Në Itali kërkohet ligj për ritin e synetllëkut

  • 25 March 2019 - 19:08
Në Itali kërkohet ligj për ritin e synetllëkut

Riti i synetllëkut i kryer ilegalisht e i praktikuar nga familje emigrantësh me besim mysliman, po përhapet çdo ditë e më shumë në Itali e jo pak herë me rreziqe fatale.

Motivet e kryerjes së këtij riti ilegalisht është se në Itali autorizohet vetëm për shkaqe shëndetësore e nën kërkesën e mjekut pediatër, por dhe pagesa e operacionit, shpesh herë është e papërballueshme nga familjet e emigrantëve.

Në një spital publik, kosto e këtij operacioni është nga 250-400 euro e në një spital privat operacioni kushton dhjetëfish më shumë nga 2500 euro-4000 euro.

Sipas statistikave në nivel kombëtar çdo vit 4000-5000 fëmijë nga familje emigrantësh në Itali, mes të cilëve dhe shqiptarë, për motive fetare, kulturore e higjenike, i nënshtrohen kryerjes së këtij operacioni.

1400-1800 prej tyre e që përbëjnë 35% të rasteve, kryhen në mënyrë ilegale, pra jo në një ambient të specializuar mjekësore, herë nga vetë prindërit e herë nga persona jo profesionalë me një kosto të ulët 50-100 euro.

E ky fakt bën që rreziqet e këtij operacioni të jenë të larta, nga infeksioni trupor, hemoragjia e deri në fatalitet.

Më 2016 në Torino një foshnjë 1 muajsh me prindër nga Afrika humbi jetën pasi operacioni u krye në kushte shtëpiake.

Para tij raste të ngjashme ndodhën në Treviso e Bari, e rasti i fundit një ditë më parë në qytezën Scandiano në Reggio Emilia.

Vogëlushi 5 muajsh ndërroi jetë në spitalin e Bolonjës, vetëm pak orë pasi u bë synet në kushtet shtëpiake e nga vetë prindërit.

Një vit më parë në Monterotondo, vetëm pak kilometra larg Romës, viktimë e këtij riti mbeti një vogëlush 2 vjeç, fëmijë i një familje emigrantësh nga Nigeria, ndërsa vëllai i tij binjak mundi të mbijetojë pas disa javësh në reaminacion në rrezik për jetën.

Në të gjitha rastet prindërit janë përballuar me drejtësinë italiane nën akuzën e vrasjes së qëllimshme.

Pas rastit të fundit në Reggio Emilia, Kryetari i shoqatës së mjekëve të huaj në Itali, Foad Aodi i bën apel shtetit italian për hartimin e një ligji kombëtar që autorizon strukturat publike e private të lejojnë kryerjen e operacioneve të tilla me kosto të lejueshme për të gjithë, për të gartantuar shëndetin e vogëlushëve si dhe evitimin e kryerjes së operacioneve në mënyrë ilegale.

Supozohet gjithashtu se numri i fëmijëve të emigrantëve të besimit mysliman që jetojnë në Itali e që i janë nënshtruar ritit të synetllëkut është shumë më i lartë se statistikat vendase, pasi mjaft prej tyre e kryejnë atë në vendin e origjinës së prindërve.

(Kosova Sot)