Betohet presidentja e parë femër e Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili

  • 17 December 2018 - 16:29
Betohet presidentja e parë femër e Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili

Salome Zurabishvili është betuar si presidentja e parë femër e Gjeorgjisë, pavarësisht denoncimeve të opozitës se zgjedhja e saj është bërë përmes mashtrimeve. Në fjalimin e saj të parë si presidente, ajo premtoi se do t’i luftojë përçarjet politike dhe do t’i forcojë marrëdhëniet me NATO-n dhe Bashkimin Evropian.

“Si presidente e mbështetur nga partneri ynë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe miqtë tanë evropianë, unë do t’i bëj të gjitha përpjekjet që ta promovoj procesin e integrimit të vendit tonë në NATO dhe BE”, tha presidentja e sapozgjedhur.

Ajo i bëri thirrje Rusisë që ta respektojë ligjin ndërkombëtar nëse dëshiron t’i normalizojë marrëdhëniet me fqinjët e saj. Marrëdhëniet e Tbilisit me Moskën mbesin të tensionuara që nga lufta pesëditëshe e vitit 2008. 

“Rusia duhet ta kuptojë se për t’u bërë anëtare e plotë e komunitetit ndërkombëtar, duhet t’i respektojë normat ndërkombëtare me fjalë dhe me vepra”, tha ajo, shkruan “Free Europe”.

 

(Kosova Sot)