Politika t'i mbajë duart larg ministrive antikrim

  • 14 November 2018 - 07:51
Politika t'i mbajë duart larg ministrive antikrim

"Deklarata e znj.Leyela MosesOnes është një deklaratë realiste, dashamirëse, e sinqertë dhe një mesazh i qartë për të reflektuar Qeveria shqiptare, por njëkohësisht edhe një sinjal për Qeverinë e Kosovës. Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë funksionojnë brenda urdhrave politikë, por jo duke vepruar e duke punuar brenda mandatit kushtetues e ligjor", thotë analisti Hidajet Ahmeti për "Kosova Sot".

Njohësit e fushës së sistemit të drejtësisë, ekspertët e pavarur dhe analistët, e shohin shumë me interes një opsion të ri, kërkesë që vjen nga ana e SHBA-së, që po këmbëngul në nevojën e një Ministrie të Brendshme plotësisht funksionale, e cila duhet të funksionojë jashtë politikës. Këtë projektide e ka bërë publike e ngarkuara me punë e ambasadës së SHBA-së në Tiranë, Leyla Moses-Ones, e cila ka deklaruar se autoritetet shqiptare, në luftën e tyre ndaj krimit të organizuar duhet të godasin përfituesit e vërtetë të kësaj veprimtarie, pavarësisht nëse ata janë kriminelë apo zyrtarë dhe se Ministria e Brendshme duhet te funksionojë jashtë politikës. Njohësit e kësaj fushe mendojnë se edhe në Kosovë duhet urgjentisht të kërkohet që Ministria e Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë të jenë në nivel ekspertësh, jashtë politikës, sepse përderisa në MPB-ja dhe në MD-ja kemi ministra politikë, staf politik të inkriminuar, nuk ka shans që të kemi prokurori, polici e gjyqësor të pavarur e profesional. Mirëpo, sfidë paraqet pengesa që vjen nga politika e korruptuar dhe inkriminuar. Një pengesë të tillë e sheh të pakapërcyeshme tani për tani prof. i së drejtës Blerim Burjani. "Është e kuptueshme dhe e qartë se për të funksionuar shteti kërkohet respektimi i pushteteve të ndara, ato që janë me kompetenca, me rend dhe ligj, duhet të funksionojnë pa ndikim dhe ndërhyrje politike, gjyqësia përgjithësisht organet e drejtësisë, duhet të jenë të pavarura dhe duhet respektuar pushtetet e pavarura", u shpreh ai. 

Keqqeverisja e thelluar prej pavarësisë

Sipas analistit Hidajet Ahmeti, reflektimi qeverisës është pasqyrë, e cila është determinuar nga keqqeverisja e mbasshpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ai thotë se hierarkia e krimit e korrupsionit është e ndërtuar brenda një ombrelle qeverisëse dhe ka shtënë rrënjët thellë në institucionet publike, të cilat çdo ditë e më shumë po ngufatin institucionet publike dhe jetën e qytetarëve. "Deklarata e znj.Leyela Moses-Ones është një deklarata realiste, dashamirëse, e sinqertë dhe një mesazh i qartë për të reflektuar Qeveria shqiptare, por njëkohësisht edhe një sinjal për Qeverinë e Kosovës. Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë funksionojnë brenda urdhrave politik, por jo duke vepruar e duke punuar brenda mandatit kushtetues e ligjor. Është e ligjshme që bashkëveprimi dhe bashkëpunimi brenda Qeverisë të jetësohet në mes stafit politik menaxherial dhe kryeministrit, por jo stafi politik i kryeministrit të instrumentalizohet nën dirigjimin e urdhrave politikë. Në logjikën qeverisëse në Kosovë vartësit ndaj eprorit janë super të dëgjueshëm, posaçërisht në pozitat politike, të cilat janë me mandat", tha Ahmeti për "Kosova Sot". Ndërsa, analisti dhe njohësi i kësaj fushe,Bislim Aliu, thotë se me të vërtetë është shumë e qëlluar ideja që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po këmbëngulin, në nevojën e madhe të një Ministrie të Brendshme, e cila do të jetë plotësisht funksionale, e pavarur dhe të funksionojë jashtë politikës, por mbetet për të parë se si do të pranohet kjo kërkesë nga ana e politikës që drejton shtetin. " Dhe, për këtë, e ngarkuara me punë e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, Leyle Moses-Onos, ka deklaruar se autoritetet shqiptare, në luftën e tyre ndaj krimit të organizuar, duhet të godasin keqbërësit e vërtetë të kësaj veprimtarie, pavarësisht nëse ata janë kriminelë apo zyrtarë dhe se Ministria e Brendshme duhet të funksionojë jashtë politikës", u shpreh ai. Sipas Aliut, tani edhe në Kosovë duhet urgjentisht të kërkohet që Ministria e Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë të jenë jashtë politikës.

LIDERSHIPI I DOBËT

"Përderisa në MPB dhe në MD kemi ministra politikë, staf politik të inkriminuar, nuk ka fare shans të kemi prokurori, polici e gjyqësor të pavarur e profesional! Andaj, për këtë duhet urgjentisht të kërkohet që këto dy ministri të mos udhëhiqen nga servilët dhe kukullat e pushtetarëve politikë, siç kanë bërë në dy dekadat e fundit", tha analisti Bislim Aliu për "Kosova Sot".

POLITIKA E INKRIMINUAR

"Politika e inkriminuar penalisht nuk i lëshon drejtësinë e as organet e tjera të rendit dhe ligjit të funksionojnë në parametrat kushtetues dhe ligjor, sepse ata mund të kapen nga këto organe për vepra penale. Këtu është arsyeja kryesore, kuptohet se këto parti e kanë kapur edhe shtetin, edhe organet e drejtësisë, dhe me fjalë të tjera, i kanë bllokuar në temat e ndjekjes së krimit,korrupsionit të zyrtarëve të lartë, prandaj nuk ka shkapje, ka veç bllokim dhe mosfunksionim. Këto janë çështjet pse nuk ka asgjë në funksionim normal", tha Blerim Burjani për "Kosova Sot".

DEPOLITIZIMI EMERGJENT

Sipas politologut Arsim Haziri, çdo shteti i nevojiten ministri dhe institucione funksionale, mirëpo Ministria e Punëve të Brendshme, e cila menaxhon direkt me policinë dhe hetuesinë duhet që të veprojë në mënyrë të paanshme dhe mos të ketë ndikime politike."Nëse ka ndikime politike në këtë ministri, e që është shumë e mundshme që të ketë, atëherë krimi i organizuar vetëm sa do lulëzojë, kriminelët do të rrisin veprimtarinë e tyre për arsye se hetuesia dhe policia nuk do t'i kapin apo edhe nëse i kapin në faza të caktuara do t'i lirojnë, dhe nga kjo krijojnë edhe frikë tek ata të cilët janë të thirrur për ta luftuar këtë dukuri, gjithashtu edhe në Ministrinë e Drejtësisë duhet që të ketë sa më pak ndikim politik", tha Arsim Haziri për "Kosova Sot".

PRETENI: ME PASTRIMIN E PROKURORËVE, GJYQTARËVE DHE POLICËVE, SKENA POLITIKE DO TË PASTROHEJ

Sipas Hasan Pretenit, njohës me përvojë në fushën e drejtësisë dhe antikorrupsionit, nuk është për t'u admiruar, por realiteti është ky, ashtu siç është edhe në Tiranë, edhe në Prishtinë. "Veprimet shtetërore shumë të rëndësishme vihen në lëvizje vetëm pas alarmit-thirrjes së miqve tanë. I tërë procesi i pastrimit ( Vetting-ut) në Tiranë është me kërkesënultimatumin e ndërkombëtarëve, amerikanëve në vend dhe rend të parë. Edhe ne kosovarët do të ishim shumë të lumtur nëse erërat e Tiranës do të përcillen edhe në Prishtinë. Kjo është e vetmja rrugëdalje. Pastrim i skenës, Vetting i thellë, realizimi i tri fazave pastruese. 1. E kaluara. 2. Pasuria dhe performanca, dhe 3. Rrethi dhe miqësia. Nëpër këtë filtër duhet të sfidohen të gjithë prokurorët, gjyqtarët dhe policët. Me pastrimin e tyre skena politike do të pastrohej, sepse të përzgjedhurit e seleksionuar nuk do të ndikoheshin nga politika", propozon ai. "Nëse gjyqësori fillon të punojë drejt në respektim të ligjit dhe veprimit të pavarur, nuk do të mungonte suksesi, të gjithë kriminelët në burg ( nëse mjaftojnë kapacitetet ekzistuese) dhe konfiskim të pasurisë. Qytetari do të fillojë të besojë dhe të bashkëpunojë me ta. Kjo është zgjidhja e vetme, të gjitha të tjerat; ndryshimet ligjore, strategjitë, planet dhe analizat janë humbje kohe dhe krijimi i mjegullës dhe hutisë. Pa reformë të thellë nuk do të kemi as sundim të ligjit, as kënaqësi qytetare dhe as besim tek institucionet", tha Preteni për "Kosova Sot".

KAPITI: VETËM SHTETI DIKTATORIAL DHE AI KORRUPTIV-MAFIOZ KAPIN DREJTËSINË DHE MINISTRINË E BRENDSHME

Njohësi i fushës së drejtësisë, Skënder Kapiti, tha për "Kosova Sot" se vetëm shteti diktatorial dhe ai korruptivmafioz kapin drejtësinë dhe Ministrinë e Brendshme, pasi ato janë armët më të sigurta dhe më të mira që i shërbejnë politikës dhe politikanëve të kriminalizuar. "As Prokuroria Speciale dhe cilado qoftë drejtësi me të cilën nuk bashkëvepron shteti, pushteti dhe vetë ligji demokratik, nuk mund të funksionojnë mirë, aq më keq kur kemi një politikë, pushtet dhe drejtësi, Ministri të Brendshme dhe Qeveri të kapur nga krimi e korrupsioni. Një gjendje e tillë e këtij sistemi korruptiv është shumë vështirë për të ndryshuar, pasi çdo përpjekje për ndryshim, për në drejtimin e duhur të ndërtimit të shtetit ligjor, ajo sulmohet nga të gjitha drejtimet. Drejtësia politike, e kriminalizuar dhe e korruptuar manipulon me ligjin, me drejtësinë, me krimet, me korrupsionin dhe me tradhtinë", theksoi ai. Sipas Kapitit, prokurorët dhe gjyqtarët, por edhe Policia e Shtetit manipulojnë me provat, me dosjet, me lëndët, me paditë dhe me kallëzimet e denoncimet kundër padrejtësive, ashtu sikurse edhe politika e tillë manipulon me dosjet e ish-agjentëve dhe spiunëve të Serbisë, siç politika manipulon me dosjet e korrupsionit të politikanëve, duke i bërë me to vetëm kërcënim e shantazh njeri-tjetrit. "Drejtësia, Ministria e Rendit, shoqëria civile si dhe mediet duhet të jenë shtyllat e shtetit ligjor, të depolitizuara, të dekorruptuara dhe asnjanëse, nëse shteti duhet të funksionojë, në të kundërtën kur edhe këto politizohen dhe janë bashkë partizane me politikën, me pushtetin dhe me krimin e korrupsionin e tyre, atëherë aty vendoset në sistem padrejtësia dhe korrupsioni e krimi", ka potencuar Skënder Kapiti.

 

(Kosova Sot)