Zbardhen përgjimet e Fatimes së ISIS

  • 02 July 2015 - 23:30
Zbardhen përgjimet e Fatimes së ISIS

Mediat italiane kanë publikuar sot disa biseda të përgjuara nga shërbimet sekrete, falë të cilave është zbuluar aktiviteti i celulës terroriste italo-shqiptare, koduar nga policia italiane si operacioni “Martesa”.
Në një nga bisedat ajo i thotë babit të saj se nëse do të dilte në front atëherë do të merrte edhe një makinë në formë shpërblimi.

Babai i Maria Giulia Sergio kërkon të dijë nëse në Siri mund të blej një makinë e të ketë një patentë.

Maria apo Fatima i përgjigjet “se këtu në Siri nuk duhet patentë, Saidi, (Aldo Kobuzi) ka marrë patentë si muhaxhedin, si luftëtarë i Allahut. Do t’i jap ai makinës, mos u shqetëso baba për asgjë, Saidi (Aldo Kobuzi) në Shqipëri nuk kishte patentë por dy muaj praktikë këtu në Siri e mori gjithçka. Babi nëse shkon dhe ti në front me Saidin (Aldo Kobuzi) të japin makinë dhe kallashnikov.”

Ndërsa në muajin janar të 2015 pak ditë pas atentatit terrorist në selinë e revistës Charlie Hedbo në Francë, Maria Giulia Sergio ndërsa flet me familjen e saj shprehet e kënaqur aktin e dhunshëm e për vdekjen e karikaturistëve e gazetarëve; “Faleminderit Allahut për vdekjen e atyre që talleshin me Profetin tonë të Madh”, thotë ajo.

Shqiptari Aldo Kobuzi, shkruhet në dosje, i vetëquajtur Said, është përgatitur si luftëtarë i shtetit islamik në një kamp ushtarak në Irak, më pas është transferuar në Siri ku ka marrë pjesë në disa aksione të dhunshme me rolin e një muhaxhedini të vërtetë. Arsyeja e martesës mes Aldo Kobuzit e Maria Giulia Sergio ka qenë pikërisht mundësia për të lejuar italianen e konvertuar në islam, për të hyrë në territorin e shtetit islamik.

Përgjimet telefonike nisin qysh në tetorin e 2014 e marrin fund më 8 qershor 2015. Mes tyre janë dhe bisedat e Donika Cokut me familjarët e saj në Shqipëri. Të gjitha këto përgjime së bashku me aktivitetin e çdo njërit prej anëtarëve të celulës janë pjesë e dosjes prej 42 faqe përgatitur nga hetuesi i prokurorisë së Milanos Ambroxhio Moccia./Shqiptarja/