Kurti i kthehet idesë së Bashkimit Kombëtar, thotë se Vetëvendosje e ka rendin ta marrë pushtetin

  • 11 February 2018 - 15:00
Kurti i kthehet idesë së Bashkimit Kombëtar, thotë se Vetëvendosje e ka rendin ta marrë pushtetin

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurt, gjatë ditës së sotme në mbledhjen e 32'të të Këshillit të Përgjithshëm të LVV’së, i është rikthyer idesë për bashkimin kombëtar të Kosovës dhe Shqipërisë. Kurti në fjalimin e tij të parë si kryetar i LVV’së ka deklaruar se themel i politikës së partisë që ai e udhëheq është plotësimi i sovranitetit të Kosovës për bashkimin me Shqipërinë, si projekt vetëvendosës, zhvillimor e paqësor.

“Ne i kemi themelet tona politike, ato të cilat na bëjnë të gjithëve bashkë, e me të cilat pajtohemi të gjithë. Ato janë: përpjekja e pandërprerë për plotësimin e sovranitetit të Kosovës dhe për bashkimin me Shqipërinë, si projekt vetëvendosës, zhvillimor e paqësor; rruga socialdemokratike për mbrojtjen dhe nxitjen e prodhimit vendor, zhvillimit ekonomik e punësimit, me drejtësi sociale dhe jo vetëm gjyqësore; si dhe për forcimin e shtetit në mënyrë demokratike e të drejtë, ndryshe nga ç'kanë bërë pushtetet e deritanishme që e kanë mbrojtur korrupsionin e vet me autoritarizëm e me brutalitet”, ka thënë Kurti në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm. 

Në fjalimin e tij të parë si kryetar partie, Kurit ka falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar për partinë të cilën ai e udhëheq. Ai e përmend edhe të dorëhequrin, ish-kreun e VV’së, Visar Ymerin.

“Ky fjalim është fjalimi im i parë pas zgjedhjeve të brendshme të datës 21 janar, ku me votën e anëtarëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, sipas parimit një anëtar-një votë, unë u zgjodha kryetar i Lëvizjes, pasi që mandati i rregullt i ish-kryetarit, z Visar Ymeri, kishte përfunduar”, ka thënë Kurti,

“Me këtë rast dua të falënderoj të gjithë ata që kanë kontribuar në të shkuarën për çështjet dhe bindjet e përbashkëta, duke veçuar ish-kryetarin Visar Ymeri, i cili ka qenë një bashkëpunëtor i vlefshëm dhe një kontribues në rritjen dhe përparimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE!”.

Thotë se detyrë e tij në qeverisjen e ardhshme të LVV’së do të jetë qeverisja në nivelin qendror. Përmend komunat të cilat i kanë fituar në nivelin lokal.

“Detyrë e jona, 19 vite pas çlirimit të Kosovës, është që ta vendosim Kosovën në binarët e zhvillimit dhe të forcimit, e për këtë është e nevojshme të qeverisë VETËVENDOSJE!-a. Gjatë vitit 2017 ne i patëm disa fitore të shkëlqyera elektorale, u bëmë forca e parë në zgjedhjet qendrore, dhe fituam dy qytetet më të mëdha, Prishtinën e Prizrenin, por po ashtu fituam edhe Dardanën, si dhe arritëm në balotazh në Gjilan, Kaçanik e Besianë”, ka deklaruar në fund, Albin Kurti.

(Kosova Sot)