MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
Shkruan: Nusret PLLANA
Në nderim të Festave të Nëntorit të Madh, u realizua Projekti artistik "TË FESTOJMË SHQIP"!
Me rastin e Festave të Nëntorit të Madh, Shoqata "Yjet që nuk vdesin", shfaqi programin kulturo - artistik me titull " TË FESTOJMË SHQIP", në Sallën e bukur KLAN ARENA, e cila ishte e mbushur me artdashës nga të gjitha trojet tona arbërore, madje të ardhur edhe nga shumë shtete të Evropës, duke u ndarë jashtëzakonisht të kënaqur me skenarin e këtij programi, i cili kishte edhe elemente dramatike, përmes të cilave, aktorët dhe aktoret, valltarët dhe valltaret nga e gjithë gjeografia shqiptare, të udhëhequr nga mjeshtri dhe Drejtori artistik, koreografi më i spikatur i Kosovës dardane, Prof.Dilaver Kryeziu, bënë që publiku ti përcjell të gjitha pikat e programit me duartrokitje frenetike, madje disa herë, duke kënduar edhe vet, së bashku me artistët në skenë.
Kësaj atmosfere madhështore, të papërsëritur ndonjëherë pas luftës gjenocidale në Kosovë, shije të veçantë i dhanë artistët e mrekullueshëm të këngës së bukur shqipe, Besiana ( Qani) Mehmedi e Shkodran Tolaj, por edhe repertoari shumë i pasur i Shoqërisë "Bajram Shabani" nga Kumanova, me drejtor artistik, Prof. Ilir Latifi, të cilët shkëlqyen me performansën e tyre të mrekullueshme.
Kontribut të çmueshëm në këtë mbrëmje festive të këtij Megaspektakli artistik dhanë edhe: SHKA "Zëri i Kosovës", SHKA "Malësori", AKV "Ilirida", e AKV "Deçani", si dhe solistet e mrekullueshme: Elizabeta Zeneli, Lorika Sylejmani e Shkendije Muji, si dhe solisti Ramë Isufi.
Pa përkrahjen e Misionit katolik shqiptar dhe Shoqatës "Nëna Terezë" të Lucernit, dhe konkretisht pa përkrahjen e dhjetra mërgimtarëve gjithandej Evropës e në veçanti nga ata të Zvicrrës e Gjermanisë, duke i veçuar: Dr.Anton Uken, Nue Zallin, Pal Deden, Anton Nikollen, Nehat Sabedinin, Marian Nuen, Nue Tomen, Rudolf Laskin, Rikard Morinen, Shoqatën "Gjergj Kastrioti", me z. Agim Pepaj - Kryetar, Shoqatën "Nue Përlleshi", me z. Pjetër Gjergji - Kryetar, Martin Zef Musaj, ky Spektakël 'gjigand' nuk do të mund të realizohej, sepse përkrahja e Institucioneve tona ka qenë zero.
Përveç shumë personaliteteve të artit e kulturës shqiptare, me prezencën e tyre na nderuar edhe: Kryetari i AAK-së, Gjeneral Ramush Haradinaj, afaristi dhe filantropi i shquar shqiptar, z.Lazim Destani, afaristi dhe humansisti i madh shqiptar nga Zvicrra, sponsori gjeneral i këtij megaspektakli, z.Anton Nikolla, veprimtari i palodhshëm dhe humanisti Marian Nue nga Zvicrra, Kryetari i Lidhjes Shqiptare në botë, z.Nazmi Jakurti, Prof.dr. Don. Lush Gjergji, Mulla Xhevat Kryeziu e Kryepeshkopi shqiptar Hirësi Nikolla, e shumë e shumë figura të spikatura të kombit tonë, duke i dhënë një 'shije' mbreslënëse asaj mbrëmjeje madhështore të Festave të Nëntorit të Madh në Kryeqytetin e Kosovës dardane në Prishtinë.
(Kosova Sot Online)
