Bastardët e politikës së inkriminuar detyrojnë popullin ta braktisë Republikën

  • 24 March 2017 - 07:40
Bastardët e politikës së inkriminuar detyrojnë popullin ta braktisë Republikën

Pakica qeveritare në dy nivelet e pushtetit të inkriminuar u stërpasurua, shoqëria u varfërua dhe u dekurajua,shkruan gazeta Kosova Sot.

"Si rezultat i këtij mjerimi të përgjithshëm, sot çdo i dyti i ri mendon se si ta bëjë një zgjidhje drejt vendeve perëndimore. Kosova, si shoqëri, po humb ngadalë premtimin për zhvillim dhe prosperim, moshën rinore, e cila si rezultat i politikës klienteliste dhe joqytetare detyrohen të marrin në sy botën", theksoi analisti Arsim Haziri

Humbja graduale e besimit të qytetarëve te subjektet politike që po qeverisin me vendin, për gjithë këto 18 vjet të pasluftës, sipas njohësve të rrethanave, është bërë tepër shqetësuese për Kosovën. Rënia e besimi në këtë skenë politike të degraduar e të bastarduar flet për atë se qytetarët e kanë shumë problem ta veçojnë ndonjë parti, e cila nuk është e lidhur me krimin e organizuar dhe korrupsionin. Edhe vetë ambasadori britanik është shprehur se qytetarët nuk duhet të votojnë të korruptuarit e kriminelët, por njerëzit e pastër, që do t'u shërbejnë atyre si qytetarë. Po problemi është se ku të gjenden figurat e pastra të papërlyera me krimin e organizuar dhe korrupsionin? Analisti politik, Florim Zeqa thotë se mbetet shqetësuese dhe fakti i rënies së imazhit të Kosovës jo vetëm te qytetari i zakonshëm brenda shtetit, por edhe karshi faktorit ndërkombëtar, shkaku i nivelit të lartë korruptiv dhe kriminalitetit në rritje e sipër. "Në anën tjetër, si pasojë e klasës politike të korruptuar kemi rënie të besimit të qytetarëve në partitë politike. Sa më shumë afrohet afati i zgjedhjeve komunale në vjeshtë, aq më e paqartë mbetet situata në mesin e qytetarëve, pra qytetarët e kanë të vështirë të ndajnë ndonjë parti, e cila nuk është e lidhur me krimin e organizuar dhe korrupsionin, ngase të gjitha, pa dallim, në pushtet apo në opozitë, në këtë punë të ndyrë bëjnë gara se kush do të përfitojë më shumë në pushtetin lokal dhe atë qendror. Aq shumë janë korruptuar dhe kriminalizuar krerët e lartë partiakë, saqë qytetarët e kanë të vështirë të përcaktohen edhe për politikanët veç e veç, ngase në opinionin qytetar (me të drejtë) është krijuar bindja se të gjithë politikanët janë bërë të njëjtë; hajna, mashtrues, intrigantë të pabesë dhe tradhtarë", potencoi Zeqa. 

Listat duhen pastruar

Sipas prof. Muhamet Kelmendit, humbja e besimit qytetar në këtë skenë politike lidhet drejtpërdrejt me mungesën afatgjate të dekriminalizimit të politikës, që vazhdon të jetë akoma një ndër problemet më madhore të shtetit tonë. "Në Kosovë kemi pasur dhe kemi një ligj, i cili tregon faktet se kur dhe si mund të kandidohen për pushtet, qoftë lokal, qoftë qendror, kandidatët e partive politike. Baza është dënimi i plotfuqishëm si fakt i mënjanimit nga lista e të dënuarve si kandidatë. Mirëpo, e keqja është se mu ky ligj, tash e 9 vjet, madje edhe në kohën e UNMIK-ut, nuk është respektuar", ka thënë ai. " Atëherë, nën pushtetin e UNMIK-ut me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së, si dhe pas shpalljes së pavarësisë, nga PDK-ja si udhëheqëse në koalicione, nuk është shkuar nga spastrimi i listave të kandidatëve, por janë pranuar dhe zgjedhur në nivel komunal kryetarët dhe asamblistët e penalizuar, derisa në nivel qendror, deputetët dhe ministrat e zëvendësministrat, të cilët kanë qenë në ndjekje dhe edhe më të rëndë, nën hetime, por madje edhe të dënuar me aktgjykim. Krejt kjo është bërë me qëllim të karakterit karrierist, fitimprurës dhe grupor, deri edhe te ndonjë qëllimi tjetër, prej nga udhëheqësit e partive politike në konkurrencë për pushtet nuk i kanë mënjanuar kandidatët dhe natyrisht, korrupsioni dhe krimi ka lulëzuar, kuptohet në të dy nivelet", tha Kelmendi. Mbetja e të penalizuarve ose në ndjekje nëpër listat zgjedhore, sipas tij, ka bërë që një shumicë e konsiderueshme qytetarësh të abstenojë nga zgjedhjet. "Kjo çështje është bërë shkak që të abstenohet nga zgjedhjet. Në të gjitha zgjedhjet, qoftë lokale, qoftë te përgjithshme, përveç zgjedhjeve të para të pas luftës, kurrë më nuk kemi pasur pjesëmarrje mbi 45 % të votuesve të regjistruar. Kjo tregon se kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë rreth 50% apo më tepër e votueseve që nuk kanë shkuar në votime. Ky fakt më së miri e pasqyron humbjen drastike të besimit qytetar në raport me partitë politike", potencoi Kelmendi.

"Kjo politik e papërgjegjshme dhe zhgënjyese për popullin kosovar përbën argumentin më të arsyeshëm dhe më të qëndrueshëm pse një i ri nuk mund të qëndrojë në Kosovë. Pra, Kosova shquhet si shtet i paperspektivë, shtet i cili nuk i plotëson kushtet relevante për jetesë dhe edukim", tha Arsim Haziri

Të gjithë duan të ikin

Edhe analisti politik, Ali Hertica konsideron se rënia e besimit te qytetarët, qoftë për pozitën apo opozitën, flet për fillimin e degradimit të skajshëm të demokracisë shumëpartiake. "Tani edhe shprehja kritike e ambasadorit britanik është shumë e saktë dhe evidente me gjendjen reale të situatës së shoqërisë sonë. Edhe unë si vëzhgues i zhvillimeve në këtë skenë politike do të kisha përçuar mesazhin e fuqishëm që më kurrë të mos votohet asnjë fytyrë e çoroditur e skenës politike, dhe tani t'i themi stop jetës luksoze mbi bazën e vjedhjes dhe të plaçkitjes së shtetit nga ata politikanë për të cilët duhet të vijë në shprehje ndëshkimi me votim, derisa dorëheqja morale para qytetarit dhe përgjegjësia para ligjit janë dy mungesa të mëdha në kulturën akoma të pandërtuar të lidershipit politik kosovar", tha Hertica. Politologu Arsim Haziri, humbjen e besimit qytetar në këto parti politike e ilustron me faktin që, sipas tij, për pasojë të kësaj klase politike, Kosova është një nga vendet më të pazhvilluar në botë dhe nuk garanton as minimumin e një perspektive jetë- sore. "Si rezultat i këtij mjerimi të përgjithshëm, sot çdo i dyti i ri mendon se si ta bëjë një zgjidhje drejt vendeve perëndimore. Kosova, si shoqëri, po humb ngadalë premtimin për zhvillim dhe prosperim, moshën rinore, e cila si rezultat i politikës klienteliste dhe joqytetare detyrohen të marrin në sy botën", theksoi Haziri.  

Izolimi i Kosovës, dështimi më i madh

Analisti Albrim Badallaj konsideron se ky zhgënjim qytetar vjen nga fakti se të mëdhenjtë e kanë kapur shtetin dhe nuk po japin asgjë pozitive e zhvillimore për qytetarin, votuesin që iu ka mundësuar këtyre partive politike të qeverisin me vendin. "Realisht, kur në pushtet kemi dy partitë kryesore është vështirë që të mos ketë ngecje dhe luftë për marrje meritash. Kësisoj edhe pafuqia e opozitës në numra bënë që ajo të jetë më pak e rëndësishme në Kuvend. Ky legjislativ u përball me ikjet masive të rinisë, problemin e 'Trepçës', Demarkacionin, transformimin e FSK-së dhe kapriçot e Listës Serbe, gjë që i spostoi ata nga problemet reale që ishin korrupsioni, varfëria, moszhvillimi ekonomik, izolimi dhe papunësia. Kjo pati prodhuar pakë- naqësi të madhe te populli, por që protestat e opozitës dështuan për shkak të përçarjes së madhe ndërmjet vetes", ka thënë ai. "Dështimi më i madh i këtij legjislativi dhe konkretisht mazhorancës, ka qenë sfera e jashtme, ku vazhdojmë të mbetemi të izoluar dhe pos MSA-së, Kosova nuk ka arritur që të anëtarësohet në organizata me nam ndërkombëtar", potencoi ai. "Polarizimi i skajshëm ndërmjet Qeverisë dhe opozitës ka prodhuar destabilitet politik, por edhe në atë të sigurisë, duke u bërë kryelajm i medieve botërore, për të keq në këtë rast. Institucionet tona mundohen ta mbulojnë papunësinë, duke mos i llogaritur studentët në këtë drejtim, e gjendja në fakt është si mos më keq", tha Albrim Badallaj. Sipas tij, një veprim paksa më serioz që shihet me pozitivistët nga qytetarët nëse ai mbahet deri në fund, ka të bëjë me disa veprime kundrejt shtetit serb, si ndalja e trenit, nxjerrja e rezolutës për ndërprerje të bisedimeve dhe aktualizimi i çështjes së formimit të ushtrisë. 

Shteti në anarki, duhet gjeneratë e re

Analisti politik Blerim Burjani pohon se fenomenin e humbjes së besimit qytetar në politikën e tanishme të mplakur dhe të pareformuar për këto gati dy dekada, e ka vërejtur që një kohë të gjatë nga pozita e anë- tarit të KQZ-së dhe ballafaqimit të statistikave të daljes në zgjedhje, që vazhdimisht kanë shënuar minus. "Kosova u shndërrua në një shtet anarkik të sundimit ku të gjitha partitë, e veçmas liderët e tyre dhe pjesa udhëheqëse e tyre, është pasuruar pa bazë dhe ka mbërri për një kohë të shkurtër të përfitojë nga varfëria e masës së madhe të qytetarëve, që për më keq ata edhe keqpërdorën votën e tyre", potencoi ai. "Qytetarët kanë votuar për një mirëqenie sociale dhe ekonomike, por jo për bllokada dhe inate, sepse ky nuk ka qenë kurrë as nuk është edhe tani vullnet i qytetarëve, por i këtyre njerëzve, individëve dhe grupeve të caktuara të interesit në skenën politike. Kjo është një arsye shumë e fuqishme që flet se tani më shumë se kurrë Kosova ka nevojë për një gjeneratë më të re politike se kjo që e kemi tani", tha Blerim Burjani.

(Kosova Sot)