Paralajmërimi i fortë për komandantët: Thaçi do t’i dorëzojë të gjithë në Speciale

  • 16 December 2018 - 15:14
Paralajmërimi i fortë për komandantët: Thaçi do t’i dorëzojë të gjithë në Speciale

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ditë më parë duke komentuar ftesat për intervistim që Gjykata Speciale u dërgoi  disa komandantëve dhe ushtarëve të UCK-së, ka bërë thirrje që këta të fundit të dorëzohen në Speciale.

“Luftëtarët e lirisë, për të dëshmuar të vërtetën dhe drejtësinë e luftës së tyre, kaluan nëpër sisteme gjyqësore të njëpasnjëshme të udhëhequra nga ndërkombëtarët. Ata kaluan nëpër sistemin gjyqësor të UNMIK-ut, të Tribunalit të Hagës dhe të EULEX-it, për t’u riballafaquar më pas edhe me kërkesën e aleatëve tanë për themelimin e Dhomave të Specializuara, që ishte precedent në raport me vendet e tjera të rajonit të dala nga lufta. Kosova, edhe pse e viktimizuar, duke besuar në të vërtetën dhe drejtësinë, i themeloi Dhomat e Specializuara në verën e vitit 2015-të. Luftëtarët tanë të lirisë, çdoherë kanë qenë shembull në rajon, duke iu përgjigjur dhe mos i ikur asnjëherë drejtësisë. Edhe sot, në situatën e re të krijuar, çdo ish-luftëtar i lirisë duhet t’i ruajë dhe kultivojë vlerat fisnike prej luftëtari, duke iu përgjigjur Dhomave të Specializuara me korrektësi qytetare dhe ligjore”, shkroi Thaci në faqen e tij në facebook, shkruan Kosova Sot.

Image
Adem Salihaj

 

Por lidhur me këtë, ish deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, në një prononcim për Kosova Sot, ka thënë se Thaçi do t’i dorëzojë në Gjykatë Speciale të gjithë shokët e tij.

“Ka vite që kam thënë se Hashim Thaçi i ka dorëzuar dhe do t'i dorëzojë krejt shokët e tij në burg dhe si jep as pesë pare për këtë. Hashim Thaçi është i gatshëm ta japë gjysmën e Kosovës, e s'po i jep shokët e tij, vetëm që ta shpëtojë lëkurën e tij”, ka deklaruar Salihaj.

Sipas tij, Thaçi është profiteri më i madh, si në luftë ashtu edhe në paqe.

“ Këta shokët e tij aspak nuk janë të vetëdijshëm kush është Hashim Thaçi. Nuk e ka pasur kot nofkën "gjarpri".  Ai është profiteri më i madh i luftës dhe i paqes. Gjakun e dëshmorëve dhe martirëve të luftës,sakrificën e të gjithëve e ka shitur dhe e ka shndërruar në pasuri të tij”, shprehet Salihaj për Kosova Sot.

Për fund, ish deputeti i LDK-së deklaron se Thaci do të jetë i fundit që do të burgoset.

“Sa e sa shokë te tij më të afërt janë arrestuar dhe janë dënuar me burg. Edhe të tjerët duhet të jenë të vetëdijshëm se së shpejti do të shkojnë në burg. Thaçi do të jetë i fundit,atëherë kur nuk do të mbetet askush rreth tij pa u burgosur”, ka përfunduar për Kosova Sot, Adem Salihaj ish deputet i LDK-së.

(Kosova Sot)