I riu kosovar dyshohet se goditi me qëllim ish-të dashurën me veturë

  • A.P /
  • 02 May 2024 - 23:00
I riu kosovar dyshohet se goditi me qëllim ish-të dashurën me veturë

Dyshohet se aksidenti që ndodhi sot në magjistralen Prishtinë – Ferizaj ishte i qëllimshëm dhe i parapriu një konflikt verbal në mes të dy palëve të përfshira. Një 24-vjeçar po dyshohet se e goditi veturën ku ndodheshin dy persona, si pasojë e një mosmarrëveshje, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Gjithçka kishte nisur në afërsi të një banke që ndodhet në atë pjesë, ku i dyshuari ishte takuar me viktimën, një vajzë 25-vjeçare, me të cilën kanë pasur lidhje dashurie në të kaluarën.

Në bazë të informacioneve të para, biseda mes tyre e tensionuar, çka e shtyri viktimën që të largohej prej aty, bashkë me vëllain, me të cilin ndodhej bashkë në veturë.

Të njëjtat burime kanë bërë me dije se pasi vajza vazhdoi rrugën e saj, i dyshuari e ka ndjekur nga pas me veturën e tij dhe në një moment e ka goditur, duke tentuar që ta ndalojë.

Veturat u ndeshëm dhe për pasojë viktimat pësuan lëndime trupore, e gjithashtu i shkaktuan edhe dëme materiale.

Policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme, me ç’rast është siguruar edhe prezenca e të dyshuarit, i cili ka dhënë deklaratën e tij për rastin.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar hetim në drejtim të veprës penale “Vrasje në tentativë”.

(Kosova Sot Online)
.