“Haradinaj pengesa më e madhe për PDK-në”, profesori paralajmëron rrëzimin e Qeverisë
Zyrtarë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë deklaruar se partia e Kadri Veselit, PDK-ja u ka ofruar rrëzimin e Qeverisë së udhëhequr nga Ramush Haradinaj.
E lidhur me këtë, profesori Muhamet Kelmendi, thotë për “Kosova Sot” se çështja e shpërbërjes së koalicionit është një dukuri normale dhe juridikisht e lejueshme nëse koalicioni nuk funksionon dhe ka probleme në funksionim, prandaj nuk do të jetë befasi as prishja e koalicionit të tashëm qeverisës, në krye të të cilit është kryeministri Haradinaj.
Mirëpo, ai thotë se PDK-ja është mësuar që partnerëve t'u krijojë befasi tradhtish.
"Çdo koalicion ndërtohet në bazë të një platforme të koalicioneve dhe ajo është ligj për palët gjatë koalicionit. Këto rregulla për PDK-në nuk kanë rëndësi as politike dhe as juridike. Tash, sipas PDK-së, është pengesë z. Ramush Haradinaj në realizimin e pikëpamjeve të PDK-së. Rruga e PDK-së në raport me koalicionet, me të gjitha partitë deri më tash, është rrugë jo e sinqertë dhe pa karakter të ndërtimit të shtetit. PDK-ja është angazhuar çdoherë në realizimin e synimeve të veta politike, karrieriste, financiare etj., që Republikën e kanë shkatërruar shumë dhe rëndë. Z. Ramush Haradinaj si kryeministër është pengesa më e madhe e PDK-së në realizimin e këtyre synimeve. Ata pretendojnë që nën udhëheqjen e z. Hashim Thaçi të bëjnë marrëveshje me shtetin serb dhe të korrigjojnë kufijtë, respektivisht të ndajnë Kosovën me shtetin kriminal serb. Këtë politikë po ua shkatërron kryeministri i Kosovës, z. Ramush Haradinaj", potencoi ai.
"Asnjë koalicion deri tash nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkuar deri në fund, pasi nga PDK-ja është shkatërruar pa e përfunduar afatin ligjor të zgjedhjeve kushtetuese. Tash po merret si shkak taksa 100%, numri i madh i të punësuarve në Kryeministri, të cilët kanë qenë dhe janë të PDK-së dhe të LDK-së. Aty i ka gjetur z. Haradinaj. Asnjë nuk e ka nxjerrë nga puna. Flitet edhe për ushtri. Për gjendjen në ekonomi e në shumë fusha, që ishin pranë shkatërrimit nga ish-qeveritarët, nga koalicioni PDK-LDK. Pra, po bëhet një luftë pa principe dhe tërësisht bazamentin e ka te marrëveshja me shtetin kriminal të Serbisë dhe asgjë tjetër", vlerësoi Kelmendi për "Kosova Sot".
Sipas tij, koalicioni mund të bjerë, pasi e ka në dorë PDK-ja, por lufta për shtet dhe sovranitet nuk përfundon këtu.
(Kosova Sot)