Ahmeti: Albin Kurti po ndërhyn në punët e brendshme të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut

  • A.P /
  • 10 January 2024 - 19:16
Ahmeti: Albin Kurti po ndërhyn në punët e brendshme të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrimin në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po ndërhyn në punët e brendshme të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

“Po ndërhyn në punët e brendshme të shqiptarëve në Maqedoni”, ka thënë Ahmeti në Top Story.

“Edi Rama nuk ka ndërhyrë në punët e brendshme të organizmit politik në Maqedoni, ka bërë përpjekje për t’i afruar partitë në Maqedoni, unë jam falënderues, mirënjohës për këtë qasje, nuk kemi shprehur patriotizëm, as emocional dhe patriotik, jemi dakorduar me Pendarovskin me partinë Lidhja Social Demokrate, i kemi dhënë përkrahje, mund të bëjë një lojë një teatër, por e dimë që në fund nuk ka fitues”, tha Ahmeti.

Ai ka thënë se është pyetur nga ndërkombëtarët lidhur me vendimin e kryeministrit Albin Kurti për përfshirjen e tij në situatën politike në Maqedoninë e Veriut.

Duke pasur parasysh përfshirjen e Kurtit atje, Ahmeti thotë se ndërkombëtarët i kanë thënë se si shpjegohet kjo, kur Kurti ankohet se Vuçiq po bën aktivitete politikë në Kosovë?

Megjithatë, Ahmeti pohon se “kështu e ka demokracia”.

“Unë nuk e di që ka regjistruar parti, e di që shumë nga komuniteti ndërkombëtar kanë shprehur interesim për çfarë arsye z.Kurti ka nevojë të mbajë parti politike në Maqedoni, por tani kjo është demokracia. Më kanë vendos në një situatë goxha të vështirë, po mirë atëherë pse z.Kurti ankohet kur Vuçiq bën aktivitete politike në Kosovë. Si na shpjegoni ju ne këtë punë, më kanë lënë gati edhe pa tekst me shumë pyetje”, tha Ahmeti

(Kosova Sot Online)