Protestat në Francë do të vazhdojnë, pavarësisht masave të Makronit

  • 11 December 2018 - 14:49
Protestat në Francë do të vazhdojnë, pavarësisht masave të Makronit

Protestat dhe bllokimi i rrugëve në rrethrrotullime në Francë po vazhdon pasi protestuesit kanë thënë se masat e marra nga presidenti francez nuk janë të mjaftueshme për ta shuar zemërimin e tyre dhe për ta ndaluar kundërshtimin ndaj padrejtësisë sociale.

Protestuesit anti-qeveritarë kanë bërë thirrje për vazhdim të protestave për këtë të shtunë në Paris, pasi deri më tash janë mbajtur protesta të tilla gjatë katër fundjavëve të kaluara, në të cilat kishte dhunë në Paris dhe qytete tjera. Këto protesta e kanë futur qeverisjen e Makronit në krizën e saj më të madhe që prej kohës kur erdhi në pushtet.

Makroni doli dje me një deklaratë në televizone, përmes së cilës njoftoi për masat që i ka marrë për ta zbutur pakënaqësinë e protestuesve. Ai tha se paga minimale do të rritet për 100 euro më shumë, ndërsa do të anulohet taksa për pensionet që janë nën dy mijë euro. 

Sidoqoftë, ai nuk njoftoi për ndonjë hap lidhur me politikat tregtare. Ai vazhdon të qëndrojë prapa vendimit për taksë të përgjysmuar për të pasurit, ndërsa protestuesit po kërkojnë që ndaj tyre të zbatohet një taksë e plotë, shkruan “The Guardian”.

 

(Kosova Sot)