Përmbyllet Talia e Flakës: Ismet Azemi shpallet aktori më i mirë i festivalit

  • 29 January 2016 - 15:13
Përmbyllet Talia e Flakës: Ismet Azemi shpallet aktori më i mirë i festivalit

Me shfaqjen “Kandili i Argjandit” të Teatrit “Migjeni” nga Shkodra, mbrëmë në Gjilan është mbyllur Festivali i Dramës Shqipe, si pjesë e rëndësishme e manifestimit “Flaka e Janarit”, që këtu mbahet prej 25 vitesh, në nderim të heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të kombit, të rënë përgjatë rrugëtimit shekullor për liri e mëvetësi, raporton korrespondenti nga Gjilani i gazetës 'Kosova Sot Online'.

“Talia e Flakës” është mirëpritur si zakonisht në Gjilan, por kësaj here ka ndodhur diçka që ka befasuar edhe aktorë te mëdhenj të teatrit, të cilët kanë kaluar një jetë nëpër skenat shqiptare dhe të huaja. 

Juria profesionale, në përbërje:  Drita Begolli, aktore dhe regjisore, Milto Kutali, regjisor dhe Bajrush Mjaku, aktor, ka ndarë edhe shpërblimet. Çmimi për aktorin më të mirë iu nda Ismet Azemit (“Karramel”), kurse aktorja më e mirë në rolin kryesor u shpall Aurita Agushi (“Luftë në kohën e dashurisë”).

Çmimi për rolin dytësor i është ndarë aktorit Bujar Lako (“Kush e solli Doruntinën”), ndërsa për aktoren më të mirë ne rol dytësor u shpërblye Driada Matoshi. Për tekstin më të mirë u nderua Doruntina Basha (“Gishti”).

Përndryshe, gjatë shtatë netëve të kaluara, në kuadër të Festivalit të Dramës Shqipe u dhanë shfaqjet “Jetë me qira” e Teatrit të Gjilanit, “Kush e solli Doruntinën” e Teatrit “Aleksandër Moisiu”- Durrës, “Mendje djallëzore” e Teatrit “Istref Begolli” – Pejë, “Lufta në kohën e dashurisë” e Teatrit “Multimedial” – Prishtinë, “Ushtari i dy luftërave” nga Teatri “Dodona”, “Karamel” nga Teatri i Ferizajt, “Gishti” nga Teatri Kombëtar i Kosovës dhe “Kandili i Argjandit” e Teatrit “Migjeni” – Shkodër.

(Kosova Sot)