Kroi i ndante Kosovën dhe Shqipërinë, i bashkojnë martesat - Lajme - Kosova Sot
Kroi i ndante Kosovën dhe Shqipërinë, i bashkojnë martesat

Kroi i ndante Kosovën dhe Shqipërinë, i bashkojnë martesat

“Siç duket paslufta po do me na kthyer traditën, ngase tani kanë filluar martesat ndërmjet vete dhe ka filluar vetë jeta. Dikur ishte një krua i vetëm, ku merrnim ujë bashkë me ata tutje kufirit. Për plot 50 vjet kemi kuptuar fatin e njëri- tjetrit vetëm përmes këngëve që kemi kënduar në arat tona”, shprehet Mehmet Tanaj,shkruan gazeta Kosova Sot.

Fshati Gorozhub është fshati më i afërt i malit Pashtrik. Me Hasin është i lidhur ngushtë edhe toponimi i malit Pashtrik, meqë ky rajon si territor shtrihet rreth e rreth Pashtrikut. Në vendbanimet rreth këtij mali kanë jetuar Pirustët dhe Dardanët, gjurmët e të cilave fise ilire në këto anë i hasim edhe sot në shumë toponime, në gjetjet gjatë gjurmime arkeologjike, në emra të vendbanimeve, që ruajnë trajta nga më të lashtat të periudhës ilire. “Në mesin e shumë trashëgimive është edhe emri i malit Pashtrrik, pastaj mali Perges (ku gjendet shpella e Dajçit, ku në vitet 1985/87 janë bërë gjurmime arkeologjike nga ana e arkeologëve të Shqipërisë dhe janë gjetur shumë materiale arkeologjike, që flasin se kjo shpellë dikur moti ka qenë vendbanim i njohur”, pohon studiuesi i toponomastikës, Nexhat Çoçaj. Ai shprehet se toponimi i malit Pashtrik lidhet me gojëdhëna si Pa (nuk ka) + shtriga (mal pa shtriga) dhe kanë nisë popullata që të dalin në male me bagëti dhe të bëjnë vizita këtij varri në emër të asaj që i ka mbrojtur nga të ligat.

 Edhe vdekjet kumtoheshin përmes këngëve

Grozhubi përbëhet nga lagjet Binaj, Tejeci, Tanaj. Dhe Kërhanaj. Dikur ky fshat thuhet se ishte tejet i madh, por nga paslufta e Dytë Botërore kushtet shumë të vështira dhe sidomos regjimi serb me presionin e madh që bënte nuk lejuan që banorët atje të jetojnë të qetë, andaj u detyruan të ikin nga atje dhe sot. Janë mbi 150 familje që jetojnë kryesisht në Prizren. Aktualisht fshati ka 30 familje, të cilat jetojnë me kushte krejtësisht ndryshe, sidomos nga paslufta. Por, vështirë se dikush pranon të rikthehet atje. Plaku i fshatit Mehmet Tanaj shpjegon se fshati dukur kishte shumë të mira, por mungonte uji i pijes, mirëpo kishte mikpritje kishte dashuri. “Siç duket paslufta po do me na kthyer traditën, ngase tani kanë filluar martesat ndër vete dhe ka filluar vetë jeta. Dikur ishte një krua i vetëm ku merrnim ujë bashkë me ata tutje kufirit. Për plot 50 vjet kemi kuptuar fatin e njëri-tjetrit vetëm përmes këngëve që kemi kënduar në arat tona. Kufiri nuk ishte i hekurt, por ishte i gjakosur me gjakun e shumë shqiptarëve. Bile edhe raste e vdekjeve ia kumtonim njëri-tjetrit përmes këngës”, pohon Mehmet Tanaj.

 Rruga e asfaltuar e ka lehtësuar jetën e banorëve

Kurse Shkurte Muçaj Tanaj flet me pikëllim për kushtet e tanishme në këtë fshat.“Vështirësitë e jetës janë kudo e më të theksuara në këto vise, ku jeta fillon me lindjen e diellit dhe përfundon me perëndimin e tij”, shprehet ajo. Ndërsa, Çoçaj  shpjegon se paslufta ka ofruar kushte shumë më të mira. Ai tregon se në këtë dekadën e fundit në këtë brez kufitar janë kryer 108 martesa, që kryesisht janë vajzat dhe miqësitë e vjetra janë ringjallur në Domaj, Cahan, Xhikaj nga Shqipëria që martohen me hasjanët e Kosovës.“Kështu tani atje gradualisht ai kufi artificial po shkrihet”. Ajo që e veçoi studiuesi Çoçaj është fakti se për shkak të kushteve gjeografike 21 nxënës të fshatit Dobrunë të Shqipërisë vazhdojnë mësimin në shkollën fillore të Godenit të Kosovës. Kurse drejtori i SHMU “Vëllezërit Frashëri” në Gorozhub, gjegjësisht në Planejë, Halil Shehu, shpjegon se në paralelen e Gorozhubit nga klasa e parë deri në të katërtën janë 32 nxënës.“Tani rruga është e asfaltuar deri në Gorozhub dhe ajo më shumë e ka lehtësuar jetën e atyre fshatrave të Shqipërisë sesa të Kosovës”, pohon plaku Tanaj. Tutje ai shton: “Ata vetëm brenda 20 minutash vijnë deri këtu ku nis asfalti dhe tregtinë e bëjnë me Prizrenin”. Fshati Gorozhub tani ka asfaltin ka edhe shkollën, por këtu mungon toka e bukës, mungon vendi i punës dhe jeta. Kryetari i këtij fshati, Shani Tanaj, për "Kosova Sot" pohon se atje e kanë ende pasurinë, por vështirë jetohet.“Nëse rregullohet infrastruktura atje mund të ndërtohet ndonjë pushimore e bukur, sepse atje ajri është ende i ‘virgjër’, atje sëmundja ‘frikësohet të vjen’, thotë ai si në mahi. Kanë mbetur kryesisht ato familje që kanë pasur pak krah pune që kështu mund të llogaritet fuqia punëtore. “Atje kemi nevojë për të rregulluar rrjetin elektrik e ende vazhdojnë të mbesin problem edhe uji i pijes dhe disa nga probleme, sepse rruga për në këtë fshat nuk ka mbikëqyrje", pohon ai. Elmaz Bilalli nga Gjina e Shqipërisë tregon se kjo rrugë e asfaltuar i ka bashkuar familjet. 

(Kosova Sot)

1 orë e 15 minuta më parë
13/12/18