Qarri: Vuçiç mbetet kallauzi kryesor i të gjitha problemeve destabilizuese në rajon

Qarri: Vuçiç mbetet kallauzi kryesor i të gjitha problemeve destabilizuese në rajon
Qarri: Vuçiç mbetet kallauzi kryesor i të gjitha problemeve destabilizuese në rajon

Gani Qarri

  • 16 April 2026 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Serbia hegjemoniste, duke refuzuar publikisht dhe në prani të ndërmjetësuesve të BE-së dhe faktorit ndërkombëtar “Ballafaqimin me të kaluarën” e saj kriminale, “Paktin për Paqe” me Kosovën, e njohjen e shtetit të pavarur të Kosovës, si dhe duke ndërhyrë vazhdimisht në çështjet tona të brendshme e duke atakuar në vijimësi rregullimin tonë të brendshëm shtetëror, jo vetëm se po bie në kundërshtim me parimet e BE-së, por po ekspozohet publikisht si rrezik permanent për vendin tonë, duke minuar të gjitha përpjekjet për paqe dhe duke humbur kuptimin edhe vetë dialogu maratonik për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me njohje të ndërsjellë ndërmjet të dy vendeve, të ndërmjetësuara nga BE.

 

-Krimineli Vuçiq është dhe mbetet kallauzi kryesor i paqëndrueshmërisë politike, si dhe i të gjitha problemeve destabilizuese në rajon, i cili përveç lidhjeve të pandërprera me Putinin dhe Rusinë ekspansioniste, me retorikën e vazhdueshme luftënxitëse u ka shkaktuar në vijimësi probleme të mëdha edhe vendeve fqinje, duke ndërhyrë drejtpërdrejt në punët e tyre të brendshme dhe duke kërcënuar me ndarje, si në Bosnjë e Hercegovinë me tendencën për shkëputjen e të ashtuquajturës "republikë serbe".

Madje ndërhyrjet e tij janë mirë të njohura edhe në Mal të Zi dhe Republikën e Kosovës, i cili në dy vitet e fundit ka krijuar kaos administrativ dhe anarki totale politike edhe në Serbi, ndaj nuk është kurrfarë fshehtësie të thuhet botërisht se asnjë përgjegjësi nuk e ka Kosova për gjendjen aktuale, por pikërisht shkaku i sjelljeve dhe papërgjegjshmërisë së qëndrimeve ekstreme të kriminelit Aleksandër Vuçiq, ish-ministrit për informata në qeverinë okupuese të kasapit Sllobodan Millosheviq, i cili është i informuar deri në detaje mbi të gjitha sa kanë ndodhur në Kosovë dhe mbahet përgjegjës edhe për krimet e gjenocidin e shkaktuar kundër shqiptarëve të pambrojtur nga forcat okupatore serbe në vendin tonë, pothuajse të gjitha takimet edhe në të kaluarën kanë përfunduar pa ndonjë rezultat dhe pa arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse me njohje reciproke, që do të garantonte fqinjësi të qetë ndërmjet të dy vendeve dhe paqe e siguri afatgjate edhe në rajon e më gjerë.

Besoj se tanimë ka ardhur koha që edhe SHBA dhe BE, si ndërmjetësuese e dialogut, përfundimisht ta ndryshojnë qasjen në raport me gjendjen aktuale dhe të flasin hapur e me emra përkatës për përgjegjës mbajtësit e situatës së nderë, jo vetëm ndërmjet Kosovës e Serbisë, por edhe në rajon, andaj edhe deklarata e SHBA-ve duhet të jetë një sinjal i qartë presioni ndaj shkaktarit të kësaj gjendjeje të paqëndrueshme dhe ai dihet botërisht se është Aleksandër Vuçiqi, kështu që gjërat duhet të thuhen hapur dhe qartë e troç, nëse vërtet synohet arritja e marrëveshjes së qëndrueshme dhe vendosja e paqes afatgjate dhe nuk synohet thjesht një përsëritje amorfe diplomatike pa mekanizma konkretë dhe pa veprime detyruese për palën fajtore.

Përveç pengesave të pareshtura dhe bllokadave të vazhdueshme kundër rrugëtimit të Kosovës për faktorizimin e shtetësisë dhe avancimin e inkuadrimeve evropiane e ndërkombëtare, në dhjetor të vitit 2023, Serbia i ka dërguar letër zyrtare edhe BE-së se tërhiqet nga të gjitha pikat e marrëveshjes së dakorduar më parë në Bruksel dhe aneksin e Ohrit, të cilat kanë të bëjnë me njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare, përfshirë anëtarësimin në OKB, kështu që ky njeri e ka humbur besimin që të vazhdohet të bisedohet me të për një çështje kaq të rëndësishme si arritja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse ndërmjet të dy vendeve.

Nëse Uashingtoni sugjeron se procesi aktual i dialogimit mes Kosovës dhe Serbisë është joserioz apo i instrumentalizuar politikisht, për këtë fajtore është Serbia dhe Aleksandër Vuçiqi, i cili fatkeqësisht ka gëzuar edhe mbështetjen e emisarit të mëparshëm misterioz latino-amerikan Gabriel Eskobar, si dhe të udhëheqësve pro-serbë të BE-së si Mirosllav Lajçak e Josep Borell, të cilët, derisa Serbia e sulmonte Kosovën me grupe të trajnuara terroriste serbe duke vrarë edhe policët tanë në detyrë, e kanë kushtëzuar në vazhdimësi Kosovën, përfshirë edhe masat ndëshkuese ndaj Republikës së Kosovës, duke mbështetur publikisht deri në fund të mandatit të tyre Aleksandër Vuçiqin dhe Serbinë hegjemoniste.

Prandaj, nëse edhe në takimin e ardhshëm sërish pretendohet të flitet vetëm për minoritarët e llastuar serbë dhe koncesionet që Kosova "duhet" t’i bëjë sërish në favor të Serbisë hegjemoniste, por nuk futet si temë kryesore çështja e shqiptarëve në Kosovën Lindore, zbardhja e fatit të mijëra të rinjve të kidnapuar shqiptarë të Kosovës nga soldateska okupuese serbe, kthimi i trupave të tyre në Kosovë, të shoqëruar me dokumente zyrtare se si kanë vdekur dhe çfarë ka ndodhur me organet e tyre njerëzore në Serbi, Kosova nuk duhet të pranojë pjesëmarrjen në bisedime, vetëm sa për ta reklamuar në Bruksel Aleksandër Vuçiqin dhe për të bërë shpëlarjen e mëkateve të figurës së tij kriminale, tanimë të ndotur keq edhe në Serbi.

E në shenjë dëshmie se njëmend po bisedohet për marrëveshje dhe paqe e siguri afatgjate ndërmjet të dy vendeve, Serbia paraprakisht duhet ta miratojë “Paktin për Mos-sulmim” ndaj Republikës së Kosovës, t’i kthejë trupat e mbi 6300 shqiptarëve të vrarë e të kidnapuar në Kosovë, të cilët edhe 27 vite pas përfundimit të luftës vazhdon edhe për së vdekuri t’i mbajë peng në Serbi dhe të zotohet se, direkt apo indirekt, nuk do ta sulmojë më vendin tonë, përndryshe nuk ka asnjë arsye që Kosova doemos t’i përgjigjet thirrjes për dialog pa kriter e pa parime, nëse edhe tani, njëjtë si rreth 15 vite më parë, bisedimeve nuk u dihet fundi as qëllimi final dhe as kësaj radhe në krye të planit për dialog ndërmjet të dy vendeve nuk vendoset njohja reciproke, ashtu siç është theksuar decidivisht në Rezolutën e Kongresit amerikan, të nënshkruar edhe nga presidenti i SHBA-ve Donald Trump, si dhe nuk caktohet afati strikt i përfundimit të dialogut maratonik me një shtet agresor e hegjemonist si Serbia fashiste, e cila vazhdimisht deklarohet hapur se vetëm pret momentin e favorshëm për të sulmuar sërish ushtarakisht vendet fqinje dhe për të gllabëruar me forcë territoret e tyre shtetërore.

Ndryshe, siç u cek edhe më lart, administrata aktuale e SHBA-ve dhe Kongresi amerikan kanë miratuar Rezolutën e mirënjohur për mbështetjen e përfundimit të bisedimeve ndërmjet Kosovës e Serbisë me njohje reciproke, të nënshkruar edhe nga presidenti Trump, si dhe po këtë vit Kosova është përfshirë edhe në Ligjin amerikan të mbrojtjes në vlerë prej gati 1 trilion dollarësh, dokument në të cilin theksohet rëndësia e Republikës së Kosovës për stabilitet e siguri evropiane, si njëra nga gjashtë shtetet kyçe në Ballkanin Perëndimor dhe interesat strategjike të SHBA-ve, kështu që edhe përfaqësuesja amerikane në Kombet e Bashkuara, Tammy Bruce, në seancën e mbajtur në KS të OKB-së, ka theksuar se SHBA-të janë të interesuara për dialog të vërtetë dhe Uashingtoni tanimë do të punojë nga afër me liderët politikë që Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshjen gjithëpërfshirëse, natyrisht bazuar në Rezolutën e miratuar në Kongres, të nënshkruar edhe nga Presidenti Trump për njohje reciproke ndërmjet të dy vendeve dialoguese, në mënyrë që edhe ato përfundimisht të shohin nga e ardhmja dhe të ecin përpara.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".