Licencat e terminaleve në dorën e politikës kriminale

  • 29 June 2015 - 07:37
Licencat e terminaleve në dorën e politikës kriminale

A do të ndërpriten zhvatjet e Devollëve nga Ministria e Infrastrukturës?

Monopolet dhe licencat të dirigjuara e të orkestruara nga majat e pushtetit dhe oligarkët e parapolitikës

"Aktualisht, në ekonominë tonë funksionojnë të mbështetura nga Qeveria (apo me bekimin e Qeverisë) monopolet, ose oligopolet: në sistemin bankar, në elektroenergjetikë, në telekomunikacion (si p.sh Z-Mobile) në importin dhe kontrollin e naftës dhe derivateve të saj, në tregti (supermarkete), në homologimin e veturave, në kompanitë e sigurimeve (Shoqata e sigurimeve për kartonin e gjelbër), në terminalet doganore. Këto monopole të koordinuara nga strukturat e caktuara edhe kriminale të Qeverisë dhe Parlamentit, e ushqejnë korrupsionin dhe krimin ekonomik. Ndërkaq, është vërtetuar se korrupsioni, e rrit koston e mallrave të konsumit për 20 për qind dhe kush i paguan këto", thotë Ismajl Kastrati, ish-kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës

Heshtja e zëdhënësit të Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Infrastrukturës lë vend për dyshime se edhe në të ardhmen do të vazhdojë plaçkitja dhe zvarritja e bizneseve në terminalin doganor të oligarkëve të Kompanisë oligarkike "Devolli" tek amortizerët, ku siç thuhet nga bizneset zhdoganohen 300-400 maune brenda ditës, dhe në fund të ditës mbeten edhe rreth 150 maune të padoganuara për ditët e ardhshme. Sipas analistëve të ekonomisë, në vend se të ndërpritet ky maltretim dhe zhvatje e plaçkitje e bizneseve, ende vazhdon monopoli në këtë fushë. Sipas tyre, është dashur që në regjionin e Prishtinës të ofrohen këto shërbime edhe në një terminal tjetër të ri, që ka 10 muaj që pret licencimin nga Ministria e Infrastrukturës, pasi që i ka plotësuar të gjitha kushtet me ligj dhe me udhëzim administrativ. Njohësit e kësaj fushe dhe dëshmitarët thonë se terminali i kompanisë "Devolli" është bërë vendi ku pandalshëm kontrabandohen mallrat për të gjithë oligarkët kosovarë, të cilët nuk janë pak, por edhe vendi i cili paraqet "ferrin" për bizneset e ligjshme dhe të palidhura me doganën dhe pushtetarët e oligarkët e parapolitikës e politikës. Analistët me të drejtë e shtrojnë çështjen dhe pyesin se përse Ministria e Infrastrukturës nuk po e licencon edhe një tjetër terminal të mallrave dhe kush e pengon atë, kur dihet se ligji dhe Kushtetuta e detyrojnë që licencat duhet t'i jepen çdo operatori që i plotëson kushtet për të ofruar shërbimet. Të gjitha këto e lindin dilemën nëse monopolet e krijuara në shumë fusha do të ndërpriten nga ministri i ri, Lufti Zharku, dhe ekipi i tij, ndonëse kanë kaluar mbi 6 muaj që udhëheqin me ministrinë në fjalë. Ministri Zharku me veprimet e deritashme dhe me gjithë premtimet e bëra se do ta luftojë monopolin, në praktikë po vepron sikur paraardhësit e tij dhe po hesht para detyrimeve të ligjit dhe kushtetutës që e detyrojnë të veprojë. Sipas ekspertëve, nëpërmes kufizimit të dhënies së këtyre licencave, po shkelet mbi parimet e ekonomisë së tregut të lirë. Ekspertët janë të mendimit se licenca për terminale doganore deri tash kanë marrë vetëm ato kompani dhe biznese që janë të kapura nga partia në pushtet (që deri dje ishte, PDK-ja), ndërsa bizneset që nuk kanë këto lidhje po sorollaten nga një zyrë në tjetrën dhe pas shantazhimeve të gjithanshme ato biznese refuzohen për dhënien e lejes së punës. Ndonëse ka shumë kompani kosovare që i plotësojnë kushtet për këtë veprimtari, shtrohet pyetja përse të gjitha ato biznese nuk po licencohen. Ministria duhet të bëjë liberalizimin e plotë të këtij tregu, siç e parasheh ligji dhe Kushtetuta. Ndryshe, me gjithë pyetjet e dërguara gjatë ditës në adresë të Zyrës për Informim të Qeverisë dhe zëdhënësit Arban Abrashit dhe në adresë elektronike të Zyrës së Informim të Ministrisë së Infrastrukturës lidhur me këto çështje, asnjëra prej tyre nuk kanë kthyer përgjigje. 

Njerëzit e politikës e bëjnë kontrabandën nëpër terminale

Faik Krasniqi, njohës i çështjeve ekonomike, tha se qëllimisht nuk u jepet licenca kompanive të tjera, për hapjen e terminaleve të reja. "Kjo ngase nëpër ato terminale ku zhvillohet kontrabanda më e madhe, janë të lidhur ngushtë oligarkët e politikës dhe biznesit, të cilët këtë gjë e bëjnë prej pasluftës dhe bizneset e tyre kanë lulëzuar falë kontrabandës dhe korrupsionit nëpër dogana", tha Krasniqi, duke shtuar se vështirë që do të ndalen këto krime nëpër Dogana, sepse mu këta që i bëjnë këto krime ekonomike dhe krime të natyrave të ndryshme, i kemi në pushtet tash e 16 vite. "Kështu që, pa u larguar nga skena politike e gjithë kjo kastë tepër kriminale, këta mafiozë të politikës dhe parapolitikës, pa i penguar askush do të vazhdojnë ta vjedhin dhe plaçkitin pamëshirshëm këtë shtet dhe këtë popull, gjë të cilën e bëjnë që 16 vite, nuk ka zhvillim", tha Krasniqi. Ndërsa, eksperti i ekonomisë, Isa Mulaj, nga Instituti për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike (INEPRA) tha se, pseudoshteti i Kosovës prej kohësh ka qenë një lloj organizate private, dhe kjo është shpërfaqur dukshëm sidomos kohëve të fundit kur edhe faktori ndërkombëtar është brengosur shumë se çka po i bën garnitura private e shtetit shoqërisë kosovare. "Prandaj, për sjelljen e ligjshmërisë, faktorët e huaj, do të thotë SHBA dhe BE, të cilat e ndihmuan bërjen e këtij gjysmë shteti, janë të interesuara ta bëjnë Kosovën shtet normal e ligjor përmes Gjykatës Speciale. Pa këtë lloj gjykate, të kota janë pyetjet pse nuk hapet edhe një terminal doganor, pse ka kontrabandë nga pozita zyrtare për interesa private, pse ka krime, hajni, shpëlarje të parave, ngufatje të bizneseve tjera te ligjshme , e shumë pyetje tjera. Këto probleme mund t'i zbusë vetëm themelimi, funksionimi dhe efikasiteti i Gjykatës Speciale, e cila është domosdoshmëri për shkak të kriminalizimit të gjykatave vendore. Gjykata Speciale duhet të jetë në kompetencë të huaj nëse duam sundim të ligjit", tha Mulaj.

Ministria e Infrastrukturës e ka detyrim që të thyejë monopolet

Deputeti Pal Lekaj (AAK) tha se një ndër qëllimet themelore të licencimit të operatorëve ekonomikë në të gjitha lamitë e ekonomisë dhe më gjerë, përfshirë këtu edhe Terminalet Doganore, është rregullimi i tregut dhe luftimi i monopoleve. "Në Kosovë, fatkeqësisht, është duke ndodhur e kundërta. Licencimi i operatorëve ekonomikë është politizuar e bllokuar skajshmërish. Kështu licenca në Kosovë marrin vetëm ato kompani që janë të kapura nga partia në pushtet, ndërsa të tjerat sorollaten nga një zyrë në tjetrën dhe pas shantazhimeve të gjithanshme ato refuzohen", tha Lekaj. Ai tha se kjo jo vetëm që po ndikon negativisht në rregullimin e tregut, por po e shkatërron edhe klimën e bërjes së biznesit dhe në të njëjtën kohë po i largon investitorët e huaj dhe vendorë nga vendi ynë. "Përse Ministria e Infrastrukturës nuk e licencon edhe një tjetër terminal të mallrave dhe kush e pengon atë, kur dihet se ligji dhe Kushtetuta e detyrojnë që licencat duhet t'i jepen çdo operatori që i plotëson kushtet për të ofruar shërbimet", tha deputeti Lekaj, duke shtuar se monopolet në ekonomi janë shumë të dëmshme për vendin ku ato funksionojnë dhe si të tilla në ekonominë e lirë të tregut nuk duhet të lejohen. "Çdo pjesëmarrje në treg të një subjekti prej 40 për qind e më tepër quhet monopol dhe në rastet e tilla qeveria duhet të ndërmarrë masa të menjëhershme afatshkurtra dhe afatgjata", tha ai. 

Monopole në çdo fushë

Ekonomisti, Ismajl Kastrati, ish-kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, tha se është e vështirë të parashikohet se çfarë vendimi do të marrë Qeveria për luftimin e monopolit, kur vetë Qeveria, apo një pjesë e saj, është kreatore e monopoleve. "Aktualisht, në ekonominë tonë funksionojnë të mbështetura nga Qeveria (apo me bekimin e Qeverisë) monopolet, ose oligopolet: në sistemin bankar, në elektroenergjetikë, në telekomunikacion (si p.sh Z- Mobile) në importin dhe kontrollin e naftës dhe derivateve të saj, në tregti (supermarkete), në homologimin e veturave, në kompanitë e sigurimeve (Shoqata e sigurimeve për kartonin e gjelbër), në terminalet doganore", tha Kastrati, duke shtuar se këto monopole të koordinuara nga strukturat e caktuara edhe kriminale të Qeverisë dhe Parlamentit, e ushqejnë korrupsionin dhe krimin ekonomik. "Ndërkaq, është vërtetuar se korrupsioni, e rrit koston e mallrave të konsumit për 20 për qind dhe kush i paguan këto", tha Kastrati. Ndërsa, ligjëruesi universitar, dr. Osman Ejupi, ish-kryetari i Autoritetit Kosovarë të Konkurrencës, tha se Qeveria duhet sa më parë marrë vendim, të funksionalizojë Autoritetin e Konkurrencës i cili është i obliguar ta zbatojë Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës, e me këtë edhe mbrojtjen e tregut nga monopolet. "Nuk ka nevojë të zbulohet asgjë, vetëm e vetëm zbatimi i ligjit në fuqi. Natyrisht në mbrojtjen e tregut duhet të ndihmojnë edhe mekanizmat e tjerë të linjës, dikasteret qeveritare, rregullatorët e pavarur, inspeksioni, si dhe komuniteti i biznesit në përgjithësi", tha Ejupi. Edhe ekonomisti Nëntor Shaqiri, ekspert i Integrimeve Evropiane, tha se Qeveria dhe organet e Administratës Tatimore dhe Komisioni i Konkurrencës duhet të trajtojë njësojë të gjitha bizneset duke mos bërë dallim, në mënyrë që të krijohet një ambient i barabartë biznesor. "Duke aplikuar masa të njëjta ndaj bizneseve shmangen pretendimet e disa bizneseve për të krijuar monopol në tregun e vendit", tha Shaqiri.  (KOSOVA SOT)