Protestues, çojeni deri në fund kauzën dhe misionin tuaj!
Skender Kapiti
Nga Skënder Sadri Kapiti
Në Shqipëri, rinia patriotike po kërkon me ngulm ndryshimin. Protestues, lëvizja juaj mbart një kauzë të madhe e kombëtare; ajo përfaqëson interesin madhor dhe dinjitetin e këtij kombi.
Kjo protestë është një ndëshkim për politikën e vjetër të tradhtisë, që ka shitur interesat kombëtare dhe trojet shqiptare. Ajo i thotë "STOP" eksodit dhe zbrazjes së atdheut, duke u rreshtuar vendosmërisht kundër një regjimi të banditizmit korruptiv, kriminal dhe hajdutërisë zyrtare.
Kauza juaj synon të rikthejë besimin e humbur se Shqipëria bëhet. Ju po dëshmoni se ky vend ka ende një rini thellësisht patriotike, e cila ngrihet në mbrojtje të atdheut përballë tradhtarëve.
Sot, të gjithë shqiptarët ju mbështesin dhe ju shohin si dritë shprese. Politika, pushteti dhe mediat mercenare në shërbim të agjendave të huaja do të bëjnë çmos t'ju ngatërrojnë, t'ju akuzojnë e t'ju përçajnë. Prandaj, jini vigjilentë dhe ruani unitetin! Pse jo, nga gjiri i kësaj lëvizjeje le të burojë një organizim i ri politik — një alternativë e pastër në shërbim të interesit kombëtar dhe publik.
Shqiptarët janë në krahun tuaj sepse janë lodhur nga politika e vjetër antipublike, e kapur nga interesat private dhe oligarkike. Kjo klasë politike i ka kthyer zyrat e shtetit në prona private, ku hartohen ligje e projekte për të gllabëruar pasuritë publike dhe për të bërë pazare mbi kurrizin e qytetarëve. Mos u ndalni!
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
