Shkëlqim Devolli dënohet me vetëm gjysmë milion Euro për krundet që i ka shitur si miell!

  • 13 June 2016 - 14:19
Shkëlqim Devolli dënohet me vetëm gjysmë milion Euro për krundet që i ka shitur si miell!

Gazeta “Kosova Sot” në vazhdimësi për afro dy vite ka raportuar për mashtrimet me krunde të "Devolli Corporation",pronë e Shkëlqim Devollit. Burime nga Dogana bëjnë të ditur se kompania Devolli është dënuar nga Doganat me vetëm gjysmë milion euro! Ky dënim simbolik vjen pas dhjetëra shkrimeve ku gazeta ka denoncuar këtë mashtrim që i është bërë qytetarëve kosovarë, duke u shitur krunde për kafshë në vend të miellit për ushqim, edhe atë përmes kompanisë M-Sillosi. Shkrimi i fundit është botuar sot më 13 qershor 2016. (http://kosova-sot.info/lajme/109313/heshtje-e-institucioneve-per-skandalin-e-grurit-te-mykur/

Shkëlqim Devolli kishte importuar nga Serbia qindëra mijëra tonelata grurë të dedikuar për kafshë dhe ua kishte shitur qytetarëve në Kosovë dhe Shqipëri për miell!

Shkëlqim Devolli kishte shmangur detyrimet doganore, duke e bluar grurin në fabrikën “M Sillosi” për ta shitur në treg. Sipas Doganave, Devolli Corporation e ka dëmtuar shtetin në vlerë  vetëm prej 489.762, 41 euro! 

Shkëlqim Devolli ka mashtruar shtetin dhe qytetarët duke importuar ushqim për kafshë si krunde, bizele, e mbeturina të grurit dhe të njëjtat i ka shitur për miell!

Këtë mashtrim ai e ka bërë duke e deklaruar ushqim për kafshë, e në këtë mënyrë malli i importuar nuk i nënshtrohet doganës për shkak se “gruri është i thyer dhe përdoret vetëm për kafshë”.

E të gjitha këto veprime janë lejuar nga zyrtarë të Doganës së Kosovës.

Image

 

Grupi punues i Doganës së Kosovës në përbërje nga zyrtarët të sektorit të Kontrollit pas importues dhe sektorit të mbikëqyrjes së regjimeve vezulluese si kryesues, e ka nxjerr aktvendimin ku thuhet se:

“Obligohet importuesi M-Sillosi që në afat prej 10 ditësh të paguaj obligimet doganore në vijim:

Taksën doganore (10 %) – 16, 0 85.40 euro; TVSH (16 %) – 471, 274. 18 euro; Kamata kompensueze -2402.83. Gjithsej 489, 762. 41 euro”, thuhet në aktvendimin që ka siguruar Insajderi.

Komisioni ka vendosur që të ndryshohen të dhënat në deklaratën unike doganore të datës 19.05.2014 dhe në deklaratën unike doganore aneksi 1, A, B dhe C.

Ankesa nuk e pezullon ekzekutimin e aktvendimit.

“Gjatë aktivitetit të kontrollit të ushtruar nga grupi punues bazuar në të dhënat dokumentare janë gjetur parregullsi në aplikimin e procedurave doganore me ndikim ekonomik, respektivisht shfrytëzimin e autorizimit për përpunim të brendshëm dhe përpunim nën kontroll doganor”, thuhet në arsyetim të aktvendimit.

Grupi punues konstaton se gjatë lejimit të qarkullimit të lirë të mallit me përshkrim Hime, (krunde) me regjim IMA (40-51) përmes deklaratës unike doganore R 5887 datë 19.05.2014, duke shkarkuar mallin e importit me përshkrim grurë me regjim IMS (51-00) për deklaratën unike doganore R 2439 datë 28.02.2014, deklarata unike doganore R 5887 datë 19.05.2016 nuk është proceduar drejt sipas llojit, përshkrimit të mallit dhe  kodit tarifor.

“Me këtë rast kemi shmangie të detyrimeve doganore në emër të TVSH-së prej 65,275,41 euro dhe në emër të kamatës kombenzuese prej 2,402,83 euro”, thuhet në aktvendim.

Në pikën e dytë thuhet se “në procedurën e Përpunim të kontrollit doganor gjatë lejimit në qarkullim të lirë  të mallit me përshkrim miell  dhe hime (krunde) me regjim IMA (40-91) përmes deklaratave unike doganore sipas  ANEKSIT  1A, duke shkarkuar mallin e importit me përshkrim grurë me regjim IM9 (91-00), nuk janë proceduar drejt deklaratave unike doganore, ANEKSI 1A  sipas shpërndarjes së vlerës financiare për produktet kompenzuese”.

“Me këtë rast kemi shmangie të detyrimeve doganore në emër të TVSH-së prej 112,513,03 euro”, konstatohet në aktvendim.

Në pikët e tretë thuhet se “në procedurën e Përpunimit të kontrollit doganor gjatë lejimit në qarkullim të mallit me përshkrim ushqim për kafshë – Gërdhushta (mbeturina të grurit ) me regjim IM4 (40-91) përmes deklaratave unike doganore sipas ANEKSIT  1B, duke shkarkuar mallin e importit me përshkrim grurë – ushqim për kafshë me regjim IM9 (91-00), nuk janë proceduar drejt deklaratave unike doganore  ANEKSI 1B sipas numrit tarifor për produktin kompenzues ushqim për kafshë gërdhushta”.

Në këtë aktvendim konstatohet se me këtë është janë shmangur detyrimet doganore në emër të TVSH-së prej 265,175,44 euro.

Pastaj në pikën katër ndërkaq thuhet se “në procedurën e Përpunim të Kontrollit Doganor gjatë lejimit në qarkullim të lirë të mallit me përshkrim ushqim për kafshë – bizele, me regjim IM4 (40-91) përmes deklaratave unike doganore sipas ANEKSIT 1C, duke shkarkuar mallin e importit me përshkrim bizele ushqim për kafshë me regjim IM9 (91-01), nuk janë proceduar drejt deklaratave unike doganore të ANEKSIT 1C sipas numrit tarifor për produktin kompenzues ushqim për kafshë bizele”.

“Me këtë rast kemi shmangie të detyrime doganore në emër të doganës 16,085.40 euro dhe TVSH-së 28,310,30 euro gjithsej 44,395,70 euro”, precizohet në këtë në këtë aktvendim, raporton gazeta Kosova Sot Online.

Tani topi është në duart e Prokurorisë, të cilët duhet sjellë para drejtësisë Shkëlqim Devollin,pasi që kanë kaluar më shumë se 12 muaj nga gjetjet e Komisionit Parlamentar për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural i Kuvendit të Kosovës ndaj importit të dhjetëra mijëra tonë të grurit të mykur për shtazë dhe të dyshuar si kancerogjen, e i cili u përdor si ushqim për njerëz në Kosovë. Ky skandal, edhe pas gjetjeve nga ana e këtij Komisioni, ka mbetur pa u ndëshkuar. Kjo sasi e grurit të dyshimtë është importuar nga Serbia, nga ana e kompanisë “M&Sillosi”, që është pjesë e “Devolli Corporation” dhe ka hyrë në vend gjatë viteve 2014-2015 dhe 2016 dhe i cili grurë i mykur u është shitur kosovarëve, duke ua dëmtuar shëndetin atyre, shkruan gazeta Kosova Sot.

(Kosova Sot)

Image