Ndarja nga jeta e Shimon Peres, Nishani: Bota humbi një lider vizionar
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i ka dërguar sot një mesazh ngushëllimi homologut izraelit, për ndarjen nga jeta të Presidentit të 9-të të Izraelit, për periudhën 2007-2014, Shimon Peres.
Kreu i shtetit thekson se ndarja nga jeta e Peres është një humbje jo vetëm për familjen e tij dhe popullin izraelit, por edhe për procesin e paqes në Lindjen e Mesme
Telegrami i ngushëllimit i presidentit Bujar Nishani.
I nderuar Zoti President,
Ndarja nga jeta e Presidentit të 9-të të Izraelit, Shimon Peres, më trishtoi shumë dhe përmes Jush dëshiroj që t’i përcjell familjarëve e të dashurve të të ndjerit, si dhe popullit dhe qeverisë izraelite, ngushëllimet më të ndjera e të sinqerta.
Presidenti Peres ia dedikoi politikës pjesën më të madhe të jetës së tij të gjatë, dhe ndarja nga jeta është një humbje jo vetëm për familjen e tij dhe popullin izraelit, por edhe për procesin e paqes në Lindjen e Mesme, të cilin e pasuroi me ide e zgjidhje racionale e konkrete. Bota humbi një lider vizionar.
Ju siguroj se në këtë ditë trishtimi për familjen e të ndjerit dhe popullin izraelit, jam pranë tyre dhe lutem së bashku me ta që Presidenti Peres të prehet në paqe.
(Kosova Sot)