Timothy David Snyder: Pesë shenja që tregojnë se Rusia është një shtet fashist

  • A.P /
  • 23 January 2026 - 09:15
Timothy David Snyder: Pesë shenja që tregojnë se Rusia  është një shtet fashist

The New York Times 20 maj 2022

(Këtë analizë e përktheu dhe e përgatiti për botim Eshref Ymeri)

Autori i kësaj analize është historian amerikan, Profesor i Universitetit të Jalit (Yale University), specialist për historinë e Europës Lindore. Merret me studimin e problemeve të nacionalizmit, totalitarizmit dhe holokaustit. Është anëtar i Këshillit për marrëdhëniet ndërkombëtare. Në vitin 1997 pati mbrojtur doktoratën në Universitetin e Oksfordit (Oxford University), pati fituar bursë në Universitetin e Harvardit (Harward University). Rreth dhjetë vjet i pati kaluar në Europën Lindore. E njeh mirë historinë e Rusisë.

***

T’i damkosësh të tjerët me fjalën “fashist” dhe, me këtë rast, vetë të jesh fashist , do të thotë të zbatosh në jetë metodën kryesore të putinizmit. Disa këtë e quajnë propagandë minuese, të tjerët e quajnë skizofrenizëm.

Fashizmi, si ide, ka mbetur i pamposhtur. Këtë kult absurditeti dhe dhune ka qenë e pamundur ta hedhje poshtë me argumente. Sa kohë që Gjermania naziste dukej e fuqishme, europianët, dhe jo vetëm ata, qenë emocionuar nga joshja e saj. Fashizmi qe mposhtur vetëm në fushat e betejave të Luftës II Botërore. Tani ai është kthyer përsëri. Këtë herë, luftën fashiste për shfarosje po e zhvillon Rusia. Në qoftë se ajo do të fitojë, fashistët e mbarë botës kanë për të ngritur veshët.

Ne bëjmë gabim kur frikën tonë para fashizmit e kufizojmë vetëm me figurën e Hitlerit dhe të holokaustit. Fashizmi pati lindur në Itali, qe bërë popullor në Rumani, në të cilën fashistët, të krishterët ortodoksë, ëndërronin për një dhunë spastruese dhe pati bërë për vete përkrahës në mbarë Europën dhe në Amerikë. Në të gjitha variantet e veta, ai pati nënkuptuar triumfin e vullnetit mbi arsyen.

Ja cilat janë pesë shenjat që dëshmojnë për faktin se Rusia është një shtet fashist.

1. Rusia bashkëkohore u përgjigjet shumicës së kritereve, mbi të cilat mbështeten zakonisht shkencëtarët. Në Rusi ekziston vetëm kulti i një udhëheqësi - i Putinit. Ekziston kulti i të vdekurve, i ngritur rreth Luftës II Botërore. Ekziston kulti i shekullit të artë të

madhështisë perandorake, e cila duhet ringritur në një luftë me dhunë “shërimtare” - me luftën kriminale në Ukrainë. Pushtimin e këtij vendi në vitin 1941, Hitleri e vlerësonte si një objektiv kryesor. Bashkimin Sovjetik, në përbërje të të cilit asokohe përfshihej Ukraina, ai e pati konsideruar si një shtet hebraik.

Hitleri kishte hartuar një plan për përmbysjen e pushtetit sovjetik dhe për hedhjen në dorë të tokave pjellore ukrainase: në Bashkimin Sovjetik do të fillonte uria, kurse Gjermania do të bëhej perandori. Hitleri mendonte se një gjë të tillë do ta realizonte me lehtësi, sepse Bashkimin Sovjetik e vlerësonte si një shtet artificial, kurse ukrainasit i llogaritte si një popull të kolonizuar.

Ngjashmëria me luftën që pati shpërthyer Putini, është befasuese. Kremlini e konsideron Ukrainën si nj shtet artificial dhe si provë për një gjë të tillë shikon presidentin-hebre.

Sipas gjykimit të Kremlinit, pas eliminimit të elitës ukrainase, masat e çorganizuara do ta presin me krahë hapur sundimin rus. Sot është pikërisht Rusia ajo që po bllokon eksportin e mallrave ushqimore ukrainase, duke kërcënuar me uri jugun e planetit.

2. Shumë analistë përmbahen ta quajnë fashiste Rusinë bashkëkohore, sepse Bashkimi Sovjetik stalinist e konsideronte veten shtet antifashist. Por kjo s’do të thotë që emërtimi i fashizmit u bë më i saktë dhe sot nuk është fjala për një mishmash, por për diçka shumë më të keqe. Kjo për arsye se Bashkimi Sovjetik jo gjithmonë i qe kundërvënë fashizmit. Deri para ardhjes së Hitlerit në pushtet në vitin 1933, Bashkimi Sovjetik i pati trajtuar fashistët thjesht si një nga llojshmëritë e armiqve-kapitalistë. Kurse në vitin 1939, Bashkimi Sovjetik qe bërë faktikisht aleat me Gjermaninë naziste dhe së bashku sulmuan Poloninë. Shtypi sovjetik publikonte fjalime të nazistëve, kurse oficerët nazistë entuziazmoheshin nga efektiviteti i dëbimeve në Bashkimin Sovjetik.

Rusia po mundohet të monopolizojë natyrën e viktimës dhe fitoren. Por as që flet dhe as gjykon për faktin shumë të rëndësishëm, që Stalini pati hyrë në aleancë me Hitlerin dhe, në këtë mënyrë, pati nxitur shpërthimin e Luftës II Botërore.

3. Politika e shkathët e Stalinit ndaj fashizmit, shërben si çelës për të zbërthyer politikën e sotme të Rusisë. Gjatë qeverisjes së Stalinit, ndaj fashizmit qe mbajtur fillimisht një qëndrim i paanshëm, mandej e deklaruan si diçka të keqe dhe pastaj - si diçka të mirë. Por kur Hitleri e pati prerë në besë* Stalinin dhe Gjermania pati sulmuar Bashkimin Sovjetik - përsëri fashizmin e deklaruan si diçka të keqe. Por askush s’bëri që s’bëri një përcaktim të saktë për fashizmin. Me fashizmin krijuan një kuti, në të cilën mund të vendosje gjithçka që të të tekej.

Antifashizmi sovjetik qe shndërruar në politikë të ndarjes në “ne” dhe “ata”. Ajo nuk ishte luftë kundër fashizmit. Sepse, siç thoshte ideologu fashist, Karl Shmitt (Carl Schmitt - 1888-1985), politika fashiste fillon nga përcaktimi se kush është armiku. Përderisa antifashizmi sovjetik bënte vetëm përcaktimin se kush duhej konsideruar armik, atëherë ai e kishte lënë hapur shtegun, përmes të cilit fashizmi mund të vendosej në Rusi.

4. Në Rusinë e shek. XXI, “antifashizmi” thjesht është kristalizuar si një e drejtë e udhëheqësit rus për të përcaktuar se kush qenkan armiqtë e shtetit. Fashistëve të vërtetë rusë, si puna e Aleksandër Duginit (1962) dhe Aleksandër Prohanovit (1938), u kanë dhënë kohë të mjaftueshme në emisionet radiotelevizive. Vetë Putini është mbështetur në punimet e fashistit Ivan Ilin (1883-1954), të botuara në periudhën mes dy luftërave. Për presidentin e Rusisë, “fashist” ose “nazist” është thjesht ai person, që del hapur kundër tij ose kundër planit të tij për shfarosjen e Ukrainës. Kurse ukrainasit, sipas tij, janë “nazistë”, sepse nuk e quajnë veten rusë dhe bëjnë rezistencë.

Nëse dikush do të zhvendosej nga vitet 1930 drejt epokës sonë, ai do ta zbulonte menjëherë që regjimi i Putinit është një regjim fashist. Simboli Z, mitingjet, propaganda, lufta, si një akt spastrimi i dhunshëm dhe varrosjet masive rreth qyteteve të Ukrainës, e bëjnë një gjë të tillë plotësisht të dukshme. Lufta kundër Ukrainës është jo vetëm një kthim në fushën tradicionale fashiste të luftimit: kjo është edhe një kthim drejt gjuhës tradicionale fashiste dhe drejt metodave fashiste. Vendet e tjera ekzistojnë, me qëllim që të shndërrohen në koloni. Ekzistenca e Ukrainës është një komplot ndërkombëtar. Lufta është përgjigjja kundër këtij komploti. Përderisa Putini thotë se fashistët janë armiq, atëherë, ndoshta, është vështirë ta kuptosh që vetë ai është fashist. Por në luftën e Rusisë kundër Ukrainës, fjala “fashist” do të thotë thjesht “armik, i padenjë për ta quajtur njeri” - atë, për të cilin rusët janë të pajisur me leje për ta vrarë. Gjuha e urrejtjes ndaj ukrainasve e lehtëson vrasjen e tyre. Ne po e vërejmë një gjë të tillë në Buça, në Mariupol dhe në të gjitha pjesët e tjera të okupuara të Ukrainës. Varrimet masive nuk janë rastësi, ato janë pasojë e pritshme e një lufte fashiste për shfarosjen e njerëzve.

5. Fashistët, të cilët i quajnë të tjerët “fashistë”, do të thotë fashizëm, i çuar deri në ekstremin e vet alogjik, do të thotë kulti i absurditetit. Kjo është pika e fundit, në të cilën gjuha e urrejtjes e bën të bardhën të zezë, kurse propaganda bazohet vetëm te këmbëngulja.

Ashtu si edhe në vitet 1930, demokracia është në tërheqje në mbarë botën, kurse fashistët kanë filluar luftën kundër fqinjve. Në qoftë se Rusia do të fitojë në Ukrainë, atëherë në këtë mes do të kemi të bëjmë jo vetën thjesht me shfarosjen e dhunshme të demokracisë (çka do të jetë një gjëmë e madhe), por edhe me demoralizimin e të gjitha demokracive në mbarë botën. Miqtë e Rusisë - Marin Le Pen (1968), Viktor Orban (1963), Taker Karlson (1969) - kanë luftuar kundër demokracisë që para fillimit të luftës. Fitoret e fashistëve në fushën e betejës do të vërtetojnë se të drejtë ka ai që është më i fortë, kurse arsyeja mbetet për ata që kanë pësuar disfatë. Pra, demokracia duhet të dështojë.

Sikur Ukraina të mos kishte rezistuar, atëherë për demokratët e mbarë botës do të kishte ardhur një pranverë e zymtë. Nëse Ukraina nuk fiton, atëherë zymtësia ka për të vazhduar me dhjetëvjeçarë.

--------------------

*Shënim i përkthyesit:

Autori i kësaj analize nuk e ka informacionin e duhur. E vërteta historike është ndryshe. Nuk ishte Hitleri ai që pati prerë në besë Stalinin. Përkundrazi, ishte Stalini ai që e pati prerë në besë Hitlerin.

Me nënshkrimin në Moskë të paktit të mossulmimit Molotov-Ribentrop më 23 gusht 1939, Stalini kishte për qëllim ta vinte në gjumë Hitlerin, “ta siguronte” se nga krahu lindor “nuk e kërcënonte asnjë rrezik”, me qëllim që Gjermania t’i vinte nën këmbë vendet e Europës Perëndimore. Paskëtaj, kur ta quante të arsyeshme, Stalini do ta sulmonte Gjermaninë, me pikësynim arritjen deri në Gjibraltar. Në dhjetorin e vitit 1940, agjentët e shërbimit sekret gjerman arritën të zbulojnë planin e fshehtë të Stalinit për sulmin që do të ndërmerrte kundër Gjermanisë. Deri në fillimin e muajit qershor 1941, edhe korparmatat e ushtrisë sovjetike të Lindjes së Largët, Stalini i pati zhvendosur drejt kufijve perëndimorë. Për sulmin që Bashkimi Sovjetik do të ndërmerrte kundër Gjermanisë, dëshmon ish-oficeri i zbulimit sovjetik, Viktor Suvorov. Ai deklaron:

“Ekzistojnë jo pak udhëzime për faktin se afati i fillimit të operacionit sovjetik “Shtrëngata”, qe lënë për më 06 korrik të vitit 1941… Zhukovi (si edhe Stalini) kishte qejf t’i jepte goditjet e veta të dielave në mëngjes. 06 korriku i vitit 1941 ishte e diela e fundit para përqendrimit të plotë të trupave sovjetike (në kufijtë perëndimorë të Bashkimit Sovjetik - E. Y.). Gjeneral-armatë S.P. Ivanov e përmend këtë datë pa dorashka: “…trupat gjermane arritën të na e merrnin iniciativën nga dora dy javë më përpara”” (Citohet sipas: Viktor Suvorov. “Akullthyesja. Kush e filloi Luftën II Botërore”. Shtëpia Botuese “Novoje vremja”. Moskva 1993, f. 333).

(Kosova Sot Online)