Besiana dhe Shkodrani me koncert për ditëlindjen e Nënës Terezë dhe 20 vjetorin e gurthemelit të Katedrales! Mbi 1500 spektatorë në sallë- sukses historik

  • A.P /
  • 27 August 2025 - 16:07
Besiana dhe Shkodrani me koncert për ditëlindjen e Nënës Terezë dhe 20 vjetorin e gurthemelit të Katedrales! Mbi 1500 spektatorë në sallë- sukses historik

Më 26 gusht 2025, në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë, u mbajt një koncert solemn i cili u shndërrua në një nga ngjarjet më madhështore kulturore dhe shpirtërore të kryeqytetit. Në nder të 115-vjetorit të lindjes së Shenjtores shqiptare dhe 20-vjetorit të bekimit të gurthemelit të Katedrales, Katedralja e Prishtinës mori pamjen dhe emocionin e një kremteje të ngjashme me atë të Vatikanit në vitin 2016, ditën e shenjtërimit të Nënës Terezë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

 

Program solemn dhe artistë të shquar

Programi i përzgjedhur përfshiu vepra të muzikës klasike botërore dhe shqiptare: nga Mozart, Händel, Stradella, César Franck, Giuseppe Verdi e deri te krijuesit shqiptarë si Imzot Mikel Koliqi, Lorenc Antoni, Gjon Simoni, Avni Mula, Gjon Gjevelekaj dhe Sami Piraj. Çdo vepër mbante brenda mesazh shpirtëror dhe artistik, duke e bërë këtë mbrëmje një udhëtim muzikor të jashtëzakonshëm.

Në skenë u ngjitën:
 • Besiana Mehmedi – mezosoprano
 • Mariana Leka – soprano
 • Gerald Murrja – tenor
 • Bledar Domi – bas
 • Safete Rogova – aktore
 • Xhevat Limani – aktor
 • Rudina Ciko – piano
 • Kori “Të Mirët e Kombit”, dirigjent maestro Zhani Ciko

Koncerti u realizua nën kujdesin dhe drejtimin artistik të Shkodran Tolajt, i cili bashkërendoi me përkushtim çdo detaj të programit dhe interpretimit.

Kulmet e mbrëmjes

Koncerti nisi me Ave verum corpus të Mozartit dhe vijoi me Ombra mai fu të Händelit dhe Pietà Signore të Stradellës, duke e përshkuar sallën me një atmosferë solemniteti të thellë. Një moment prekës ishte interpretimi i Panis Angelicus nga Gerald Murrja dhe Mariana Leka.

Publiku u emocionua veçanërisht nga homazhi për Imzot Mikel Koliqin, përmes premierës së Arias së Rozafës, interpretuar nga Besiana Mehmedi, si dhe nga vepra Lamtumirë e Lorenc Antonit, me tekst të Nënës Terezë, kënduar nga Kori “Të Mirët e Kombit”.

Safete Rogova recitoi me ndjenjë Lutjet e Nënës Terezë, ndërsa Besiana Mehmedi solli Nënës së mirë të Gjon Gjevelekajt. Aktori i madh Xhevat Limani përcolli fuqishëm figurën e kryeheroit Gjergj Kastrioti!

Për herë të parë në Kosovë u interpretua edhe vepra Fanar – me tekst të Shkodran Tolajt dhe muzikë të Sami Pirajt, si dhe vepra a cappella “Me gjak shqiptari” e Gjon Simonit, mbi tekst të Nënës Terezë. Kulmin shpirtëror e solli “La Vergine degli angeli e Verdit” dhe Valsi i lumturisë i Avni Mulës, ndërsa përpunimi nga Chopin për ditëlindje u interpretua mjeshtërisht nga pianistja Rudina Ciko.

Mbrëmja u përmbyll me këngën popullore të përpunuar “Ti më je si një gonxhe”, ku solistët, kori dhe publiku kënduan së bashku, duke e kthyer sallën e katedrales në një altar të përbashkët dashurie e mirënjohjeje.

Dy përjetime, një kujtim i përjetshëm

Në vitin 2016, bota pa shenjtërimin e Gonxhe Bojaxhiut në Bazilikën e Shën Palit në Vatikan. Në vitin 2025, Prishtina përjetoi të njëjtin solemnitet përmes muzikës dhe artit, në ditëlindjen e saj.

Ky koncert mbetet një dëshmi se arti dhe besimi janë ura që lidhin popujt dhe gjeneratat, duke i dhënë zë mesazhit të pavdekshëm të Nënës Terezë: “Ne nuk mund të bëjmë gjëra të mëdha, por gjëra të vogla me dashuri të madhe.”

Publiku i kryeqytetit u ngrit disa herë në këmbë me duartrokitje të gjata, duke e shndërruar këtë koncert në një ngjarje të përmasave historike – një kujtim i përjetshëm për Kosovën dhe kombin shqiptar.

(Kosova Sot Online)