AKAD. PROF. DR. ZYMER UJKAN NEZIRI U ZGJODH ANËTAR I RREGULLT EDHE NË AKADEMINË E SHKENCAVE DHE TË ARTEVE TË EVROPËS

Intelektuali ynë i njohur, akad. prof. dr. Zymer Ujkan Neziri, studiues i Institutit Albanologjik të Prishtinës dhe profesor universitar, u zgjodh anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Evropës, me seli në Salcburg, në mbledhjen e Senatit, më 28 korrik 2025.
E themeluar në vitin 1990, Akademia përbëhet nga 2,000 anëtarë që vijnë nga 70 vende të botës, si dhe ka 38 laureatë të Çmimit Nobel. Anëtarësimi bëhet vetëm me ftesë individëve që kanë dëshmuar arritje të jashtëzakonshme në fushën e tyre.
Pranimi i tij është mirënjohje për punën e jashtëzakonshme në fushën e folkloristikës dhe të trashëgimisë kulturore shqiptare. Ai tashmë është i njohur në qarqet ndërkombëtare për punën kërkimore e mësimore dhe për ligjëratat universitare e kumtimet shkencore të mbajtura deri në Amerikë e në Kinë.
Për këto rezultate kulmore në studimet albanologjike, studiuesi Zymer Ujkan Neziri ishte zgjedhur anëtar i rregullt edhe i Akademisë së Evropës, me seli në Londër, në prill të këtij viti.
Duke qenë anëtar i rregullt i dy akademive evropiane, që janë me famë botërore, ky studiues rugovas nga Prishtina i nderon shumë të gjithë shqiptarët kudo që janë, qendrat tona të mëdha studimore, Tiranën, Prishtinën e Shkupin, e sidomos albanologjinë shqiptare.
Klubi i Shoqatës së Intelektualëve Universitarë të Rugovës Akad. Prof. Dr. Jeton Kelmendi, sekretar
(Kosova Sot Online)