, pa dyshim që do ta çonte në rrugën e bashkëpunimit me njeriun që  kishim ngarkuar ne me misionin e logjistikës. Dhe, pas kontakteve të para, ata do të vazhdonin të operonin bashkërisht me një frymë vëllazërore, çka do t’u garantonte edhe sukses në kryerjen e detyrave të vështira, si dhe në prapavijë të forcave kundërshtare.

Pikërisht për këtë arsye, gjatë asaj periudhe, ne i quanim të dy gjeneralë. Ishin dy gjeneralë, që garantonin logjistikën e luftimeve, armatimet, municionet, ilaçet, uniformat, ushqimet dhe paratë. Duhet të kesh qenë pjesëmarrës në ndonjë lufë të vërtetë, që ta kesh të qartë rolin e njerëzve që kontribuojnë për kët sektor jetik dhe shumë të rëndësishëm. Për më tepër, në kushtet e luftës në Kosovë, si dhe veçoritë që paraqiste situata e rendit në atë periudhë në zonën e Tropojës, e cila ishte nyja kyçe e komunkimit  të luftëtarëve me shtetin amë.

Me këtë rast, desha të përsëris thënien e bashkëluftëtarit tim të UÇK-së, martirit  të Kosovës, Bahri Fazliu, i cili ka lënë këtë amanet për dëshmorët e lirisë, të shprehur në këto vargje:

“Jo lotë për dëshmorët,

Jo lule mbi varret e martirëve,

Jo vizita në familjet e tyre,

Nëse doni t’i nderoni dëshmorët,

Vazhdoni rrugën e tyre…”

Ky është amaneti i tyre. Ata, këtë presin, që gjaku dhe sakrificat e tyre të bëhen pjesë e investimit për t’i kthyer Kosovës lirinë e shumëpritur.

__________________

( Fragmente nga Intervista dhënë gazetës “Panorama” të Tiranës.  Ribotuar në gazetën “Kosova Sot” të Prishtinës, 10 maj, 2006, f. 8)

Ramiz LLADROFCI

 (bashkëluftëtar, ish-ambasador në Tiranë):

ILIRI ISHTE LUFTËTAR ME ARMË, LUFTËTAR ME MENDJE, LUFTËTAR ME ZEMËR, LUFTËTAR ME GJITHË FAMILJEN E TIJ

Në Akademinë Përkujtimore të mbajtur në Tiranë, më 8 maj 2015, të organizuar nga kryeministri i qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa, në shenjë të 17-vjetorit të rënies dëshmor të Ilir Konushefcit dhe Dr. Hazir Malës, ku morën pjesë  bashkëfamiljarë, bashkëluftëtarë dhe përfaqësues të tjerë të  qeverive të Tiranës dhe të Prishtinës, ndër të tjerët foli, edhe i Ngarkuari me Punë në Ambasadën e Kosovës në Tiranë, Ramiz Lladorfci ( vëllai i heroit Fehmi Lladrofci), i cili e çmoi lart figurën e ushtarakut dhe të komandantit  të UÇK-së, Ilir (Halit) Konushefci, duke nënvizuar se “ Gjeneralmajor Ilir Konushefci ishte njëri  ndër themeluesit e  lavdishëm të UÇK-së,  luftëtar me armë, luftëtar me mendje, luftëtar me zemër, luftëtar me të gjithë familjen e tij.

 

“Gjeneral Ilir Konushefci ishte njëri ndër ata djem që nisën këtë rrugë të vështirë por, që nuk kishte rrugë tjetër. Ai ishte njëri ndër luftëtarët e parë të Zonës Operative të Llapit, zona e lavdishme ku spikatin emrat e: Afrim Zhitisë, Hasan Ramadanit, Ali Ajetit, Fahri Fazliut, zonë ku ishte ngritur Çeta e Parë e Llapit. Iliri ishte bashkëluftëtar i denjë i Zahir Pajazitit, komandantit të lavdishëm dhe anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm… Gjithashtu, Ilir Konushefci  ishte bashkëluftëtar i Adem Jasharit dhe i Luan Haradinajt, Mujë e Ardian Krasniqit, Hakif Zejnullahut e Edmond Hoxhës, ai ishte bashkëluftëtar i gjithë Grupit të Drenicës…  Ndaj, Qeveria e Kosovës do të ketë gjithnjë obligimin themelor për nderimin e veprës së heronjve dhe të dëshmorëve dhe se do të përkulet gjithnjë me nderim para emrit, veprës dhe jetës së heroit tonë, Ilir Konushefci dhe mjekut Hazir Malaj. “

Tiranë, më 8 maj 2015

( http://www.ambasada-ks.net/al/?page=1,8,160 )

(Kosova Sot Online)