Fitorja historike e Ansamblit Nacional të këngëve e valleve popullore shqiptare në festivalin 'Duna Carneval'

  • A.P /
  • 14 June 2022 - 17:31
Fitorja historike e Ansamblit Nacional të këngëve e valleve popullore shqiptare në festivalin 'Duna Carneval'

Ansambli Nacional i këngëve dhe valleve popullore shqiptare në RMV muaj të tërë është përgatitur për pjesëmarrjen në festivalin prestigjioz ndërkombëtar “Duna Carneval” apo “Karnevalet e Danubit” që u mbajt nga data 4 deri me 10 Qershor 2022! Maratona e paraqitjeve të ansamblit shqiptar paraqiste shumë sfida: 1. prezantimin në nivel sa më të lartë profesional të trupës sonë përballë ansambleve me 65 vjet përvojë, 2. prezantimin e shtetit tonë përballë shteteve të mëdha, të fuqishme dhe me kulturë tepër të zhvilluar përfshirë këtu: Portugali, Meksikë, Itali, Bullgari, 3.prezantimin e kulturës sonë kombëtare dhe në veçanti të koreografive që për sytë e Europës dhe Ballkanit janë të papara, në veçanti : Reka, Prespa, Kërçova 4. vërtetimin e një pune vetëmohuese gjatë dhe pas një viti të rëndë pandemik në një institucion të ri që funksionon vetëm dy vite e gjysëm! Me këto qëllime të qarta nisëm udhëtimin pas mesnatës së 3 Qershorit me tërë trupën që kishin punuar fort për një sukses të merituar! Me 5 qershor u zhvillua defile në qytetin e Budapestit, një qytet mikëpritës e i bukur! Nga të gjitha anët e qytetit dëgjoheshin fjalët: - Uaaaa die Albaner, - O Zot Shqipet e Maqedonisë, - Kakvi prekrasni i chudesni tancyori , - Isten hozott Magyarorszagon. Veshjet e zonës së Kërçovës ishin tejet karakteristike për edicionin e 27- të të “Duna Carneval” .

Pas defilesë është luajtur “Trashëgimtarët e Uskanës” koreografi e Artan Ibershimit. Prezantimi i dytë i suksesshëm i Ansamblit Shtetëror Shqiptar në festivalin e 27-të “Duna Carneval” në Budapest.

Nata e dytë me 6 Qershor ishte e rezervuar për vallen ultra- teknike “Vallja e paqes” , koreografi kjo e Robert Nuhës! Në pikëpamjen e vështirësisë teknike dhe efekteve të mesazhit që bart në vete, padiskutim që zgjoi interes të jashtëzakonshëm. Dy instrumentistët Driton Beqiri e Arbër Tairi ekzekutuan instrumental në violinë e klarinet. Befasi për të pranishmit ishte ekzekutimi i instrumentistit Vullnet Neziri, i cili si rrallë në ansamble tjera ka sjellur instrumental në Obo “Këngën e rinisë” një prej perlave të muzikës sonë “evergreen”. Më pas,instrumentistët Shkëqim Jahi në harmonikë dhe Argjira Çollaku në flautë kanë plotësuar mozaikun e kësaj paraqitje plot laramani ngjyrash muzikore. Pas “Sazeve të Ohrit” dhe “Fustanin që ta solla mbrëmë” nën ritmet e muzikës karakteristike të jugut ka vazhduar "Vallja e jugut" dhe "Vallja e Prespës" të koreografit Genc Kastrati, pikërisht në natën e dytë me kolorit të ngjyrave muzikore dhe kostumeve tona kombëtare! Prezantimi i tretë me radhë i Ansamblit Shqiptar në “Duna Carneval” në Budapest filloi me "Vallen e Karadakut", vazhdoi me “Erdh pranvera”- instrumentale me klarinet ekzekutuar nga Driton Beqiri. Në frymën e këngës popullore e të vjetër qytetare ka vazhduar programi me këngën e njohur të Musa Piperkut “Këngë moj”. Malësorja e Lorenc Antonit ka krijuar atmosferë të jashtëzakonshme. Programi u mbyll me vallen karakteristike dhe unike të Kërçovës. Programi i larmishëm, përgatitja në nivel të lartë nga trupa, laramania në përzgjedhjen e programit, kolorit kostumesh janë elementet që përshkuan prezantimin e tretë të Ansamblit Shqiptar me datë 7 Qershor! Pas këtyre tre netëve kur juria profesionale kishte marrë një vlerësim të përgjithshëm për të gjitha ansamblet, data 9 Qershor ishte e rezervuar për garë në mes ansambleve kur juria profesionale do të jepte verdiktin final dhe do të shpallte shtetin fitues!

Natyrisht që impenjimi ishte i jashtëzakonshëm e emocionet të rralla! Ansambli Nacional Shqiptar nga RMV në këtë garë jo rastësisht hyri me dy koreografi “Vallja e Rekës” e koreografit Dilaver Kryeziu me kostumet aq karakteristike e të bukura të asaj zone që për herë të parë e shkundi nga pluhuri i harresës ansambli shqiptar! Natyrisht që pikat maksimale ishin për këtë valle dhe me po të njejtin nivel u paraqit dhe vallja e dytë “Nga Tetova deri në Dibër” nga koreografi Artan Ibershimi! Pas prezantimit të të gjitha ansambleve, nata e 9 Qershorit kurorëzoi ansamblin tonë me çmim të parë dhe me çmim special për solistët më të mirë djem! Derisa anëtarët e jurisë ishin të gjithë në këmbë, publiku duartrokiste pandërprerë për drejtorin e Ansamblit, z.Shkodran Tolaj, për koordinatorin e marrëdhënieve ndërkombëtare Amir Mamuti, për organizatorin Fevzi Edipi, korepetitorin Agim Bafti, për secilin vallëtar e instrumentist ishte moment i papërshkrueshëm! Moment historik, Maqedonia e Veriut për herë të parë fiton në këtë festival pas 27 vitesh traditë! Kryetari i jurisë- drejtori i ansamblit shtetëror të Hungarisë shprehet “diçka e tillë, e një niveli kësisoj për herë të parë na vjen në shtetin tonë”. Fitorja u festua me datë 10 qershor në mbrëmjen Gala ku ansambli në shenjë respekti ekzekutoi “Valleb hungareze nr.5” nga Johanes Brams dhe koreografinë “Vallja e Rekës”. Pas prezantimit të programit përshëndetës në Natën Gala artistë nga e gjithë bota kanë festuar bashkë me artistët e Ansamblit Shqiptar nga RMV. Kthimi në Maqedoni u bë pas shumë orësh rrugëtim të entuziazmuar e të lumtur për suksesin e arritur.

Pas mesnatës së datës 11 Qershor trupën e priti Sekretari Shtetëror z.Rami Qerimi i cili në emër të Ministrisë për Sistem Politik e Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive përgëzoi artistët për këtë arritje të jashtëzakonshme.

Bashkë me të ishte edhe zëvendësministri i transportit z.Bekim Rexhepi. Ansambli shtetëror shqiptar nga RMV falënderon mbi 25.000 shikues që kanë ndarë bashkë me ta momentin e fitores, falënderon mijëra artdashës, miq që kanë uruar në adresë të ansamblit, të gjitha mediat që janë partner i vlefshëm në promovimin e vlerave tona të përbashkëta kombëtare! Fitorja u takon artistëve, bashkëpunëtorëve, publikut dhe mediave! Bashkërisht drejt sukseseve të radhës!

(Kosova Sot Online)