Venezuela sërish në terr, ndërpriten mësimi dhe puna

  • 26 March 2019 - 16:59
Venezuela sërish në terr, ndërpriten mësimi dhe puna

Procesi mësimor dhe puna në Venezuelë janë ndërprerë përsëri të martën për shkak të mungesës së madhe të rrymës, e cila ka bërë që rrugët e Karakasit të mbesin të zbrazëta.

Qeveria socialiste e Nicolas Maduros, e cila i fajësoi Shtetet e Bashkuara dhe opozitën për ndërprerjen e parë të rrymës para disa javësh, kësaj radhe u arsyetua me një sulm në sistemin elektrik. Mungesa e rrymës i ka detyruar bizneset që të mbyllen dhe ka shkaktuar vështirësi në aeroport.

Ndërprerja e rrymës ndodhi në kohën kur tensionet me Shtetet e Bashkuara janë rritur edhe më tepër për shkak të mbërritjes së aeroplanëve ushtarakë rusë në Venezuelë fundjavën e kaluar. Për këtë arsye, Uashingtoni e akuzoi Moskën për eskalim të situatës në Venezuelë.

Rusia, e cila ka bërë shumë investime në Venezuelë, e ka mbështetur vazhdimisht Nicolas Maduron, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe shumë shtete tjera perëndimore po e përkrahin liderin e opozitës, Juan Guaido.

Sipas dëshmitarëve, qytetet perëndimore, Maracaibo dhe Barquisimeto, dhe qyteti i Valencias, i cili shtrihet në qendër të Venezuelës, nuk kanë pasur rrymë të martën.

Shumë njerëz kanë shkuar në punë për shkak se nuk e kanë parë njoftimin e autoriteteve për anulim të aktiviteteve, i cili u publikua në orën 4 të mëngjesit sipas kohës lokale. “Si mund ta di kur nuk ka rrymë dhe nuk ka internet”, tha një qytetare, shkruan “Reuters”.

(Kosova Sot)