Gjykata shpall dënimet për vrasjen në “Bon Vivant”, autori dënohet me 21 vjet burg
Masar Gërdovci e Sherif Krasniqi u shpallën fajtorë në gjykimin për vrasjen e Rrahman Ramës, në lokalin ‘Bon Vivant’.
Për veprën penale "vrasje e rëndë", Masar Gërdovci u dënua me 21 vjet burgim, ndërsa për armëmbajtje pa leje me dënim me burgim prej 1 viti.
Atij gjykata ia shqiptoi dënim unik me burgim prej 21 vjet e 8 muajve si dhe dënim plotësues atij do t'i konfiskohet përherë arma, revolja e mbajtur në mënyrë të paautorizuar si mjet i kryerjes së veprës penale.
Ndërsa Sherif Krasniqit Gjykata i ka bërë ricilësimin e veprës penale nga vrasja e rëndë në pjesëmarrje në rrahje, për çka është shpallur fajtor dhe është dënuar me 4 vjet e tre muaj burgim, shkruan Kallxo.
Kurse për veprën penale të armëmbajtjes pa leje është liruar nga akuza.
Sipas aktakuzës së ngritur më 7 korrik 2015, Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale "vrasje të rëndë" dhe armëmbajtje pa leje.
Në Lokalin “Bon Vivant” më 13 tetor 2014 u vra Rrahman Uka që ishte roje në atë lokal. Për vrasjen tij akuzohen Masar Gërdovci e Sherif Krasniqi. Në nëntor të vitit të kaluar kishte qenë e paraparë që të shpallej aktgjykimi, mirëpo në ditën kur parashihej të shpallej aktgjykimi ndaj të akuzuarve për vrasjen në “Bon Vivant”. Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte rihapur përsëri shqyrtimin gjyqësor në procedurën e provave.
Trupi gjykues i kryesuar nga Suzana Çerkini kishte marrë vendim që shqyrtimi gjyqësor të rihapet për marrjen e një prove që ka të bëjë me gjurmët e gishtërinjve në armë.
“Rihapet shqyrtimi gjyqësor për shkak të vërtetimit të një prove në lidhje me ekzaminimin e vijave papilare të gishtërinjve të marra nga arma në mënyrë që të vërtetohet gjendja faktike”, kishte deklaruar kryetarja e trupit gjykues, Suzana Çerkini Ky rast është gjykuar nga trupi gjykues i kryesuar nga Suzana Cerkini si dhe dy anëtaret e trupit gjykues, gjykatësit Shpresa Hasaj Hyseni dhe Arben Hoti ndërsa prokurore e këtij rasti është Ferdane Sylejmani.
(Kosova Sot)